E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi fëmijët e lidhur me zinxhirë

Pas ububusë që pamë në disa televizione të një djali të lidhur me zinxhirë si një qen, diku andej nga një katund
i Fierit, ia behu çudia tjetër: një prind në Maqellarë mbante lidhur me zinxhirë prej njëzet e dy vitesh dy vajzat e tij, njëra afërsisht dyzet e tjetra tridhjetë vjeç… Në të dy rastet fëmijët ishin mbajtur lidhur nëpër ca si kolibe, ngaqë konsideroheshin nga prindërit e tyre si “të rrezikshëm”, me të meta mendore...Në të dy rastet, nga të dy baballarët është dhënë justifikimi i çmendurisë, i ilustruar edhe me një varfëri ekstreme, të papërfytyrueshme e të papërballueshme. Por, në të dy rastet makabriteti ngjan i pashembullt, tronditës, jo vetëm për shkak të pamjeve mjerane që pamë (preteksti i sëmundjes mendore nuk e lehtëson situatën, përkundrazi e bën atë edhe më të rëndë!), gjë që dëshmon se në Shqipëri ende ka të tillë të ashtuquajtur njerëz; se mes nesh, shumë pranë nesh, diku në periferi e ndoshta edhe në një pallat, ka madje edhe familje, po edhe komunitete që pajtohen me poshtërimin që i bën njeriu njeriut; se mes nesh ka njerëz që pranojnë të jetojnë në heshtje me një të tillë rezillëk njerëzor (apo mos janë të detyruar?); se edhe në këtë shekull, pra edhe në demokraci, ka që bashkëjetojnë “paqësisht” në një atmosferë të tillë kriminaliteti, në një primitivitet pa rrugëdalje, në stadin e një parashoqërie barbare, në situata që mesa duken nuk gjejnë dot as shpëtim, e as shërim, ngaqë besohet se, tekefundit, kjo është punë e fatit dhe dorë e Zotit e jo pasojë e një shoqërie të keqadministruar...
Sigurisht që këta dy shembuj, edhe pse janë në kohë shumë pranë njëri-tjetrit nuk mund të cenojnë gjithë shoqërinë shqiptare, ashtu si nuk e cenon shoqërinë austriake shembulli i një babai monstër që kishte mbajtur të mbyllur të bijën për vite të tëra e që madje, kishte pas bërë me të incest, duke lindur disa fëmijë… Vetëm se nuk ka dyshim që problemi i shembujve tanë kafshërorë është më specifik, sepse është i lidhur sa me prapambetjen kulturore të trashëguar, aq edhe me varfërinë skajore, si dhe - kjo është më e rëndë! - me një mungesë dramatike të reagimit të komunitetit ndaj sjelljeve të tilla perverse e makabre, apo më saktë, barbare.
Kjo mospërfillje dhe kjo mungesë ndjeshmërie e solidariteti e bën këtë dukuri edhe më të ndërlikuar nga ç’duket së largu, prej ekraneve. Sepse, përveç pajtimit dhe dorëzimit pa kushte tek e keqja dhe mjerimi, këta shembuj të llahtarshëm provojnë se shoqëria jonë nuk funksionon në normalitet, as nëpërmjet mekanizmave shtetërorë, siç janë autoritetet lokale, shërbimi shëndetësor, përkrahja sociale, shkolla, mediat, bamirësia, partitë, shoqëria civile, komunitetet fetare, etj, etj… Njeriu rural është totalisht i braktisur, njëlloj si në shoqëritë fisnore, para feudale!
E pra, sa më larg qendrës, aq më i braktisur është banori istëm; sa më larg qendrave urbane, aq më i pashpresë është shqiptari! As shkolla, as mjek, as hoxhë, as prift, as ambulancë, as drita, as furnizim, as shtyp, as shtet, as mulli, as dyqan, as polici, as informacion… Për këtë arsye, babai i dy vajzave lëshoi këtë klithmë rrëqethëse, të shprehur me ca rrokjezime nëndialektore që dëshironin të përcillnin këtë mendim: Ku ishte shoqëria, ku ishte shteti, ku ishit ju, o njerëz, në këto 22 vjet? Vonë, shumë vonë u kujtuat!...
