E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi, ish të përndjekurit letër Berishës

TIRANE- Nje grup ish te përndjekurish politike i jane drejtuar sot me nje leter kreut te qeverise, Sali Berisha per uljen e moshes per perfitimin e demshperblimit. Ata deklarojne se kane shpresur në një angazhim serioz nga ana e qeverisë për t`i dhënë fund zvarritjeve në këtë drejtim, duke shprehur revolte per zmbrapsjen e variantit të miratuar në Komisionin e Ligjeve. Sipas tyre, vendimi për të dëmshpërblyer menjëherë vetëm ata të përndjekur që kanë mbushur tanimë 85 vjeç, është një përpjekje krejt e lexueshme për t`i ikur përgjegjësisë që qeveria ka ndaj kesaj shtrese.

Letra

Jo vetëm në Shqipëri, ku jetëgjatësia mesatare arrin 72 vjeç, por edhe në vendet më të përparuara të Europës e botës, vetëm një grusht njerëzish kanë fatin të kapin moshën 85 vjeçare. E ky numër i kufizuar reduktohet pastaj në gishtat e njërës dorë kur bëhet fjalë për të përndjekurit shëndetshkatërruar nëpër burgjet e kampet e internimit të diktaturës komuniste. Për më tepër pastaj zoti Kryeministër, qëllimi i dëmshpërblimit nuk mund të barazohet me qëllimin politik për të përfituar pushtet prej viteve të vuajtjeve e torturave të kësaj shtrese, duke thënë tjetër gjë e bërë një gjë krejt tjetër për të.

Plot 45 vjet burgosje, internime e pushkatime nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës dhe 22 vjet të tjera braktisje e nëpërkëmbje nën qeveri që me ne janë sjellë si të ishin regjime shurdhërie, përbëjnë bilancin dëshpërues të shtresës sonë sot. Ky bilanc e mbulon me turp çdo forcë qeverisëse që gjatë kësaj kohe – e cila për nga gjatësia është e barabartë me gjysmën e dekadave të komunizmit -, nuk ka arritur as ta shohë problemin tonë si një çështje drejtësie sociale dhe as të ketë për të përndjekurit një politikë dinjitoze përtej interesave të veta politike.

Ne ju bëjmë thirrje ta rishikoni propozimin e Partisë Socialiste për zgjerimin e bazës së përfituesve duke e ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen menjëherë në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat. Kjo masë sigurisht nuk mjafton për të përmbushur detyrimin që ka në radhë të parë qeveria, por edhe shoqëria shqiptare, ndaj shtresës sonë. Por në kushtet kur qeveria nuk e ka një paketë gjithëpërfshirëse masash për trajtimin e të gjitha problematikave që lidhen me shtresën tonë, pranimi nga ana juaj i propozimit të Partisë Socialiste do të lehtësonte një numër jo të parëndësishëm të përndjekurish. E mbase do t`ju lehtësonte sadopak edhe juve vetë nga përgjegjësia e madhe që keni në raport me ta për gjithë këto vite premtimesh boshe e zhgënjimesh dëshpëruese në familjet tona.
Nga një grup ish të përndjekurish:

KETI BAZHDARI

BILAL KOLA

ROLAND ILIA

HELIDON BELE

PERIKLI SPIRO SHQEVI

XHEMAL ZHURI

GJERGJ NDRECA

XHAFER XHOMO

YLLI GJONCAJ

VANGJELI CUFAJ

KONSTANDIN GJOKDANI

PETRIT MUKA

GAZMEND MUKA

GJET KADELI

FATMA MUDA

SADIK MUZHAQI

PELLUMB GEGA

AGJON IMERI

MIRELA BRAHIMI

FRAN QAFA

AGRON TALE

AISHA TOTA

NEST MARGJOKAJ

LUIGJ SHLLAKU

MEHILL GJINAJ

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›