Kriza, Ngjela: Nuk ka zgjidhje. Vetëm protesta
Kryetari i PLiDr, Spartak Ngjela u shpreh dje në një intervistë për gazetën "Shekulli" se nuk mund të ketë zgjidhje të mesme për dy qëndrime të kundërta
TIRANË- Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela, thekson se kriza politike do të zgjidhet vetëm nga faktori ndërkombëtar përderisa aktorët politikë shqiptarë nuk kanë gjetur ende gjuhën e kompromisit midis tyre.
Ai shprehet se delegacioni i Këshillit të Evropës që ka mbërritur në Shqipëri, ka ardhur me qëllimin për të zgjidhur ngërçin politik, që vazhdon të mbizotërojë në vend që pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli", avokat Ngjela vë në dukje se, nëse liderët politikë Rama e Berisha nuk zgjidhin situatën politike, KiE-ja ka të drejtë sipas Kushtetutës shqiptare t'i kërkojë Presidentit Bamir Topi, që të shpërndajë Parlamentin dhe të caktojë datën për zgjedhjet e parakohshme.
Z. Ngjela, duke iu referuar bisedimeve midis palëve dhe zhvillimeve politike deri më tani, si mendoni, sa ekziston mundësia e zgjidhjes së krizës politike nga aktorët politikë shqiptarë, pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, kur dje ka mbërritur në Shqipëri edhe delegacioni i Këshillit të Evropës?
Bisedimet midis liderit të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit shqiptar ka qenë një ngjarje, e cila nuk është arritur nëpërmjet një modeli të brendshëm politik, sepse ne si shoqëri politike nuk e kemi ende kulturën demokratike të bisedës apo të dialogut politik në qëndrime të kundërta.
Edhe këtë radhë, ishte ndërhyrja e rreptë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që e bëri të mundur. Dhe bisedimet vijojnë. Por siç dihet, palët janë në qëndrime ekstreme dhe, pa dyshim që, në një pozicion të tillë, është e pamundur të mendohet se mund të arrihet një kompromis.
Në fund të fundit, duhet të jemi edhe pak realistë dhe të mundohemi ta sqarojmë këtë çështje me anë të disa pyetjeve, e para: ku ka konsistuar konflikti midis palëve? Konflikti midis palëve është në pikën më esenciale të politikës; te zgjedhjet politike në vend.
Opozita e ka akuzuar qeverinë se ka manipuluar zgjedhjet e 28 qershorit dhe për këtë i kërkon hetimin e detajuar dhe transparencë për rezultatin, domethënë numërimin e votave.
Kurse qeveria, me sy të errësuar nuk e pranon këtë duke mohuar një të drejtë, me një egërsi diktatoriale. Në fund të fundit, diktaturat dhe tiranitë, e nisin veprën e tyre me manipulimin e zgjedhjeve politike, dhe këtë gjë bëjnë derisa rrëzohen.
Atëherë, është e pamundur që të pritet një lëshim nga qeveria aktuale dhe Sali Berisha, sepse ata janë të ndërgjegjshëm që kanë manipuluar zgjedhjet, dhe kështu do të vijojnë derisa të rrëzohen nga populli me protesta.
Pas bojkotit që opozita i bëri Parlamentit dhe sidomos pas protestës së madhe të 20 nëntorit, gjithçka ka marrë një theks serioz nga ndërkombëtarët. Por ata po gjejnë dita ditës një Kryeministër që është sa tiran në një krah aq qesharak në krahun tjetër.
Me një mendje krejtësisht rustikale, dhe me një mungesë logjike që mund të shkojë deri te fëmija, përsërit broçkulla për gjykatat e vendimet e gjykatave, dhe nuk pranon asnjë argument logjik për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Madje shkon deri aty sa kërcënon ndërkombëtarët me lloj-lloj mënyrash, dhe me ndoca kukullash që belbëzojnë dhe nuk thonë asgjë.
Po, pas kësaj, për këdo është e qartë, që ai ka manipuluar zgjedhjet, madje në një mënyrë drastike. Për këtë arsye, u gjet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që ndërhyri, dhe, më një Rezolutë, e detyroi Kryeministrin Berisha të ulet në tryezën e bisedimeve të drejtuar nga Presidenti i Republikës.
