Referendumi për portin e peshkimit, peshkatarët kundërshtojnë
Bashkia e qytetit bregdetar ka organizuar një diskutim për marrjen e një mendimi shkencor nga intelektualët
DURRËS - Pas deklaratës për një referendum qytetar lidhur me vendin e ndërtimit të portit të peshkimit në qytetin e Durrësit, bashkia ka vendosur edhe organizimin e një diskutimi për marrjen e një mendimi shkencor nga intelektualët.
Por rreth 60 peshkatarë të qytetit të Durrësit kanë hyrë me forcë në vendin ku do të organizohej takimi, teksa kanë zënë vendin e personave të ftuar. Ata janë shprehur të revoltuar për shkak se nuk ishin thirrur nga organizatorët për të dhënë mendimin e tyre, duke qenë se janë persona që preken direkt nga ky vendim.
Lidhur me këtë fakt është kërkuar ndërhyrja e policisë dhe vetëm mbërritja e drejtorit të policisë, Aleks Hajdari, ka qetësuar gjakrat, duke bërë që një pjesë e mirë e protestuesve të dalin jashtë, ndërkohë që në sallë ka mbetur vetëm një përfaqësi e tyre. Këta të fundit kanë debatuar gjatë me kryebashkiakun e Durrësit.
Por Vangjush Dako u shpreh se ai tashmë e ka thënë fjalën e vet dhe se ai mbështet një referendum qytetar për çështjen e portit të peshkimit. Nga ana tjetër, të pranishmit në sallë kanë diskutuar përgjithësisht bazuar në bindjet e tyre politike. Pas deklaratës në shtyp të dhënë dje si reagim, këshilltari i ministrit të Mjedisit, Aleksandër Garruli, dje ka mbërritur në Durrës ku është shprehur se pretendimet e bashkisë nuk qëndrojnë.
Ai tha se porti i peshkimit ishte një vend përpunimi. Sipas tij, në ditët më të mira, vetëm 10 tonë peshk zihej nga peshkarexhat dhe rreth 20 kamionçinat që mund të përdoreshin për ta larguar prodhimin, do të lëviznin në orët e para të mëngjesit. Garruli e ka cilësuar kundërshtimin e Dakos, si një lëvizje politike të opozitës, e cila kërkon të bllokojë qeverinë në investimet e saj.
Kërkesa për ndërtimin e portit të peshkimit në kalatën perëndimore është mbështetur dhe nga deputeti Osman Metalla, i cili qortoi edhe formën e organizimit të mbledhjes, pasi, sipas tij, nuk ishin ftuar në të personat e interesuar. Nga ana tjetër, ish-zv.kryeministri Bashkim Kopliku, mbështeti tezën e dhënies së fjalës nga vetë qytetarët, duke e konsideruar debatin si një patate të nxehtë të politikës.
Ndërsa deputeti Blendi Klosi tha se është e rëndësishme të gjendet zgjidhja e duhur, teksa u shpreh se debatet janë momente emancipuese në jetën e një qyteti. Takimi vijoi me debate të ashpra nga të dyja krahët, debat që vijoi edhe pas përfundimit të tij. Çështja e portit të peshkimit tashmë është kthyer në një pikë konflikti mes Bashkisë së Durrësit dhe Ministrisë së Mjedisit. E para kërkon që ai të ndërtohet jashtë qytetit, ndërsa e dyta kërkon që porti të ndërtohet pranë shëtitores së qytetit.