E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, leksione për qeverinë

Kriza e fundit ishte një rrjedhojë e incentivave të gabuara, të cilat mbështetën një zhvillim të çekuilibruar të aktivitetit financiar dhe një vlerësim të gabuar të rrezikut, të çmimvënies dhe të administrimit. Këto incentiva të gabuara ishin të pranishme jo vetëm në industrinë dhe tregjet financiare, por edhe në bilancet e individëve, bizneseve dhe në mbarë vendet e tjera. Duke patur parasysh natyrën, përmasat dhe ndikimin e kësaj krize, jo vetëm mbi industrinë dhe tregjet financiare, por edhe mbi ekonominë reale, autoritetet publike në mjaft vende u detyruan të adoptonin masa të shpejta, të koordinuara dhe të jashtëzakonshme, si në fushën e politikës monetare, ashtu dhe në atë fiskale. Bankat qendrore hoqën dorë nga pothuajse çdo kufizim; ato madje, adoptuan disa masa të pazakonta, me qëllim sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm dhe me kosto të ulët për tregjet financiare. Qeveritë e vendeve shfaqën një përkushtim të madh në drejtim të uljes së rrezikut sistemik, duke shpëtuar institucione të rëndësishme financiare, duke siguruar garanci për kredidhënien ndërbankare, duke rritur kufirin e sigurimit të depozitave të publikut, etj.. Këto masa, të cilat në pjesën më të madhe të herëve ishin të përkohshme, duket se kanë rezultuar të suksesshme në rikthimin e besimit të tregut dhe në orientimin e ekonomisë globale drejt rrugës së përmirësimit gradual të saj.

Më lejoni tani të ndalem në mënyrën se si ekonomia shqiptare dhe sistemi ynë financiar u përball me krizën ndërkombëtare, si dhe disa nga masat që Banka e Shqipërisë i gjykon të rëndësishme për të ardhshme, me qëllim forcimin e stabilitetit të sistemit financiar dhe të ekonomisë shqiptare.
Kriza globale e kohëve të fundit tregoi se në kushtet e rritjes së integrimit financiar dhe thellimit të pandalshëm të globalizimit ekonomik, ekonomitë e vogla, si ajo e Shqipërisë apo e vendeve të tjera të rajonit, nuk duhet të mbështeten vetëm në mbrojtjen natyrale që vjen nga tregjet financiare më pak të zhvilluara dhe nga niveli shumë më i ulët i borxhit prej individëve dhe bizneseve, për të kompensuar me kalimin e kohës rreziqet potenciale, të cilat mund të vijnë nga rritja ekonomike më pak e diversifikuar, mbështetja e tepërt në dërgesat e emigrantëve, kultura e pamjaftueshme për menaxhimin e rrezikut në institucionet financiare dhe në agjentët e tjerë ekonomikë – veçanërisht rrezikun e kursit të këmbimit dhe të likuiditetit, si dhe hapësira shumë e kufizuar që kanë autoritet publike për të aplikuar masa financiare anti-krizë të ngjashme me ato të vendeve të zhvilluara. Kështu, masat e politikës duhet t’i drejtojnë këto e mangësitë e tjera drejt gjetjes së një zgjidhjeje të përshtatshme në periudhën afatmesme. Këto masa duhet të pasqyrojnë përparësinë për veprime parandaluese.

