Bylisi thyen edhe Elbasanin
Leonard KarajPartizani merr fitoren e parë jashtë fushe, Bylisi mund edhe Elbasanin, Lushnja e Kamza fitojnë në transfertë. Ballshiotët kanë triumfuar edhe ndaj verdhebluve duke konsoliduar edhe më shumë pozitat e tyre në krye të renditjes. Një ndeshje mjaft e fortë, ku vendasit e kanë gjetur shpejt golin, çka i ka çliruar psikologjikisht. Mirëpo, elbasanasit nuk janë pajtuar gjatë 90-minutave me këtë rezultat, ndaj kanë sulmuar dendur drejt portës së Bylisit, ku janë ndeshur me një mbrojtje dhe portier të pakalueshëm. Bylisi i ka kushtuar vëmendje të madhe ruajtjes së golit të shënuar, ndërkohë që ka aplikuar kundërsulmin, për ta zënë sërish në befasi Elbasanin. Humbjes së Elbasanit i është përgjigjur më së miri Lushnja, e cila ka fituar në transfertë ndaj Besëlidhjes. Falë këtij trepikëshi lagunarët kanë ndërruar vende me verdheblutë duke marrë tashmë vendin e dytë në renditje por me pikë të barabarta. Fitore në transfertë ka shënuar për herë të parë në këtë kampionat edhe skuadra e Partizanit. Nën vëzhgimin e “katriadës së kuqe”, Xhani-Laçi-Sallaku-Starova ekipi i Skerdi Bejzades ka arritur të shënojë plot 4 gola ndaj Skraparit, totalisht i pafuqishëm për këtë sezon. Ndërsa një fitore shprese ka marrë Memaliaj në Librazhd, teksa ka triumfuar 1-0 ndaj Sopotit vendas, duke ia lënë vendin e fundit në renditje Skraparit, që rrezikon më shumë se askush. Në transfertë kanë marrë pikë mjaft të vlefshme edhe Kamza, e cila ka mundur 2-1 në Cërrik Turbinën, ndërkohë që Ada ka fituar 1-0 ndaj Pogradecit në Velipojë. Një fitore me mjaft vlera ka marrë edhe Bilishti në fushën e vet në një takim ku nuk mungoi edhe dëbora, e zakontë në këtë kohë për këtë qytet. Dy gola të Tikos dhe një i Miliç lanë në vendnumëro Burrelin. Për statistikë vlen të përmendet se këtë javë nuk është shënuar asnjë barazim në 8 sfidat e Kategorisë së Parë.