Kriza politike, komisioneri Fule mbërrin në Tiranë më 19 mars

Teksa mazhoranca dhe opozita në Shqipëri ende nuk kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit me njëra-tjetrën për të konkluduar një formulë kompromisi, Brukseli bëhet edhe më aktiv. Burimet diplomatike sqaruan dje për “Shqip” se komisioneri europian për zgjerimin, Stefan Fule, ka përcaktuar vizitën e tij në Shqipëri. Po sipas burimeve konfidenciale, ajo do të ndodhë më 19 mars.
VizitaGjatë qëndrimit në Shqipëri, diplomati Fule pritet të zhvillojë takime me aktorët kryesorë politikë. Në qendër të bisedave do të jetë e ardhmja e vendit në kuadër të procesit të integrimit europian, ashtu sikurse edhe kapërcimi i krizës politike që ka përfshirë vendin që prej zgjedhjeve të 28 qershorit. Vetëm pak ditë më parë, Fule i pyetur nga mediat në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, tha se “kam bërë një deklaratë ku kam inkurajuar partitë politike, qeverinë dhe opozitën që të zgjidhin çështjen e dialogut politik, në mënyrë që procesi politik të bëhet në Parlament dhe jo në rrugë”. Nuk dua të spekuloj, tha ai, se çfarë impakti kjo çështje do të ketë, nëse ajo s’do të zgjidhet, pasi shpresoj, që përgjegjësia do të mbizotërojë dhe që do të kem një vlerësim pozitiv të situatës politike në vend për opinionin që Komisioni do bëjë për Shqipërinë. I pyetur se kur do ta vizitojë Shqipërinë, Fule theksoi se “ne jemi në një diskutim konkret me autoritetet shqiptare për kohën e vizitës sime. Ata e dinë që dua që të vizitoj Shqipërinë. Do të jetë shumë inkurajuese për vizitën time, nëse kjo çështje do të jetë zgjidhur, por nëse jo, kjo do të jetë një nga pikat kryesore ku do të mbështetemi në diskutime me qeverinë dhe opozitën”. Fule, që nga shkurti i vitit 2010, është caktuar në detyrën e komisionerit europian për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë. Më parë, gjatë vitit 2009 ai ishte ministër i Integrimit të çekisë. Ndër angazhimet e tij të mëparshme, Fule ka qenë për katër vite përfaqësues i përhershëm i çekisë në NATO. Nga viti 2003-2005 ka qenë ambasador i çekisë në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitet 1998-2001 ka shërbyer si ambasador i çekisë në Lituani, ndërsa nga 1996-1998 drejtor i departamentit të politikave të sigurisë në Ministrinë e Jashtme çeke.
KrizaVizita e Fule në Tiranë do të jetë vendimtare për ecurinë e marrëdhënieve politike midis mazhorancës dhe opozitës. Nëse deri më tan,i vizita e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës mund të thuhet se nuk rezultoi aq e suksesshme sa duhej, angazhimi direkt i Brukselit do të jetë edhe më i fuqishëm për të gjetur një zgjidhje. Si “kërcënim” i Bashkimit Europian ndaj klasës politike në Shqipëri mund të shërbejë liberalizimi i regjimit të vizave apo më tej opinioni për aplikimin e Shqipërinë për statusin e kandidatit në BE.
#