E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre plumba babait, me fëmijë përdore

Një emigrant shqiptar është qëlluar për vdekje nga dy persona në mes të Athinës

Babai i katër fëmijëve, emigrant shqiptar në Greqi, është vrarë barbarisht mesditën e djeshme në mes të Athinës, teksa po shoqëronte të birin nga shkolla për në shtëpi. Ngjarja e rëndë ka tronditur lagjen “Agjio Pandeleimona”, ku ndodhi ngjarja, vetëm pak metra larg pallatit ku banonte emigranti 45-vjeçar prej vitesh. Persona të panjohur, të cilët janë larguar me një makinë, i kishin zënë pritë emigrantit, që sapo zbriti nga makina e tij.

Policia e Athinës, e njoftuar nga shumë dëshmitarë okularë, ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por pa mundur të prangosë autorët, që nuk i ka njohur askush. Ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 15:00, kur emigranti shqiptar po çonte në banesë fëmijën e tij. Dëshmitarët okularë kanë treguar se ai sapo kishte zbritur nga makina dhe po ecte përdore me djalin e tij. Pa bërë shumë metra, dy persona i kanë dalë përpara, ndërkohë që viktima nuk ka bërë asnjë reagim, duke lënë dyshime se nuk i njihte fare. Njëri prej tyre ka nxjerrë pistoletën dhe në sy të fëmijës e ka qëlluar tri herë në gjoks, duke e lënë të vdekur në vend. Fëmija ia ka plasur të qarit, ndërkohë që kalimtarët nuk kanë mundur të afrohen, derisa agresorët janë larguar me vrap dhe më pas kanë hipur në një makinë, ku i priste një tjetër person, duke u arratisur nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët okularë nuk kanë mundur t’i shohin targat e makinës. Në atë kohë është njoftuar policia dhe ambulanca, por për emigrantin shqiptar ka qenë shumë vonë. Fëmija ia ka plasur së qarit, ndërkohë që disa banorë të zonës, pikërisht në kryqëzimin Aristomenus dhe Agathokleus, kanë bërë identifikimin e viktimës, duke treguar se ishte babai i katër fëmijëve, i cili punonte në ndërtim. Ata kanë rrëfyer për mediat se ishte njeri i qetë dhe nuk kishte shfaqur ndonjëherë probleme.

Nga ana tjetër, policia ka ngritur një grup hetimor për ta dokumentuar këtë ngjarje kriminale, duke marrë në pyetje të gjithë të njohurit e viktimës. Sipas të dhënave, e vetmja pistë hetimi ka të bëjë me ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës me personat e gabuar, që ka degjeneruar në këtë ngjarje të rëndë. Më tej, policia shpjegoi se pavarësisht se ishte rrethuar e gjithë zona dhe kishin shoqëruar të dyshuar të ngjarjes, autorët e këtij atentati nuk janë identifikuar ende dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e tyre. Deri në orët e vona të natës, policia greke nuk ka mundur të tregojë ekzaktësisht nëse autorët e ngjarjes ishin emigrantë apo vendas, pavarësisht se dyshimet kryesore janë për këta të fundit. Familja e shqiptarit jetonte prej vitesh në këtë zonë, ku burrë e grua punonin punë të ndryshme, ndërsa fëmijët i kishin në shkollë. Ata kishin marrëdhënie të mira me familjet e zonës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›