E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza politike dhe liberalizimi në axhendën e diskutimeve

14/06/2010 Mblidhen sot në Luksemburg ministrat e Jashtëm të BE-së

Ndër temat kryesore bashkëveprimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot në Luksemburg për Ballkanin Perëndimor, ku një vend të veçantë do të zërë dhe kriza politika në Shqipëri. Në axhendën e publikuar në faqen zyrtare të internetit, thuhet se shefat e diplomacisë së bllokut do të diskutojnë për zhvillimet më të fundit në Ballkanin Perëndimor, mes të cilave edhe për situatën politike në Shqipëri.

Një ndër temat kryesore të takimit është bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe Gjykatës Ndërkombëtare të krimeve për ish-Jugosllavinë, në kuadër të së cilës ministrat do të dëgjojnë vlerësimet e Kryeprokurorit Serzh Bramertz. Duke mbetur te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ministrat e Jashtëm të bllokut do të diskutojnë edhe për nisjen e procesit të ratifikimit mbi marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit me Serbinë. Takimi vjen në një moment kur ministrat e Brendshëm të BE-së kanë dhënë dritën jeshile për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, dhe kur pritet që të merret një vendim nga PE në lidhje me këtë çështje. Nga ana e saj, Franca ka shfaqur rezerva në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave me këto dy vende, por sipas medieve të huaja, kjo s’ka të bëjë me plotësim kushtesh nga ana e tyre, por me vetë politikën e Francës, e cila është kundër zgjerimit të BE-së me vende të tjera anëtare. Ditën e sotme për këtë çështje pritet një këmbëngulje nga ana e Presidencës spanjolle, e cila është shprehur hapur në favor të liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithsesi, kriza e stërzgjatur politike shqiptare për zgjedhjet e 28 qershorit ka dhënë një efekt edhe tek europarlamentarët, të cilët po mundohen ta shfrytëzojnë liberalizimin e vizave si mjet presioni për politikën shqiptare, por gjithsesi dhe duke deklaruar se ky është një proces teknik dhe nuk ka lidhje me krizën politike. Nga ana e saj, vetë politika shqiptare, megjithëse shumë më e qetësuar se një muaj më parë, sërish nuk ka dhënë shenja zgjidhjeje për krizën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›