Para disa muajsh, në një katund të Tiranës, nga Krraba, një 14-vjeçar pat varur veten në oborr të shtëpisë për shkak, sikundër tha nëna e tij me lot në sy, se i biri i saj nuk e duronte dot skamjen!...Nuk e pat duruar dot adoleshenti i pafajshëm diferencën e llahtarshme mes mundësisë dhe pamundësisë, mes ëndrrës dhe realitetit, mes joshjes që bëjnë përnatë moshatarët nëpër pabe, disko të lirisë seksuale, veturave, spektakleve televizive dhe realitetit “parahistorik” që të ofron një familje e mjerë, e braktisur kësisoj, pa asnjë shpresë, pa asnjë dritë, e harruar diku në periferi…
Edhe në kohë më të vështira, Shqipëria nuk e ka njohur vetëvrasjen (sidomos rinia) për shkaqe të mjerimit, të mungesës së shpresës, të braktisjes nga shoqëria, të konflikteve të pashuara e të pazgjidhshme në familje; tashmë vetëvrasja është bërë një dukuri mëse e zakontë… Këta shembuj, tekefundit dëftejnë në mënyrë makabre se familja e sotme e ka të pamundur të rritë e të mbrojë fëmijët e vet, pa i lidhur me zinxhirë, d.m.th, pa i izoluar, në mos me zinxhirë, me çelës, në mos me çelës, me refuzim, në mos me refuzim, me dhunë, në mos me dhunë, me pamundësi…Ca më keq kur fëmijët janë apo lindin të sëmurë!...Fëmijët tanë, ata me prindër të varfër, po edhe ata me prindër të pasur, aktualisht kanë një prind të përbashkët: fjalën “MOS”!
E pra, nëpër spektakle ne shohim herë pas here “shfaqje” tejet prekëse të disa “fondacioneve për fëmijë” apo edhe të shoqatave të grave, së fundi edhe të mbrojtjes së të drejtave të homoseksualëve, që drejtohen përherë nga ca gra të shquara, po që më të spikaturat e më të suksesshmet, sigurisht që janë ato fondacione e shoqata që drejtohen nga ndonjë bashkëshorte udhëheqësi…Bash dje, zonja Jozefinë organizoi një spektakël në Kuvend për “mbrojtjen e jetës së grave”, ku aty ku rri qeveria flakërinin banderola, fjalime dhe premtime…Në ditë festash kombëtare bashkëshortet e udhëheqësve, bashkë me burrat e tyre të shquar do të shkojnë patjetër në ndonjë jetimore, dhe të mallëngjyera do të shpërndajnë dhurata, kukulla, çokollata apo lavatriçe, të cilat ua kanë dhënë “ca biznesmenë”…A keni parë ndonjëherë në ç’gjendje janë azilet, ku pleqtë mbahen të lidhur “me zinxhirë mjerimi” për të vdekur, mundësisht sa më shpejt?...
