E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gisele Bundchen, ylli që do u mungojë pasarelave

Gruaja më e bukur dhe modelja më e paguar në botë, ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga bota e modës. Mbretëresha e fundit e top-modeleve, bukuroshja braziliane që ishim mësuar ta shihnim në më shumë se 7 mijë kopertina revistash, tregon për planet dhe se si ardhja e një fëmije i ndryshoi krejtësisht jetën

Lamtumirë pasarela! Gisele Bundchen ka vendosur të tërhiqet. Mbretëresha e fundit e top-modeleve, bukuroshja braziliane që ishim mësuar ta shihnim mbi pasarelat më prestigjioze të botës, gruaja që ka pushtuar më shumë se 7 mijë kopertina revistash (vetëm Lady Diana ia kalon), vendosi të dalë nga skena. “Për sa u përket pasarelave, tashmë jam në pension”, deklaroi pak ditë më parë në një ngjarje publicitare në San Paolo, ku ishte ftuar si imazhi i një marke që prodhonte produkte për flokët. Në krah të saj ndodhej vogëlushi Benjamin, i lindur në dhjetorin e kaluar nga martesa e saj me Tom Brady, yllin e futbollit amerikan. Që Gisele donte t’i dedikohej familjes, kjo dihej prej kohësh. Ishin gjithmonë e më të pakta shfaqjet e saj nëpër pasarela. Ajo është një tip i qetë, që ashtu si shumë vajza të tjera të moshës së saj, kishte një ëndërr: “Të kishte një familje të qetë”. Por, mbi të gjitha ajo vlerëson lirinë: “Pasuria e vërtetë është liria ime. Mundësia të them dhe të bëj atë që dua në çdo çast të jetës. është një privilegj që kam arritur këtu ku jam, sepse e di shumë mirë gjendjen e vështirë ku jetojnë shumë gra në këtë botë, në Lindjen e Mesme, për shembull, por edhe në kultura të afërta me tonën. Ka vende ku një grua duhet të qëndrojë në heshtje dhe është e detyruar të mos bëjë gjë. Unë mund të çmendesha”. Që do të ishte një nënë e mirë, dukej që nga përkujdesjet që tregonte për djalin e Brady-t nga martesa e tij e parë me aktoren Bridget Moynan. Por shumë nuk arrijnë ende ta besojnë se kush ka qenë motivi kryesor i këtij largimi. Tridhjetë vjet nuk janë pak në zanatin e saj, por as shumë. Sigurisht, të tërhiqesh kur karriera është në kulmin e saj, është një mënyrë e mirë për t’u kujtuar. Gisele punon në fushën e modës që prej vitit 1994. Ai që e zbuloi në një “McDonald” në San Paolo ka qenë menaxheri i agjencisë “Elite”. Me një karrierë që u ngjit sa hap e mbyll sytë në vitin 1999, ajo u nominua “Modelja e vitit” dhe kjo e lejoi të hynte në portën kryesore të grupit të supermodeleve me famë botërore. E gjithë kjo sakrificë, sipas revistës “Forbes”, e ka bërë atë të fitojë më shumë se 33 milionë dollarë në vit, falë edhe shumë kontratave publicitare me firmat më të mëdha si: “Versace”, “Vuitton” “Cavalli” apo “Valentino”. Ja më kot është modelja më e pasur në botë. Një tjetër arsye domethënëse për t’u tërhequr dhe shijuar jetën. Por, pavarësisht këtyre, Gisele mbetet sërish Gisele, vajzë e një familjeje të thjeshtë, që kishte ëndërr të bëhej volejbolliste. Vogëlushja braziliane kaloi çdo kufi të mundshëm, fitoi çdo sfidë, në çdo fushë. "Shpesh duhet t‘i lësh gjërat që të rrjedhin ashtu siç të vijnë. Fati yt varet nga aftësitë e tua për të kapur të rejat dhe gjërat që mund të të ndryshojnë