Si i gjykoni bisedimet midis liderëve politikë dhe sa rezultative do të jenë ato për zgjidhjen e ngërçit politik?
Nga të gjitha ato që thamë, kuptohet se lideri socialist është më i fortë. Ai e uli "vjedhësin" në bisedime, madje në një tryezë të padëshiruar prej tij, sepse, më injorancën e vet rustikale, Kryeministri nuk kishte pranuar as Presidentin e Republikës.
Pra, tani ndodhet në një tryezë të pakëndshme, i rënë, dhe pa asnjë shpresë se mund të zgjidhet kriza që ka kërkuar Këshilli i Evropës më rezolutën e Asamblesë së tij Parlamentare sepse Presidenti nuk mund të jetë palë, dhe, askush në institucionet ndërkombëtare perëndimore nuk mund ta kuptojë një logjikë që bie ndesh më demokracinë, votën e lirë dhe të drejtat në përgjithësi.
Si mendoni, sa do të ndikojë vizita e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për zgjidhjen e krizës politike?
Delegacioni i Këshillit të Evropës ka ardhur të zgjidhë krizën, pa asnjë dyshim për këtë. Ai vetë e ka theksuar që Shqipëria është në një krizë politike që kërkon zgjidhje dhe ka ngarkuar Presidentin Topi në këtë ndërmarrje.
Po, nëse tryeza nuk gjen zgjidhje, duhet të kujtohemi, se ky delegacion ka të drejtë të zgjidhë krizën më solucionin e tij, sepse vendimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në bazë të nenit 122/3 të Kushtetutës shqiptare, janë të detyrueshme në veprimtarinë juridike të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Domethënë, nëse Asambleja në fjalë i kërkon Presidentit të Republikës që të shpërndajë Parlamentin dhe të caktojë datën për zgjedhjet e reja, Presidenti Topi është i detyruar të veprojë në këtë mënyrë për zgjidhjen e krizës. Nuk ka krizë që mund të lihet në dorë të pasionit të palëve. Nëse palët janë në qëndrime ekstreme dhe, për pasojë, kriza vijon, ajo nuk bie më shumë mbi palët, sesa mbi shoqërinë.
Dhe ne e dimë nga historia e gjatë e demokracisë se, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja më e mirë për çdo krizë politike që mund të sjellë me vete një përplasje të nxehtë shoqërore.
Si opozita dhe mazhoranca nuk po ndryshojnë nga qëndrimet e tyre fillestare, pavarësisht bisedimeve të deritanishme.
A mund të ndërhyjë Presidentit Topi për të ofruar një zgjidhje nga ana e tij?
Po, kjo është. Por zgjidhja që do të mund të japë Presidenti Topi, nuk është një linjë kompromisi i parashikuar nga ai, ose mbështetja e qëndrimit të njërës palë. Nuk është kjo.
Presidenti nuk mund të bëhet palë. Ai nuk mund të anojë nga asnjëra prej palëve, domethënë ai nuk mund të përkrahë me iniciativën e vet asnjë nga qëndrimet e palëve. Por, sikurse e theksova edhe më lart, nëse institucionet ndërkombëtare ku ne bëjmë pjesë, dhe për këtë rast Këshilli i Evropës, e parashikon dhe e kërkon që kriza duhet të zgjidhet me zgjedhje të parakohshme, atëherë Presidenti i Republikës, duhet të kthejë menjëherë tryezën e bisedimeve, nga një tryezë që kërkonte të gjente kompromisin e palëve, në një tryezë që është e detyruar të nxjerrë një datë ku do të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Ja kjo është e gjitha, sepse, siç e theksova, është neni 122 pika tre i Kushtetutës që e ka parashikuar këtë gjë.
A mund të ketë një zgjidhje që të kënaqë të dyja palët dhe sipas jush cila mund të jetë kjo zgjidhje?
Kompromiset si rregull janë vija të mesme midis dy apo më shumë qëndrimeve. Me këtë kuptohet që, nga një kompromis apo një marrëveshje, palët duhet të fitojnë të dyja njëlloj. Kjo është logjika e çdo kompromisi.