Në fakt, gjatë 4 - 5 viteve të fundit, Banka e Shqipërisë është treguar vigjilente për identifikimin e fushave të veprimtarisë bankare që kërkojnë vëmendjen e industrisë. E kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me rritjen e shpejtë të kredidhënies, pasi besonim se kjo do të ndikonte negativisht në cilësinë e kredisë. Një shqetësim tjetër është edhe përbërja e portofolit të kredive, i cili mbizotërohet nga kredi në euro. Pavarësisht nga fakti se ky pozicion mbështetet nga prania e lartë e detyrimeve valutore në bilancet e bankave dhe nga lidhjet e fuqishme ekonomike me vendet e zonën së euros, si Italia dhe Greqia, Banka e Shqipërisë ka qenë e vendosur në përqasjen e saj për zbatimin gradual të masave rregullative, të cilat shkurajojnë rritjen e shpejtë të kredidhënies, nxitin bankat për të dhënë më shumë kredi në monedhën kombëtare dhe rritin transparencën ndaj klientëve të bankave për shërbimet dhe produktet bankare. Nga ana tjetër, politika monetare i ka ankoruar me sukses pritjet për një rritje të moderuar të nivelit të çmimeve dhe ka mbështetur kërkesën për mjete financiare të shprehura në monedhën kombëtare, duke ofruar kështu një fitim pozitiv real të mjaftueshëm.

Ndikimi i parë i krizës ndërkombëtare në ekonominë tonë u shfaq në bilancin e pagesave, duke pasqyruar marrëdhëniet e ekonomisë tonë me botën. Rritja e papunësisë dhe shtrëngimi i kushteve financiare në vendet fqinje të BE, u pasuan nga rënia e dërgesave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto vende. Ndërkohë që hendeku ndërmjet kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme thellohej, kjo u shoqërua me një rritje të deficitit të llogarisë korrente dhe shtim të presioneve mbi kursin e këmbimit. Në të njëjtën kohë, sektori bankar, që mbizotëron dukshëm sistemin financiar në Shqipëri, tkurri kontributin financues për ekonominë vendase si përgjigje ndaj rritjes së kërkesës për likuiditet, pasojë e tërheqjes së depozitave nga publiku dhe e rritjes së kërkesës huamarrëse të Qeverisë. Gërshetimi i efekteve të këtyre zhvillimeve ndikoi negativisht në sektorin real të ekonomisë, veçanërisht në biznesin. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, indeksi i besimit të biznesit ra nën mesataren e tij historike, duke treguar për një situatë më të vështirë financiare. Kjo e fundit u pasqyrua edhe nga realizimi i të ardhurave fiskale në nivel më të ulët se plani, si dhe nga rënia e cilësisë së portofolit të kredive që sektori bankar ka hasur gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në periudhën afatshkurtër, autoritet publike morën masa për të zvogëluar ndikimin e krizës financiare globale në ekonomi. Nëpërmjet rritjes së konsiderueshme të pjesës së shpenzimeve fiskale të destinuar për investime, kryesisht në infrastrukturë, qeveria i dha një stimul të rëndësishëm sektorit real të ekonomisë për të përballur efektet e krizës globale. Gjithashtu, BSh ka qenë aktive për pajisjen e tregut ndërbankar me likuiditet, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sektorit bankar dhe minimizimin e rënies të rolit të saj ndërmjetësues. Ne hoqëm kufijtë sasiorë në madhësinë e injektimit të likuiditetit nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes njëjavore dhe zgjatëm afatin e maturimit të instrumenteve të injektimit në tre muaj. Pas një uljeje të normës së interesit me 0.5 pikë përqindjeje në muajin janar dhe pas zbutjes së presioneve inflacioniste në vend, politika monetare i kushtoi një rëndësi të veçantë stabilitetit financiar, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit për të gjithë periudhën. Nëpërmjet kësaj politike, u synua që në periudhë afatshkurtër të mbështetej kërkesa për mjete financiare të shprehura në monedhën kombëtare. Njëkohësisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, BSh inicioi ndryshime legjislative për të rritur nivelin e sigurimit të depozitave, si një masë e domosdoshme për të rikthyer besimin e publikut për sigurinë e depozitave bankare. Nga këndvështrimi mbikëqyrës, BSh përforcoi kontrollin e përditshëm të zhvillimeve të sektorit bankar, duke u përqendruar veçanërisht në gjendjen e likuiditetit. Kjo ishte pjesë e një përqasjeje më të gjerë që përfshiu edhe ndryshimet në kuadrin rregullativ, komunikimin më të fuqishëm me sektorin bankar, rritjen e numrit të publikimeve dhe praninë më të madhe në media. Besojmë se këto politika ishin të rëndësishme për administrimin efektiv të nevojave të sektorit bankar për likuiditet, ofruan një orientim të kreditimit drejt monedhës kombëtare dhe ndikuan në ruajtjen e parametrave të qëndrueshëm të kapitalizimit për bankat tona. Situata hyri në fazën e një përmirësimi cilësor, pas rifillimit të procesit të rritjes së depozitave të publikut pranë sektorit bankar. Ky proces, i cili u zhvillua në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme në tremujorin dytë të vitit 2009, vijon me ritme të kënaqshme.