Humanizmi në Shqipëri po vdes më së pari për shkaqe shtetërore! Fytyra e vërtetë e humanizmit të një shoqërie duket te trajtimi i pleqve dhe fëmijëve, por për këtë rënie fatale të njerzillëkut në shoqërinë tonë nuk ka dhe aq faj qytetari i thjeshtë, madje as ai që i lidh fëmijët me zinxhirë…Nuk është humanizëm kur kryeministri i një vendi del nga kryeministria e kapërcen kangjellat e ndërtesës për të takuar me mallëngjim tetraplegjikët që kanë ardhur të protestojnë …Por, ja që pas dy muajsh ne pamë këto kronika të zeza e makabre me fëmijë të lidhur me zinxhirë që e bëjnë sterrë fytyrën e Shqipërisë…
Presidenti Topi bëri mirë që u shpreh për rastin e vajzave të lidhura me zinxhirë, dhe për hir të së vërtetës u shpreh edhe drejt, edhe saktë, ndryshe nga partitë e nga qeveritarët…Por, mos janë më pak të lidhur me zinxhirë disa mijëra fëmijë të ngujuar në Veri, për të cilët deri tani nuk kemi parë e nuk po shohim as nisma ligjore, e aq më pak humane, për të çliruar këta fëmijë të pafajshëm nga zinxhirët e gjakmarrjes dhe përjashtimit, nga e drejta për të jetuar në shoqëri normalisht? A mos ishte më pak skandaloze edhe qendra e strehimit të disa fëmijëve të ngujuar në Poliçan, e cila doli se ishte një qendër e ndyrë korrupsioni ndaj së cilës organizmat shtetërorë nuk e vunë kujën?
***
Nëse njerëz dhe prindër monstra ka kudo, edhe në SHBA, edhe në Francë, në shoqëritë e civilizuara nuk ka e nuk mund të ketë komunitete që pranojnë të mbyllin sytë dhe të mos reagojnë për njëzet e dy vjet ndaj dukurive të tilla çnjerëzore, dukuri që sigurisht nuk bëhen tinëz, pa e marrë vesh kurrkush në katund…Sepse nëse komuniteti, familja, rrethi fisnor, shoqëror, katundarëror, apo ca më keq akoma, ai qytetar, le më pastaj organizmat e pushtetit vendor pranojnë të pajtohen dhe t’u duken si “normale” këto sjellje e kjo mënyrë jetese, atëherë del që nuk është i sëmurë një vetje, një njeri i izoluar apo edhe i denatyruar, po një shoqëri. Shembujt e mësipërm në mënyrë të shëmtuar provojnë se shoqëria jonë është e sëmurë rëndë!
Njeriu i qytetëruar nga ai primitiv, shoqëria e prapambetur nga ajo demokratike, më së pari dallohen jo vetëm nga niveli i mirëqenies, po nga raporti që ata kanë me lirinë, me të drejtat e njeriut, sigurisht jo vetëm vetjake. Sepse po ta lëndosh, edhe kafsha reagon, kurse njeriu i qytetëruar që jeton në komunitet e di se kur dhunohet një njeri i panjohur, është dhunuar edhe ai; se kur lidhet me zinxhirë si kafshë një fëmijë, është i lidhur me zinxhirë edhe fëmija i tij; se kur varet në pemë një adoleshent, rrezikohet edhe fëmija e tij; se kur drogohet, vret, vjedh, dhunon dikush në periferi, sëmundja, rreziku, kërcënimi ka trokitur edhe te pragu i familjes tënde; se kur dhunohet pa të drejtë nga policia apo nga të fortët e lagjes dikush, edhe ti je po aq i dhunuar; se kur vidhet vota jote, jam vjedhur edhe unë!…
Vetëm pulat nuk e kuptojnë se kur theret pula tjetër, nuk do t’i vijë radha edhe asaj…Ky është dallimi mes një qytetari dhe një kafshe. Për ta kuptuar këtë na lipset shumë kohë e shumë mund, sepse për ne fatkeqësisht nuk punojnë as “institucionet demokratike”, as organet shtetërore, as të zgjedhurit tanë, as partitë, as liderët, ndaj hë për hë ne drejtohemi vetëm nga parimi: Zoti për të gjithë, secili për vete! Për këtë arsye, të gjithë jemi me nga një zinxhirë në qafë, herë të dukshëm, herë të padukshëm; herë e varim vetë, herë ua varim fëmijëve, po më së shumti kemi qejf t’ia varim njëri-tjetrit!
Këtë ne e quajmë liri!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›