Nuk do të ketë më Master të Nivelit të Dytë

Në draftin e ri që Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është duke përgatitur, parashikohet që të mos ekzistojë më Masteri i Nivelit të Dytë. Po kështu, masterat e nivelit të parë nuk do të mbajnë më këtë emër. Sistemi i studimeve do të ndryshojë, duke u njëjtësuar me atë të Kartës së Bolonjës, që aplikohet nga vendet e Europës Perëndimore. Ky draft u është dërguar për shqyrtim të gjitha katedrave në universitetet publike në vend. Profesorati ka qenë i lirë për të dhënë vërejtjet dhe sugjerimet mbi këtë punë të Ministrisë së Arsimit. Ndaj dhe propozimet kanë qenë nga më të ndryshmet.
Ndërkohë që ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë, që janë miratuar në Kuvend vetëm në vitin 2007, duket se nuk paskan fund. Ky ligj u debatua fort përpara miratimit të tij dhe kaloi në Parlament vetëm pas disa ndryshimeve, në mënyrë të veçantë heqjes së dy neneve që cenonin direkt kompetencat e rektorëve, si dhe mëvetësinë financiare të universiteteve. Megjithatë, kërkesat për ndryshimin e këtij ligji nuk kanë përfunduar ende. Ai ka pësuar edhe ndryshime të tjera, që edhe këtë herë duket se do të pasohen me tjetërsimin e nivelit të studimeve. Sikundër pohojnë edhe vetë drejtuesit e disa fakulteteve, një ndër pikat e nxehta në këtë debat ka qenë ndryshimi i piramidës së studimit dhe emërtimi i diplomave. Kjo në funksion të njëjtësimit të tyre edhe me vendet e tjera europiane që aplikojnë sistemin e Bolonjës. Edlira Haxhiymeri, e pyetur lidhur me këtë çështje, e konsideron si domosdoshmëri heqjen e Masterit të Nivelit të Dytë. Ajo shpjegon se është e paarsyeshme që atyre që kanë kryer studime master në universitetet europiane t’u kërkosh që të kryejnë në Shqipëri edhe një Master të Nivelit të Dytë përpara se të aplikojnë për doktoratën. Ndërkohë që Haxhiymeri e cilëson këtë ndryshim si ecje drejt sistemit të Bolonjës dhe unifikimit të plotë me të. Ajo shpjegon edhe emërtimet e reja të masterave, që e çojnë çdo individ të interesuar më pas drejt doktoratës. Madje edhe kjo e fundit ka pësuar një ndryshim. Për ata që vijnë nga sistemi katërvjeçar i shkollës së lartë, përveç pjesës së kërkimit shkencor dhe punës së pavarur, do të ketë edhe ndjekje të detyrueshme të leksioneve. Duke e konsideruar si një shpikje shqiptare këtë Master të Nivelit të Dytë, Haxhiymeri sqaron se ky ndryshim është një përpjekje serioze e arsimit në vend.
Nga ana tjetër, një opinion ndryshe shpreh dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në UT, Shezai Rrokaj. Sipas tij, Masteri i Nivelit të Dytë nuk duhet të hiqet, por të jetë në funksion të atyre individëve që kanë përfunduar studimet me sistemin e vjetër, atë katërvjeçar. Sipas Rrokajt, ka prej tyre që nuk kanë interes për të frekuentuar studimet e doktoratës, po kanë dëshirë që të thellojnë dijet e tyre me të rejat e shkencës. Për këtë kategori, pohon Rrokaj, duhet të krijohet kjo hapësirë dhe të mos mbyllet. Ai vlerëson faktin që ky draft po diskutohet në rrethet akademike në fakultete e katedra, pasi janë ata të cilët do të implementojnë ndryshimet e reja. Ndërkohë që Rrokaj thekson se këto ndryshime të herëpashershme të ligjit për arsimin e lartë ishin paralajmëruar gjatë polemikave të shumta gjatë kohës së miratimit të tij.
#