Pakti me Greqinë, Meta: Do të respektojmë Kushtetuesen
Krejt ndryshe nga ç’po vepron opozita, e cila nuk njeh vendimet e gjykatave të pavarura në vend, qeveria “Berisha” do të njohë dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për projektmarrëveshjen e përcaktimit të kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo njohje do të bëhet pavarësisht se qeverisë nuk i janë bërë të ditura arsyet e rrëzimit të paktit nga Kushtetuesja. Këtë qëndrim shprehu dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, në reagimin ndaj vendimit të Kushtetueses, e cila rrëzoi paktin me Greqinë për ujërat territoriale. Në këtë rast qeverisja e mazhorancës së djathtë do t’i bindet pavarësisë së gjykatave në vend. Ministri i Jashtëm Ilir Meta reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon rishikimin e marrëveshjes së caktimit të kufijve detarë mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke u shprehur se qeveria respekton vendimin, pavarësisht nëse është dakord apo jo. “Në cilindo rast, sikurse jam shprehur dhe përpara se kjo çështje të ankimohej në Gjykatën Kushtetuese, qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo është një domosdoshmëri që vjen nga respekti i qeverisë për pavarësinë e gjykatave dhe të institucioneve të pavarura, pavarësisht nga pretendimet apo nga rezervat që mund te kemi”, - theksoi z. Meta. Kryediplomati shqiptar siguroi se ky vendim nuk cenon marrëdhëniet me Greqinë, ndërsa nuk e kurseu ironinë për mënyrën se si gjykata e kishte trajtuar këtë çështje gjatë shqyrtimit. “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie të cilat do të ecin përpara, ashtu sikurse jemi të bindur se zgjidhja e të gjitha çështjeve, të cilat janë të mbartura nga e kaluara, sikurse është dhe çështja e këtyre kufijve, absolutisht që është një gjë e domosdoshme, aq më tepër për një vend që synon të integrohet në Bashkimin Evropian. Mua nuk më shkon të them as që më vjen mirë dhe as që më vjen keq”, - u shpreh z. Meta. Ai shtoi më tej: “Mua më takon të them se do të respektojmë vendimin e gjykatës, pavarësisht nëse na vjen mirë apo jo, të bindur apo jo, do të shikojmë dhe argumentimin, por ju e dini që atje janë bërë pyetje të cilat i takojnë dhe Parlamentit, sikurse ishte pyetja që u drejtohej përfaqësuesve të qeverisë: “Nga niseni ju kur thoni se përse janë të mira marrëdhëniet me Greqinë”. Marrëveshja e caktimit kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë të nënshkruar në mars të vitit të kaluar gjatë vizitës së kryeministrit grek Kostas Karamanlis në Tiranë. Në vendimin e saj për negocimin e kësaj marrëveshjeje Gjykata Kushtetuese justifikohet se në projektmarrëveshje konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982. Duke theksuar se ende nuk ka marrë një njoftim zyrtar për këtë vendim të Kushtetueses e rrjedhimisht nuk mund të japë asnjë qëndrim zyrtar përfundimtar. Ministri i Jashtëm Ilir Meta vuri në dukje se në këtë zhvillim nuk cenohen marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor, Greqinë. "Ne do të lexojmë argumentet që ka dhënë gjykata për marrjen e vendimit dhe më pas do të bëjmë publik me transparencë edhe sqarimin tonë dhe rrugën që do të ndiqet më pas", - theksoi z. Meta.
Reagimi i ministrit të Jashtëm vjen pas vendimit që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e saj të datës 26.1.2010, në bazë të nenit 131/ b të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projektmarrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.