E Diel, 1 Nëntor 2026

Leksioni Fox

Miqtë e tij kosovarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, e kishin bindur anglezin Alan Fox se Kosova është gati për investime. Mundësinë e re për të fituar para dhe për ta sjellë stilin bashkëkohor të të jetuarit në vendin e sapodalë nga lufta, e kishte vlerësuar si shansin më të mirë jetësor. Pas më shumë se tri vitesh punë, ai realizon dy projekte ndërtimore të banimit kolektiv me stilin e ri - alla Great Britain. Gjatë kësaj kohe bëhet dhe lobues për investime të reja në Kosovë.

Mirëpo, në intervistën për Express, Fox shpjegon se ëndrra e tij është kthyer në zhgënjim, saqë tani ka turp t`u thotë kolegëve të tij, në vendin prej nga vjen, se po investon në Kosovë. E, aq më pak, ai është në gjendje t`i rekomandojë dikujt t`ia mësyjë këtij vendi për investime.

Ndërtimet e pakontrolluara dhe pa kritere duket se e shqetësojnë atë më shumë se vetë udhëheqësit e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Territor, në të cilin ai po ndërton me kompaninë e tij, Chelsea Point. Në lagjen Mat, objektit të tij ia kanë zënë frymën një varg objektesh të tjera gjigante që thotë se janë ndërtuar pa ndonjë mbikëqyrje. Ai shprehet se drejtuesit e Komunës së Prishtinës nuk kanë as plan, e as ide për të menaxhuar këto ndërtime. Krejt çka ata dinë, thotë ai, është të kërkojnë para për ndërtimet që bëhen.

Fox mendon se arkitektura e Prishtinës është futur në një kaos, ku askush s`mund ta kthjellë.

“Secili që ka një copë tokë, po ndërton ndërtesa të larta dhe është bërë një rrëmujë e vërtetë”, thotë Fox.

Grumbuj ndërtesash, sipas tij, po ia zënë frymën qytetit dhe kjo po ndodh në mungesë të një strategjie dhe vizioni se si duhet të duket Prishtina në të ardhmen.

Përveç kësaj, Fox thotë se askush nuk shqetësohet nëse banorët e rinj të këtyre objekteve do të kenë rrugë për të hyrë në banesat e tyre, e lëre më për parkingje.

“Komuna nuk ofron asnjë shërbim për ne që i paguajmë qindra mijëra euro për lejet e ndërtimit”, pohon Fox.

Në këtë rast nuk qan vetëm hallin e tij, por thotë se shumica e ndërtuesve përballen me probleme të ngjashme.

“Me paratë që paguajmë për obligimet komunale, nuk investohen në rrugë, ujësjellës e kanalizim që të na inkurajojnë ne për investime të reja”.

Ai ka paguar 600 mijë euro për leje ndërtimi, ngjashëm sa paguajnë edhe dhjetëra investitorë të tjerë për çdo vit. Po aq paguajnë edhe shumë investitorë të shumtë në kryeqytet. E, ndryshime në kryeqytet s`ka.

Por, as tri vjet pasi ka filluar punën këtu, ai nuk sheh ndonjë ndryshim në infrastrukturën e vendit, përveç kafeterive të shumta që janë hapur.

Papërgjegjësia dhe burokracia institucionale e kanë zhgënjyer në atë mas saqë nuk shpreson të trokasë në dyer të tyre për të kërkuar zgjidhje.

Më së shumti Fox është dëshpëruar kur i është dashur të presë me muaj për një leje ndërtimi, të cilën pasi e kishin bërë gati Departamenti i Urbanizmit në Komunë, e kishin ngatërruar diku në sirtarë.

“Kemi pritur me muaj për ta marrë lejen, sepse e patën humbur diku në zyrë, për shkak të papërgjegjësisë”, tregon me ironi ai.

Por, më në fund investitori që i ka rënë pishman ardhjes në Kosovë, e ka kuptuar mënyrën e të bërit biznes këtu.

Për çdo shërbim shtesë, deri më tash i është dashur të paguajë para. Ngjashëm thotë se duhet të paguajë për t`i kryer punët institucionale më shpejt.

Megjithëse asnjëherë deri më tani nuk i ka kërkuar askush mito për shërbime, Fox mendon se sikur ta kishte bërë këtë, biznesi do t’i ecte më mirë. Por, i mësuar të punojë ndryshe, pohon se ka mbetur anash.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›