E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për dashurinë shkruhet edhe para vdekjes

Botimet e sotme të letërsisë shqipe janë një labirint borghesian, sidomos nga ajo marramendja disinformative që na sjell në mënyrën më informative - përmes gazetave, stacioneve televizive, radiove, - kritika letrare, e cila sot e kësaj dite, e ngjitur në tutkallin e një inercie të djeshme, vazhdon të preferojë verbërisht mediokritetin kokëfortëpërpara vlerave, si dhe entuziazmin për Fast Food-in macdonald-ian të prodhimit letrar. Kritika letrare e viseve tona të Tiranës e të Prishtinës, tregon sot e kësaj dite një provincializëm shijesh dhe një servilizëm pjerrakeq, kur është fjala për të ndërtuar hierarkinë e vlerave estetike të letërsisë së sotme. Kritika letrare, së bashku me binjakun e vet jetëshkurtër, shtypin e përditshëm, vazhdon të na përmendë emra shkrimtarësh mediokër, të cilët, falë ca formulave alkimike e ca kodeve estetike dhe masonike, që veç kritikët i dinë, shndërrohen në shkrimtarë të mëdhenj etë rëndësishëm. Është po kjo kritikë, që sot përpiqet të na mbushë mendjen se është moderne dhe e kohës, tek përmend emra autorësh të botës dhe emra kritikësh të botës, në proporcion të zhdrejtë me shijen e vet estetike, pa e ditur se, pikërisht ky densitet përmendjesh të gjithfarë emrash, shfaq dhe provincializmin mjeran të formatit të saj xhuxhmaxhuxh. Por, kjo kritikë, për fat të keq, do të jetojë gjatë, sa kohë që vetë shkrimtarët shqiptarë të përtojnë që të artikulojnë për kolegët e tyre, në vend të xhelozizë dhe të përkatësisë së grupeve të ngushta, një dashamirësi fisnike, si vetë letërsia e mirë.

Por shkrimtarin Zija Çela, për fat, nuk e njoh përmes lavdërimeve të kritikës. Tre librat e tij më të fundit “Gjaku im i errët”, “Oborri” dhe “Las Varrezat”, i lexova në Londër, pasi i pata gjetur në libraritë e Tiranës, në shtatorin e këtij viti. Në avion, Tiranë - Milano dhe pastaj Milano - Londër, tek kthehesha për në shtëpi, pata lexuar një libër tjetër të po këtij autori, “Për dashurinë shkruhet gjithmonë pas vdekjes”. Për ca arsye, jo veç letrare, këtë libër e kam filluar ta lexoj kur avioni u ngjit lart në ajër dhe e kam përfunduar po në qiej. Dhe ai libër, një britmë fisnike dhembjeje dhe dashurie, meriton të lexohet veç në qiej, ngase është një libër qiellor. Jo vetëm nga subjekti -vdekja e parakohshme e birit - por sidomos nga forca shprehese e dhembjes së sinqertë dhe nga eleganca e shprehjes.