Besojmë se, pas kapërcimit të efekteve afatshkurtra të krizës financiare globale dhe përmirësimit të situatës ndërkombëtare, autoritetet publike në vend duhet të nisin një proces vlerësimi të kuadrit të veprimeve ligjore dhe financiare, me qëllim rivendosjen e ekuilibrave në veprimtarinë fiskale, monetare e bankare, në mbështetje të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike dhe ruajtjes së stabilitetit financiar. Për këtë arsye, është e rëndësishme që politika fiskale të ndërmarrë masat përkatëse korrektuese, në mënyrë që të forcojë besimin e agjentëve të tregut dhe të investitorëve, vendas dhe të huaj. Në të njëjtën kohë, politika monetare duhet të vlerësojë efektet e mundshme mbi inflacion të stimulit financiar që i është dhënë sektorit bankar dhe ekonomisë, si edhe të shqyrtojë më pas hapësirat që ekzistojnë për të mbështetur ndërmjetësimin financiar të sektorit bankar në ekonomi me një kosto më të ulët. Për t’i dhënë një përgjigje më afatgjatë rritjes të qëndrueshme ekonomike, autoritetet publike duhet të këmbëngulin për të hartuar dhe zbatuar strategji për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, të cilat në afat të mesëm do të mundësonin:
a) Vendosjen e një ekuilibri më të mirë në kontributin që japin sektorë të ndryshëm për rritjen ekonomike. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të rritet mbështetja për sektorët e ekonomisë me potencial të fuqishëm në rritjen ekonomike, si bujqësia dhe turizmi;
b) Rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë tonë dhe formalizimin e mëtejshëm të saj. Në këtë drejtim, debatet duhet të përqendrohen në gjetjen e stimujve për të rritur prodhimin vendas dhe për të mbështetur kursimet e brendshme. Me kalimin e kohës këto do të përmirësonin bilancin e llogarisë korrente dhe disponueshmërinë e mjeteve valutore;
c) Shtimin e burimeve të financimit. Në këtë drejtim, autoritetet duhet të zbatojnë politika që mbështesin zhvillimin e sektorit financiar jobankar dhe krijimin e tregjeve të kapitalit dhe të borxhit për subjekte private. Realizimi i këtyre objektivave do të kërkonte paraprakisht forcimin e standardeve të raportimit financiar; plotësimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit; dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave të kreditorëve e të konsumatorëve, lidhur me institucionet dhe produktet financiare. Në terma më praktikë, këto masa pritet të zgjerojnë burimet e financimit për rritjen ekonomike dhe gradualisht të ulin varësinë e tij nga sektori bankar;
d) Përmirësimin dhe plotësimin e kuadrit ligjor dhe operacional për të forcuar kapacitetet e autoriteteve publike për përballimin me eficiencë të krizës. Në këtë kuadër, autoritetet publike duhet të identifikojnë masat e nevojshme për parandalimin, përballimin dhe eliminimin e pasojave të krizës financiare. Banka e Shqipërisë gjykon se secili autoritet publik, duhet të rivlerësojë kapacitetet dhe aftësitë e tij ligjore, financiare, njerëzore dhe teknologjike, për të përmbushur rolin e tij në situata të ngjashme krizash. Në të gjithë këtë proces, koordinimi ndërmjet autoriteteve publike duhet të jetë në nivelin më të lartë.
Edhe vetë industria bankare duhet të realizojë një rivlerësim të objektivave dhe formave të zhvillimit të veprimtarisë bankare në të ardhmen, me qëllim sigurimin e fitimeve të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Për rrjedhojë, është e nevojshme që organet drejtuese të bankave të ndërmarrin një proces, me qëllim që: a) të rivlerësojnë përparësitë e zhvillimit; b) të vendosin një ekuilibër më të mirë në lidhje me burimet e të ardhurave dhe të kontrollojnë kostot; c) të orientojnë veprimtarinë e tyre drejt një specializimi më të madh dhe krijimit të përparësive konkurruese; d) të arrijnë një ekuilibër më të mirë përsa i përket përbërjes së mjeteve dhe detyrimeve të tyre sipas monedhës, sipas afatit të maturimit etj.; e) të ndjekin politika më aktive në drejtim të afrimit dhe mbajtjes së publikut (klientëve) pranë institucionit; f) të forcojnë strukturat e kontrollit të brendshëm dhe kapacitetet për punë kërkimore dhe për administrimin e rreziqeve.
Aktualisht, Banka e Shqipërisë po punon me synimin që, në hapësirën e nevojshme kohore dhe pas konsultimit me industrinë financiare, ta mbështesë këtë proces nëpërmjet prezantimit të ndryshimeve në kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës. Për këtë qëllim, synohet që në veprimtarinë bankare, të forcohen mekanizmat e brendshëm që ofrojnë stimuj për një zhvillim të ekuilibruar dhe të kontrolluar, me karakteristika të përshtatshme të likuiditetit dhe të kapitalizimit.

Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë, do të vlerësojë nevojën për një përqasje të re mbikëqyrëse ndaj bankave me rëndësi sistemike. Transparenca e veprimtarisë bankare në marrëdhëniet e saj me klientët dhe publikun në përgjithësi, do të mbetet në qendër të veprimtarisë mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë. Në përgjithësi, në këtë proces, Banka e Shqipërisë do të mbajë në konsideratë ndryshimet që do të ndodhin në standardet evropiane, duke mbështetur bashkëpunimin e fuqishëm me bankat e tjera qendrore dhe me autoritetet e tjera mbikëqyrëse.

Në përfundim, më lejoni të theksoj se qëllimi final i ndryshimeve rregullative financiare që po identifikohen në nivel ndërkombëtar duhet të ofrojnë stimujt e duhur, të cilat me kalimin e kohës do të sigurojnë një veprimtari më të qëndrueshme, më të ekuilibruar dhe me më pak rrezik për institucionet dhe tregjet financiare në të ardhmen. Në nivel global dhe kombëtar, këto ndryshime duhet të plotësohen me masa të tjera ekonomike më të përgjithshme, që të mundësojnë një proces përshtatjeje, për të siguruar një pozicionim më të mirë të mjeteve dhe detyrimeve në bilancet e agjentëve të ndryshëm ekonomik. E gjithë kjo duhet realizuar, ndërkohë që duhet të ruajmë përfitimet sociale që rrjedhin nga integrimi ekonomik dhe financiar. Kjo do të thotë që e ardhmja do të përballet me një përpjekje të vazhdueshme dhe sfiduese, për gjetjen dhe vendosjen e një ekuilibri të ri dhe më të përshtatshëm ndërmjet shkallës së rrezikut të marrë përsipër dhe fitimeve më të qëndrueshme nga agjentët ekonomikë, si dhe ndërmjet çështjeve kombëtare afatshkurtra dhe objektivave afatgjata të integrimit rajonal politik dhe ekonomik.
*Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë mbajtur në Kosovë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›