Kriza në Greqi, FMN-BE: Të ulen shpenzimet

Grupi i ekspertëve BE-FMN që e mbylli ditën e enjte misionin në kryeqyteti grek, në Athinë, u shpreh se duhen masa të reja për të rimëkëmbuar ekonominë e brishtë të shtetit ballkanik. Sipas përfaqësisë së ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar Greqisë do t'i duhet që të shkurtojë shpenzimet, vetëm në këtë mënyrë shteti helen do të jetë në gjendje që të arrijë objektivat e cilësuar në planin e rimëkëmbjes.
Ndërsa ditën e ejnte u njoftua edhe vizita zyrtare në Athinë e Komisionerit evropian për politikat ekonomike dhe monetare, Olli Rehn, ekspertët e Komisionit të BE-së, të Bankës Qendrore Evropiane dhe të FMN-së kanë shprehur rezerva për parashikimet greke në lidhje me të ardhurat shtetërore për shkak të një dobësimi të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky grup mendon se është e nevojshme të gjenden 4.8 miliardë dollarë të tjerë për të arritur objektivat e planit.
Grupi i ekspertëve u largua ditën e enjte nga Athina pas një takimi me ministrat e Financës, Jorgo Papaconstantinou dhe të Ekonomisë, Louka Katseli.