Por në rastin tonë, as që mund të flitet për këtë, sepse jemi përpara bisedimeve që po bën "vjedhësi" i votave me të "vjedhurin" e këtyre votave. Pra, a mund të pranojë "vjedhësi" se ai ka vjedhur? Është pamundësi logjike. Po ashtu, a mund të pranojë i "vjedhuri" që ta falë gjënë që i kanë vjedhur? Edhe kjo është e pamundur, se ai do të ishte bashkuar me "vjedhësin". Kështu që, nuk mund të gjesh një të mesme të këtij konflikti.
Madje, edhe që janë ulur në një tryezë bisedimesh, unë ua thashë, është kërkesa e një institucioni superior, se kurrë nuk do të ishte ulur Sali Berisha në një tryezë, për të biseduar për procesin e zgjedhjeve, pasi ishte akuzuar se ka qenë manipulatori i këtyre zgjedhjeve. Kështu pra, i vetmi kompromis, që mund ta shpëtojë disi "vjedhësin", është caktimi i një date kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme politike.
A keni marrë sinjale direkte nga ndërkombëtarët për hapjen e kutive të votimit si një mënyrë për zgjidhjen e situatës politike?
Për këtë gjë nuk di çfarë të them. Ndërkombëtarët kanë kërkuar hetim të thellë, që në fakt do të thotë hapja e kutive të fletëve të votimit dhe rinumërimi i votave.
Por, Kryeministri Berisha bën sikur nuk dëgjon e nxjerr lloj-lloj bisedash, që i bën vetë apo me anë të të tjerëve, që hetimin e konsideron pa kutitë e hapura; dhe i bën të gjithë që të qeshin se u thotë: "aman, vetëm këtë jo, se më del vjedhja". Dhe në fakt të gjithë qeshin, por Saliu është në hall.
Në një hall të madh madje, dhe prandaj nuk kupton, vetëm se flet e flet pareshtur, pa frazë, pa logjikë, jo në një gjuhë shqipe të standardit, por gjithsesi flet e flet, dhe vijimisht me hallin brenda. Që patjetër se është një hall i madh dhe jo një hall dosido.
Ju keni deklaruar se nëse mazhoranca nuk pranon hapjen e kutive të votimit, opozita do të rifillojë protestat. Çfarë zgjidhje politike do të ofrojnë protestat, apo do të synoni për zgjedhje të parakohshme?
Po, kjo është arsyeja e gjërave në çdo shoqëri demokratike. Nëse palët nuk do të gjejnë një kompromis, si ato që unë shpreha më lart, atëherë, patjetër që do të ketë protesta. Protesta në demokraci është e vetmja që ushtrohet rregullisht kur të është shkelur një e drejtë.
Opozitës i është shkelur e drejta e vet kushtetuese, për të hetuar zgjedhjet me një komision hetimi parlamentar, dhe këtë do ta kërkojë nëpërmjet protestave që duhet të bëjë populli opozitar.
Por, a mund të zgjidhet kriza politike nëpërmjet protestave apo mund ta përkeqësojë më tej situatën politike?
Unë mendoj se të gjitha të drejtat e mohuara, në të gjithë botën demokratike janë arritur me anë të protestave, kudo, madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, asnjë frikë nuk duhet të ketë demokracia nga protestat përkundrazi, tirania i ka ato frikë. Dhe sigurisht që është normale t'i ketë frikë.
Siç dihet, palët janë në qëndrime ekstreme dhe, pa dyshim që, në një pozicion të tillë, është e pamundur të mendohet se mund të arrihet një kompromis. Në fund të fundit, duhet të jemi edhe pak realistë dhe të mundohemi ta sqarojmë këtë çështje me anë të disa pyetjeve, e para: ku ka konsistuar konflikti midis palëve? Konflikti midis palëve është në pikën më esenciale të politikës; te zgjedhjet politike në vend
Për këdo është e qartë, që Berisha ka manipuluar zgjedhjet, madje në një mënyrë drastike. Për këtë arsye, u gjet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që ndërhyri, dhe, më një Rezolutë, e detyroi Kryeministrin Berisha të ulet në tryezën e bisedimeve të drejtuar nga Presidenti i Republikës.
Neni 122/3 i Kushtetutës
3. Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për pjesëmarrjen në atë organizatë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë i normave të nxjerra prej asaj.