“Las Varrezat” është një libër tjetër i Zija Çelës, që duhej ta kish detyruar kritikën letrare – këtë shurdhmemecetë madhe - të dëgjonte e të fliste. Është një roman që paralajmërohej që më parë, sidomos nga përmbledhja me tregime “Oborri i një tirani të fshehtë” dhe sidomos nga tregimi me titull “Misteri i jetës”.Vetë romani “Las Varrezat” është një kryevepër e groteskut dhe e tragjikomizmit letrar. Nëse është e vërtetë, se një titull i saktë, intrigues, joshës, është paralajmëruesi i një libri të saktë, intrigues, joshës, atëherë “Las Varrezat”, që në kopertinë na lajmëron një roman krejt të veçantë nga gjithë çfarë kemi lexuar deri më sot në letërsinë shqipe. Nyja shquese e gjuhëve latine Las, sonore, e lehtë, elegante, gati-gati e pa peshë, fluturake, vjen dhe përplaset në mënyrën më të papritur me fjalën e zymtë, moribonde e të kobshme Varrezat. Një përplasje e pafajshme dhe njëkohësisht ironike. Romani ka filluar kësisoj me titullin. Dhe autori nuk na lë që të presim gjatë. Kapitulli i parë na tregon sekretin e librit, gjetjen fatlume, mbi të cilin është ndërtuar e gjithë struktura e tij, ajo që kompozitorët e quajnë temë a motiv. Një gjetje e rrallë, një shkrepje, një nga ato gjetjet, me të cilat dhe autori më fatlum mund të ndeshet njëherë në njëqind vjet…Romani, antiromantik gjer në palcë, nuk të lë asnjë iluzion: Dashuria shpërblehet me mosmirënjohjen më të egër, ligësia e njerëzve është dhe elementi më vital i jetës, hipokrizia është forca shtytëse e çdo çasti, pamundësia për të dashtë, është dhe mundësia e vetme për t’u realizuar… Romani ka një galeri të pafundme karakteresh groteskë, strambo, të ligj e të pafajshëm njëherësh, të prekshëm e efemerë, karaktereqë të sjellin ndërmend filmat e Felinit (Amarcordi), apo shpirtrat e vdekur të Gogolit.

Vetë Gogoli e kishte zakon të thoshte se provinca është dhe mjedisi ideal i letërsisë së madhe, sepse provinca mund t’ijapë dhe karakteret më të çuditshme letërsisë. Ismail Kadare ka bërë portretin e provincës në romanin e tij, që është ndër librat më të mirë të tij, “Kronikë në gur”. Zija Çela duket se i ka ndenjur besnikërisht këshillës së dikurshme të shkrimtarit të madh. Kukunami është një qytet provincial. Por është një provincë që identifikohet me provincializmin mendor dhe shpirtëror të shqiptarëve, me ligësinë dhe egoizmin njerëzor, me shpirtngushtësinë dhe mungesën e vlerave shpirtërore, me atrofizimin grotesk. Karakteret e romanit, aq surreal që duken se janë, mund të identifikohen, nga ana tjetër me njerëzit më realë, me kritikët letrarë, me politikanët, me gazetarët, me nëpunësit e zyrave, me shkrimtarët delirantë dhe marrokë, me turmat…!

Në librat e fundit të tij, Zija Çela, shfaqet si njëri ndër prozatorët më të guximshëm të letërsisë së sotme shqipe - një arsye kjo serioze për të mos u pëlqyer nga të gjithë. Jo prozatori më i rëndësishëm pas Kadaresë, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit. Mendoj se letërsia nuk ka nevojë për krahasime. Një autor është një yll më vete, a një planet më vete, kur ai është autor. Zija Çela është një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm. Sepse po të qe i krahasueshëm, ai nuk do të qe i rëndësishëm dhe vetvetja. Po ashtu siç janë të pakrahasueshëm në individualitetin e tyre krijues dhe prozatorët Bashkim Shehu a Fatos Kongoli, Elena Kadare a Nasi Lera, Visar Zhiti a Valbona Koçiu (autorja e romanit “The pact beneath the brige”).

Librat e Zija Çelës janë të shkruar me ethet e krijimtarisë (dhe ndoshta, autorët që shkruajnë me një frymë, duan dhe redaktorët më të kujdesshëm. Gjë që “Laz Varrezat” nuk e ka pasur). Vëllimi me tregime “Oborri….”, e tregon Zija Çelën një mjeshtër të tregimit të shkurtër. Autori është toreadori që i tund pëlhurën e kuqe demit të tregimit. E sfidon dhe e zotëron në të njëjtën kohë. Tregimet kanë një strukturë të saktë, të ngjeshur, muskulore. Dhe janë këto tregime që duken se kanë përgatitur “Las Varrezat”. Dhe, “Las Varrezat”, është një roman thellësisht shqiptar. Prandaj, lexues të mençur dhe kritikë të përgjumur, mirë se vini në Kukunam!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›