Dinamo ngec në llucën e Shkumbinit
Leonard KarajDinamo është mundur bindshëm në Peqin, Laçi ka treguar “muskujt” në derbi me Kastriotin, ndërsa Flamurtari ka marrë fitoren e tretë pas nëntë javësh. Më në fund ndalet dhe Dinamo. Madje pëson një humbje shokuese, të thellë dhe që e ngatërron jo pak situatën psikologjike të kryesuesve të kampionatit. Ka ndikuar jo pak edhe terreni i stadiumit të Peqinit, i rënduar nga shirat e ditëve të fundit. Shkumbini i ka bërë “dhuratën” më të bukur të fundvitit kampionatit, kur dukej se titulli kampion ishte punë e kryer tashmë, e kishte fituar Dinamo. Frenimi i bluve i ka dhënë shansin Besës, ndjekëses më të afërt, që të tentojë patjetër sot fitoren në Korçë, për ta zvogëluar diferencën me kreun, në 11 pikë. Po kështu, stimul moral do të jetë humbja e Dinamos edhe për Apoloninë dhe Tiranën, që mbajnë aktualisht vendin e tretë dhe të katërt, dhe që do të ndeshen po sot mes tyre në “Qemal Stafa”. Megjithatë, java e 16-të ka thyer një “mit”, apo “tabu”, sikurse mund ta quajmë. Shkumbini i Peqinit, i cili, edhe me një “dorë kavajase”, atë të trajnerit të sapoemëruar, Përparim Daiut, ka shënuar katër gola. Te fitorja, shumë e çmuar dhe që jep shpresë për vazhdimësinë e garës, është kthyer Flamurtari. Në ndeshjen e luajtur në Vlorë, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka fituar 2-0 ndaj Gramozit të trajnerit Canaj. Në njëfarë mënyre, Flamurtari është hakmarrë për eliminimin që i bëri Gramozi nga Kupa e Shqipërisë, që në 1/16 finale. Dy gola “të huaj” për vlonjatët, i pari me penallti nga Zhunior, i dyti me kokë nga Djukiç, i kanë siguruar 3 pikët e arta skuadrës kuqezi, e cila tashmë nuk është e vetme në fundin e renditjes, pasi i bën shoqëri edhe skuadra kolonjare. Ndërsa në derbin e Laçit me Kastriotin ka vendosur kapiteni vendas, Julian Brahja, që ka kthyer në gol një goditje dënimi. Gol i shënuar qysh në pjesën e parë, por që ka mbetur në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Peza, i cili ka drejtuar një sfidë të luftuar fort nga të dyja palët. Diferencën e ka bërë loja e grupit, ku bazohet Laçi, ndërkohë që individualitetet e Kastriotit, edhe pse kanë krijuar raste të volitshme, nuk kanë qenë produktivë. Tri pikë me shumë vlera për vendasit, që në shtëpi nuk lëshon pe ndaj askujt, ndërsa Kastrioti kthehet “me këmbët në tokë”, pas një fitoreje të bujshme javën e shkuar, në shtëpi, 4-1 ndaj Shkumbinit.Ndërkohë që sot do luhen edhe tri ndeshjet e tjera të kësaj jave ku spikat ajo mes skuadrave “fqinje” në renditje, Apolonisë së vendit të tretë dhe Tiranës së vendit të katërt. Të dyja këto skuadra i ndan një pikë, ndaj ballafaqimi i tyre në “Qemal Stafa” ka shumë për të sqaruar. Në Shkodër, Vllaznia do të presë Teutën e Durrësit, në përpjekjet e saj të dëshpëruara për të dalë nga tuneli ku e ka parë veten gjatë tërë këtij kampionati. Ballafaqimet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithnjë të paparashikueshme, për vetë faktin se “djemtë e detit” kanë ditur të fitojnë edhe në “Loro Borici”, jo vetëm në Durrës, ku janë triumfatorë të rregullt. Në skajin tjetër, atë juglindor, nën një terren të rënduar edhe nga dëbora pritet të luhet edhe sfida Skënderbeu-Besa.