E Diel, 1 Nëntor 2026

Bleona Mata, Vajzat në mal, hetim lidhjeve intime

14/06/2010 Krimet e Rënda fusin në përgjim disa persona dhe vajzat me të cilat shoqërohej Bleona Mata

Mister ngjitja në mal e djaloshit me rroba të zeza. Akuza: Se dimë shkoi te vajzat apo jo

TIRANE- Zhdukja pa lënë gjurmë prej tri javësh e 6-vjeçares Bleona Mata, ka detyruar ekspertët e grupit hetimor të kthejnë sytë nga halla e vogëlushes dhe katër shoqeve të saj, që ishin të pranishme në zonën ku Mata humbi kontaktet me familjen. Dyshimi mbi vajzat që shoqëronin Bleona Matën vjen fill pas një analize mes prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe ekspertëve të Policisë së Shtetit. Në bazë të dëshmive të mbledhura dhe informacioneve të gjetura në rrugë operative, hetuesit kanë ngritur dyshime të forta mbi lidhjet intime që halla ose ndonjëra nga vajzat e fshatit Zapod të Kukësit mund të ketë pasur me ndonjë mashkull të zonës. Ky dyshim forcohet akoma dhe më tepër, pasi ekzistojnë dëshmi të banorëve se një djalë i veshur me rroba të zeza është parë të ngjitet në drejtim të vajzave, por që realisht nuk është vërtetuar nëse ai i ka takuar ato apo jo. Burimet pranë organit të akuzës thanë se 6-vjeçarja e zhdukur mund të ketë vënë re lidhjen intime të ndonjërës prej vajzave që kullosnin lopët në mal, përfshirë këtu edhe hallën e saj. Dhe nga frika se mos vogëlushja po u tregonte njerëzve të afërt, ka shumë mundësi që ajo të jetë rrëmbyer, duke mos lënë asnjë gjurmë mbi fatin e saj nëse është gjallë apo e vdekur. Duke u nisur nga ky dyshim, por edhe me shpresën se më përgjimin e telefonatave mund të hidhet dritë mbi misterin e zhdukjes së Matës, organi i akuzës mësohet se ka urdhëruar përgjimin e disa numrave telefonikë në zonën e Zapodit, ku midis tyre thuhet se në survejim janë edhe vajzat e dyshuara. Ndërkohë që prokurorët janë përpjekur të zbardhin itinerarin e djaloshit misterioz, por nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe rrugës që të çon në fshatin Zapod nuk është arritur të ngrihet asnjë dyshim i arsyeshëm. Kjo, pasi sipas prokurorëve, nga qendra e fshatit deri te vendi i krimit ekziston një rrugë këmbësore, nga e cila, pasi ke përshkuar rreth 10 minuta udhëtim, “merr jetë” një tjetër shteg, i cili përshkon përroin dhe më pas ka si destinacion një fshat tjetër që ndodhet përbri me Zapodin. Dyshimi mbi vajzat vjen në një kohë kur policia shqiptare, SHISH, ajo kosovare dhe maqedonase, por edhe Interpoli kanë kryer një sërë kërkimesh, por pa asnjë rezultat konkret. Nisur nga kjo situatë e mjegullt, hetuesit kanë vendosur të intensifikojnë hetimet te vajzat që shoqëronin Bleona Matën. Kjo, pasi sipas tyre, është tepër e pamundur që në një rrafsh kohor fare të shkurtër, të kryhet një rrëmbim i tillë pa u vënë re nga 5 vajzat që e rrethonin 6-vjeçaren Mata, duke mos lënë as edhe një gjurmë. Prokurorët shtojnë se vogëlushja nuk mund të jetë rrëmbyer nga kafshët, pasi edhe në rast se do të ndodhte, Bleona Mata do të lëshonte britma nga dhimbjet e frika. Për më tepër do kishte dhe shenja gjaku.

Halla në prokurori

Lidhur me ngjarjen e rëndë, ditën e shtunë prokurori Anton Martini ka urdhëruar shoqërimin e hallës së vogëlushes Alketa Mata dhe shoqes së saj Gentjana Maringa në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku në prani edhe të një oficeri të Policisë Gjyqësore ato kanë dhënë sqarime. Përkundër siç ishte menduar nga hetuesit, asnjëra nga vajzat nuk ka pranuar të tregojë me tepër nga dëshmitë e dhëna më parë.

Sërish në Zapod

Duke mos nxjerrë gjë nga halla dhe vajza tjetër, hetuesve do tu duhet të udhëtojnë sërish në drejtim të Zapodit, ku të intensifikojnë më tepër veprimet hetimore. Pritet që gjatë kësaj jave prokurorë e oficerë të Policisë së Shtetit të nisen në drejtim të fshatit, ku pritet të marrin deklarimet e disa personave, të cilët kanë dalë gjatë pyetjes së dëshmitarëve të ndryshëm. Ndërkohë shpresohet që përgjimi i telefonatave mund të sjellë diçka.

Tri javë nga zhdukja e vogëlushes,

“mjegulla” mbulon çështjen “Mata”

Që prej 21 majit të këtij viti, vogëlushja 6-vjeçare Bleona Mata humbi kontaktet me familjen e saj rreth orës 18:15, në një nga rrafshet e maleve të fshatit Zapod, ku ajo ishte duke kullotur bagëtitë me hallën e saj, Alketa Mata. Në rrethana misterioze dhe pa u gjetur asnjë gjurmë, çështja “Mata” vazhdon të mbulohet nga “mjegulla”, duke mos u lënë mundësi hetuesve, familjarëve dhe banorëve të zonës të mësojnë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me vogëlushen. Aktualisht asnjë nuk di për fatin e saj, nëse Bleona është gjallë apo trupi i saj dergjet i pajetë në ndonjë përrua të zonës apo i mbuluar nën tokë. Sido që të ketë ndodhur, policia dhe prokuroria janë aktivizuar intensivisht për të hedhur dritë mbi këtë mister. Në ndihmë të tyre janë vënë edhe strukturat inteligjente, të cilat në kohë të vazhdueshme u servirin organit të akuzës një sërë informacionesh mbi ngjarjen. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka vendosur një shumë financiare prej 3 milionë lekësh të reja për këdo person që jep të dhëna të sakta mbi ngjarjen në fjalë. Policia herë pas here ka bërë thirrje që personat që kanë dijeni mbi fatin e Bleonës të telefonojnë në nr. 029.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›