jetën". Mund të ketë ndryshuar veshjen, gjendjen civile, llogarinë e saj bankare, por ka ngelur shumë e thjeshtë, ka ngelur njëlloj si atëherë, kur jetonte në Horizontina, në Brazil. "Ka dy Gisele, ajo që shihni në kopertinë dhe ajo që është në jetën reale. Të dyja të ndryshme nga njëra-tjetra. Po të më pyesni se cilën preferoj, pa hezitim do të thosha këtë të dytën", tregon modelja. Dihet që bota e modës nuk shquhet për vlerat, parimet dhe miqtë të cilëve mund t‘u besosh. “Nuk e kam konsideruar kurrë veten si një person të dhënë pas botës së modës dhe kjo gjë bën diferencën. Mund të them se nuk jam zënë me askënd dhe mund të them se nuk kam inat ndonjërin. Kjo mund të jetë një arsye që të tjerët të mos flasin keq për mua. Nga bota e modës jam shumë e kënaqur, por kam edhe interesa të tjera, që shkojnë përtej saj. Nuk jam tipi që nga larg mund të njoh se kujt stilisti i përket një fustan apo një palë këpucë. Nëpër tabloide nuk lexoj shpesh thashetheme për veten. Ato që kanë qenë shkruar, kanë qenë plotësisht të vërteta. Kjo mund të ndodhë sepse zakonisht mbrëmjeve nuk e gjej veten nëpër pab-e apo diskoteka, por brenda shtëpisë sime të dashur. Kam pasur vetëm të dashur me të cilët kam ndenjur për shumë kohë dhe asnjëherë flirte një apo dymujore. Kur takoj një mashkull dhe dashurohem me të, e kam si parim që dua të kaloj sa më shumë kohë pranë tij. Jam vërtet paksa ‘e vjetër’ në këtë drejtim. Në Brazil, me familjen time, gjëja më transgresive janë ndeshjet e volejbollit me motrat. Jemi gjashtë, tamam një skuadër perfekte. Janë ato që më mbajnë me këmbë në tokë. Sepse unë vërtet mund të jem një top-modele, por njëra prej tyre është prokurore, tjetra avokate. Jemi të gjitha krenare për njëra-tjetrën, por shpesh janë ato që më frymëzojnë mua dhe jo e kundërta”, tregon ajo. Por largimi nga pasarelat mund t’ia ketë krijuar një ide të qartë rreth asaj që dëshiron të bëjë në të ardhmen. “Nuk di si ta përcaktoj të ardhmen time, por mund t‘u them se asnjëherë nuk e kam marrë shumë seriozisht punën time. Gjithmonë e kam menduar se ka edhe gjëra të tjera me të cilat duhet të merrem në këtë botë. Di që duhet të veproj, madje shpejt, për shumë çështje. Jam drejtuese e fondacionit ‘YIkatu Xingu’, për të mbrojtur vlerat e vendit tim. Jam e përfshirë edhe në projekte të tjera për mbrojtjen e pyjeve të Amazonës, sepse është Brazili im dhe për këtë duhet të bëj diçka. Pastaj është edhe shqetësimi i ngrohjes globale, dhe për këtë duhet bërë diçka gjithashtu. Jemi të papërgjegjshëm. E kemi shfrytëzuar kaq shumë këtë tokë dhe nuk jemi shqetësuar kurrë se ç‘mund të ndodhë më vonë me brezat që do të jenë pas nesh. Personalisht dua që fëmijët e mi të rriten në një mjedis të pastër, të respektueshëm dhe me burime natyrore për t‘u shfrytëzuar nga të gjithë. Jemi me vonesë dhe për këtë nuk ka dyshim. Po shkatërrojmë gjithçka, por e ndiej se gjërat mund të ndryshojnë. Në Amerikë kemi jetuar një ndryshim shumë të fortë, është rikthyer shpresa, dëshira për të bërë gjëra të mira. Ndoshta jemi në rrugën e drejtë. Një botë më e kujdesshme, më shpirtërore, është ajo që do doja të shihja”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›