E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza greke rrezikon ekonomine ne 5 shtete te BE-se

Kriza e borxhit grek vë në rrezik ekonomitë e të paktën pesë vendet e tjera të BE-së. Paralajmërimi vjen nga kreu i grupit të ministrave të financave të Eurozonës, kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker. Sipas tij, Gjermania ishte "duke luajtur me zjarrin", me  planin më të fundit  për të përfshirë kreditorë privatë në zgjidhjen e krizës.

Komentet e Junker vijnë në prag të takimit të Luksemburgut,  ku ministrat e financave do të bien dakort  për  këstin e rradhës prej 12 miliardë eurosh. Greqia ka nevojë për kredisë për të evituar falimentin. Por kjo është kushtëzuar nga zbatimi i një sërë reformash të dhimbshme të cilat kanë ngjallur greva mbarëkombëtare, mitingje dhe trazira  të dhunshme në rrugët e kryeqytetit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se investitorët privatë duhet të inkurajohen për të ndarë një pjesë të barrës së borxhit grek. Në samitin franko-gjerman edhe Sarkozy mbështeti përfshirjen vullnetare të kreditorëve privatë që duhet të "tregojnë solidaritet".  Por për Juncker një propozim i tillë dërgonte një sinjal të gabuar për agjencitë e vlerësimit që një përfshirje të tillë do ta interpretonin si dështim të Greqisë në pagesat e saj, çka eventualisht do të rriste koston e huamarrjes për vendet e tjera të zonës euro.

Nëse nuk menaxhohet si duhet kriza do të jetë ngjitëse për Portugalinë dhe Irlandën, dhe pastaj edhe për Belgjikë dhe Itali për shkak të borxhit të  lartë. Sipas tij propozimi i Merkel ishte i bazuar në "konsiderata të brendshme politike në Gjermani".  Të martën e ardhshme, parlamenti grek do të votojë mbi një mocion mosbesimi për qeverinë e re pas riorganizimit të kabinetit të premten, ku ish-ministri i mbrojtjes Evangelos Venizelos zëvendësoi George Papakonstantinu në ministrinë e financave.

Kjo lëvizje shkaktoi një rritje të aksioneve të bankës greke, por nuk arriti të lehtësonte zemërimin në rrugë. Rreth 5000 demonstrues u grumbulluan në kryeqytetin e Athinës për të treguar zemërimin e tyre në fushatën e reformave shtrenguese të kryeministrit Jorgo Papandreu.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›