Kriza në Greqi dhe Itali, ekspertët: Sistemi bankar në Shqipëri është i shëndetshëm

Si është situata e bankave në Shqipëri? A ka ndikuar kriza e vendeve fqinje, si ajo greke dhe italiane, në sistemin bankar shqiptar?
Çfarë do të ndodhë me Eurozonën pas marrëveshjeve të Brukselit? Këtyre pyetjeve u përgjigjet, në mënyrë të detajuar, eksperti i financave, Elvin Muka.
Për më shumë se një vit Greqia po vuan nga një krizë e rëndë financiare duke rrezikuar edhe qëndrimin e saj brenda komunitetit të Eurozonës. Janë dashur shumë ndërhyrje nga ana e trojkës ndërkombëtare (FMN, BE dhe BQE) për t’i dhënë mbështetje vendit që dukej se do të infektonte edhe ekonomi të tjera periferike të Euros. Përpjekjet kanë qene dhe janë të vazhdueshme nga vendet me ekonominë më të madhe në Europë si Gjermania dhe Franca. Samiti emergjent i 26 tetorit në Bruksel mes liderëve europianë arriti në një marrëveshje të trefishtë, për të marrë masa ndaj krizës, kryesisht asaj greke dhe italiane. Marrëveshjet e arritura ishin një arritje në nivelin financiar dhe forcimi i Fondit Europian të Shpëtimit u konsiderua si një hap revolucionar për të ardhmen e Europës.
Por lind pyetja se a kanë ndikim ekonomitë dhe financat e këtyre vendeve me ekonominë dhe sistemin tonë bankar?
Ekspertët të shumtë bankarë, por edhe vet BSH dhe Financat shqiptare në deklarata të ndryshme sqarojnë se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme dhe sistemi bankar është i fortë. Elvin Meka, specialist në fushën e financave vlerëson se përsa i përket kapitalit dhe likuiditetit të bankave operuse në Shqipëri, niveli është mjaft i kënaqshëm dhe nuk ka vend për asnjë lloj alarmimi. Ai sqaron se të gjitha bankat që funksionojnë në vendin tonë gëzojnë një shëndet shumë herë më të mirë se vendet e rajonit dhe kjo falë mbikëqyrjes së fortë të këtij sistemi nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe normave konservatore të aplikuara prej saj.
Në raportin e fundit mbi ekonominë shqiptare, FMN vlerësonte aftësinë e Shqipërisë për përballimin e krizën globale falë politikave të shëndosha financiare të miratuara gjatë viteve para krizës, të cilat ofruan hapësira për të zbutur efektet e saj. Por në të njëjtën kohë fliste për një vëmendje më të madhe ndaj sfidave të reja, sidomos nga rreziku që mund të vinte nga vendet fqinje si Greqia dhe Italia. Eksperti Meka, shpjegon se FMN për vet ndjeshmërinë që ka ndaj situatës europiane, këshillon për kujdes ndaj ekonomisë reale, që do të thotë për shkëmbimet tregtare ndaj këtyre dy vendeve, duke qenë edhe partneret kryesore të vendit në eksport-importet. Ndërsa sqaron se ajo çka ndodh me fatin e bankave greke dhe italiane nuk ka asnjë lidhje me institutet tona financiare, si ato shqiptare dhe ato të huaja që operojnë në Shqipëri.
Eksperti Meka shton gjithashtu se kanë qenë bankat mëma ato që janë kujdesur gjithmonë për shëndetin e degëve të tyre që operojnë në Shqipëri, dhe asnjëherë e kundërta.
Nuk ka asnjë arsye ka thënë ai, që të bëjmë lidhjen me atë çka ndodh në Greqi dhe Itali, edhe për arsyen tjetër se bankat në Shqipëri nuk janë aspak të ekspozuara në vendet me krizë pasi nuk investojnë në letra me vlerë.
Lidhur me zhvillimet më të fundit në Eurozonë, Meka shprehet se marrëveshjet e Brukselit synojnë një stabilitet në një periudhë afat gjatë të sistemit financiar, duke garantuar kështu sigurinë e tregjeve evropiane dhe ndërkombëtare.
Së fundmi vendimi i BE për Forcimin e Fondit të Shpëtimit, ka marrë vlerësimin maksimal nga agjencia Standard & Poor’s e cila ka konfirmuar aftësinë kredituese të Fondit me 3A. Agjencia amerikane e ka konsideruar Mekanizmin Europian të Stabilitetit Financiar, si “Gurthemeli” i strategjisë europiane, në gjendje për të risjellë besimin në tregun e borxhit sovran dhe mbi sistemin financiar të Europës. Mekanizmi Europian i Stabilitetit Financiar do të furnizojë “forma mbështetjeje kreditimi, plotësisht të garantuara, drejt shteteve që duhet të ndërmarrin masa të përcaktuara”, jo domosdoshmërisht pjesë të paketave të miratuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.