E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza institucionale në Kosovë

Shqiptarët u treguan euforikë pas 17 shkurtit, kur fuqitë e mëdha perëndimore e njohën pavarësinë e Kosovës. Pa ditur se kjo njohje nuk ishte çështje dashurie, por fillimi i një procesi tjetër, i gjatë dhe i vështirë. Të paktën, sa kohë që rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Kosova ndodhet në një krizë klasike institucionale. Deri dje ajo ka pasur tre pushtete paralele, pushteti i UNMIK-ut, pushteti i Prishtinës dhe pushteti i Beogradit. Plani Ahtisaari dhe Kushtetuta e Kosovës, që e reflekton atë, parashikonin ekzistencën e dy pushteteve, të paktën për një periudhë kalimtare, pushtetin e Prishtinës dhe atë të EULEX-it. Ky i fundit do të kishte të drejtë të ndërhynte vetëm nëse procesi i ndërtimit institucional të Kosovës do të binte në kundërshtim me planin “Ahtisaari”. Me pak fjalë, nëse Kosova do të kishte një qeveri korrekte, de facto do të kishim vetëm një pushtet, atë të duhurin, pushtetin e dalë prej vullnetit popullor, si në të gjithë vendet demokratike.

Po çfarë ndodh në vërtetë? Kemi një konfuzion më të madh se sa para 17 shkurtit, ardhjen e EULEX-it dhe mos ikjen e UNMIK-ut. Pra, kemi një pushtet tjetër më shumë, atë të EULEX-it, e kështu bëhen katër pushtete paralele në Kosovë (Prishtina, Beogradi, UNMIK-u dhe EULEX-i). Plani gjashtë pikësh i Sekretarit të OKB-së, Ban Ki Moon, e presupozon qartësisht këtë situatë. Nëse ky plan do të realizohet në thelbin e tij (që është mosnjohja e pavarësisë), ec e merre vesh sesi do të qeveriset Kosova.

Planin 6 pikësh, nuk është më pak se sa një projektrezolutë e re për Kosovën, që sanksionon edhe de jure, deri diku, ndarjen institucionale të saj. Megjithëkëtë, shqiptarët po i bien më shumë se sa duhet në qafë Ban Ki Moon-it, pa dashur të thellohen në realitetin ekzistues dhe raportet institucionale të ndërsjella. Ban Ki Moon-i është në tagrin e tij të mbrojë institucionin që përfaqëson, pse jo, t’i japë atij kompetenca sa të jetë e mundur. Thënë më shkoqur, pavarësia e Kosovës nuk ka kaluar nëpër OKB, për arsyet që dihen. Kjo organizatë, në rastin më të mirë, ka në fuqi rezolutën 1244.

Pa kuptuar thelbin e procesit, nuk mund të merren qëndrime efikase për më tej. Nuk mund të përcaktohen pikat e reja të mbështetjes dhe referencat kryesore. Kosova nuk është një shtet i njohur nga OKB-ja dhe, natyrisht, nuk është pjesë e saj. Nga ana tjetër, Kosova është një shtet i njohur nga mbi 50 vende, ndër të cilat dy faktorët më të fuqishëm të botës, SHBA-ja dhe BE-ja (pjesa kryesore e saj). Prej këtu rrjedh se shqiptarët duhet të mbështeten pikërisht në këta dy faktorë dhe në të tjerë që u bashkëngjiten atyre. Problemi bëhet delikat, pasi për herë të parë, që pas përfundimit të luftës në Kosovë, faktori shqiptar nuk është në të njëjtën linjë me euro-amerikanët.

E ardhmja e Kosovës në proces është me BE-në. Çdo ndërthurje tjetër, çdo precipitat tjetër institucional, vetëm sa do t’i ngatërronte punët. Kësisoj, shqiptarët janë treguar të vonuar, për t’i thënë institucionalisht misionit të OKB-së: “Mirupafshim UNMIK”, duke e quajtur të mbyllur këtë mision dhe mos e njohur më tej. Kjo vonesë ka krijuar kushte për zgjidhje të tilla të dyzuara, që rrezikojnë seriozisht sovranitetin e Kosovës.

Pas 17 shkurtit, beteja e nisur në bisedimet e Vjenës, mes pavarësisë së Kosovës dhe autonomisë substanciale të saj, është spostuar në betejën për një Kosovë unike ose të ndarë. Deri tani realiteti qëndron në anën e ndarjes. Faji për këtë është i UNMIK-ut, i cili nuk arriti ta zbatonte institucionalisht misionin e tij në veri, qoftë edhe duke u bazuar në 1244. Nëse serbët e Kosovës do të ishin inkuadruar në institucione, gjatë kohës së UNMIK-ut, sot tentativa për ndarje institucionale, do të konsiderohej nga të gjithë si një hap prapa dhe nuk do të gjente kurrfarë mbështetjeje. Por, nuk është koha për të gjetur gabimet.

Si i bëhet që shqiptarët nuk janë të zotët ta fusin nën juridiksionin e Prishtinës, pjesën veriore të Kosovës? Cila është zgjidhja më optimale për të ruajtur ekuilibrat në rajon? Këtë punë, më shumë se kushdo tjetër, e ka në dorë Evropa, e cila do ta dërgojë misionin e saj të parashikuar. Por, është dashur që këtë mision ta dërgonte pa ndonjë mandat të një organizmi tjetër, qoftë ky edhe OKB-ja. Mënyra se si EULEX-i do ta trajtojë institucionalisht Kosovën, është thelbi i asaj që pritet të ndodhë. BE-ja, me hatër apo me hutër, duhet të zgjedhë mes integrimit të Serbisë pa kushte, që do të thoshte legjitimim i ndarjes së Kosovës dhe kushtëzimit të këtij procesi me heqjen dorë prej ndarjes. Në këtë zgjedhje duhen marrë parasysh efektet që do të prodhonte secila. Veç kësaj, në procesin në fjalë, rol vendimtar do të ketë sërish SHBA-ja. Varësisht nga angazhimi amerikan, do të jetë edhe animi i balancës, në favor të unicitetit ose ndarjes.

Duhet kuptuar se ndarja nuk është më tabu. Është një prej varianteve që qëndron pas çdo ferre të diplomacisë evropiane kur flitet për Kosovën. Edhe sikur pavarësia e Kosovës të kishte kaluar nëpër OKB, pra në variantin më maksimal të mundshëm, do të mjaftonte kundërshtimi i Serbisë, që Kosova të mbetet pa fund nën kërcënimin e ndarjes.

Nëse evropianët nuk do të jenë në akordin e duhur, shqiptarët s’kanë rrugë tjetër, përveçse të përgjigjen me të njëjtën monedhë, atë të kompensimit. Është herët për ta kërkuar, por jo për ta menduar. Pasi të jenë shterur të gjitha rrugët. Veç luftës diplomatike me Serbinë, shqiptarët duhet të luftojnë edhe me vetveten, me standardet ekzistuese të zhvillimit të tyre, për të bindur të gjithë miqtë se meritojnë të jenë në familjen më të zhvilluar të Evropës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›