Kriza politike pjell grabitje dhe maska
Kur politika dhe institucionet janë në krizë, lulëzon krimi. Kjo është një thënie e provuar kudo, por shembullin më të qartë e japin zhvillimet pas tragjedisë së ndodhur në demonstratën e 21 janarit në Tiranë. Brenda një kohe shumë të shkurtër kanë ndodhur të paktën tri grabitje me maska dhe me armë në rrethet kryesore të vendit. Thuajse në qendër të Tiranës është bastisur nga njerëz të maskuar një argjendari dhe në Fier është grabitur një person. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në ngjarjen e Fierit është plagosur me thikë shtetasi Sokol Troka.
Grabitja e kambistit
Një kambist nga qyteti i Fierit u bë në mesnatën e dielës pre e grabitjes dhe dhunimit fizik, kur pasi u godit 2 herë me thikë, më pas u lidh bashkë me bashkëshorten e tij në dhomën e gjumit nga grabitësit, të cilët vodhën një sasi lekësh. Kambisti Sokol Troka u soll në spital nga komshijtë e tij, të cilët u lajmëruan nga bashkëshortja e Trokës pasi mundi të zgjidhej vetë. Troka sqaron rrethanat e ngjarjes dramatike kur rreth orës 02.00 ndërsa ishte në gjumë, ndjeu të hapej dera e dhomës dhe si nëpër ëndërr, pa një hije të madh, që e qëlloi, duke i kërkuar lekët. "Rashë në krevat dhe e qëllova edhe unë, por kur po ngrihesha, prapa shpine një tjetër më gjuajti me thikë ", tha ai. Sokol Troka që ushtron aktivitetin e kambistit që nga viti 2000 në Fier, shton se hajdutët hynë me litar nga soleta e pallatit 10-katësh dhe zbritën në katin e 9-të ku ai jetonte.
Kirurgu Bert Metaj tha se ndonëse pacienti Troka është qëlluar rreth 2 herë me thikë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grabitja e argjendarisë
Një grabitje me armë zjarri është tentuar pasditen e së hënës në Tiranë, pranë ish pastiçeri “Flora’. Burime në vendngjarje thonë se bëhet fjalë për të paktën dy persona të cilët kanë hyrë me dhunë në një argjendari dhe kanë lënduar shitësen e saj, në përpjekje për të kryer grabitje të bizhuterive dhe sendeve të tjera të çmuara dhe parave. Paraprakisht thuhet nga policia se grabitja mbeti në tentativë pasi autorët u zhdukën me shpejtësi pa arritur të marrin “haraç”.
Gjatë katër ditëve të fundit, që prej zhvillimeve dramatike të 21 janarit në Tiranë, ka pasur rritje të rasteve të grabitjeve.
Arrestohen tre grabitësit, zhvatën argjendarinë në Pogradec
POGRADEC – Policia e Korçës dhe Pogradecit tha se ka arrestuar tre persona të akuzuar për disa grabitje të ndodhura në këto dy qytete. Strukturat e Policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, në bashkëpunim me forcat e policisë së Komisariateve të Pogradecit dhe Lushnjës finalizuan operacionin e koduar “Mysafirët” i cili u zhvillua në qytetin e Pogradecit dhe atë të Lushnjës, ku u bë i mundur ndalimi i shtetasve: Niti Paco, 33 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje, i denuar me pare me 10 vjet burg ne shtetin Grek per veprat penale “Vjedhje me dhune” “Kundershtim i punonjesve te policise”; Filip Paco 43 vjec lindur dhe banues ne Lushnje dhe Marjan Hema, 34 vjeç lindur ne Peqin dhe banues ne Lushnje. Policia tha se ndalimi i tre shtetasve është bërë pasi ata ne bashkepunim me njeri tjetrin jane autore te vjedhjes me arme te dyqanit te bizhuterive te shtetases me iniciale E.P ngjarje kjo e ndodhur ne dt 03.01.2011 ne lagjen nr 2 te qytetit te Pogradecit. Nga veprimet hetimore proceduriale ndaj shtetasve te lartpermendur ka rezultuar se sasia e bizhuterive te vjedhura eshte shitur ne rrethe te ndryshme te vendit si Fier e Durres,ku nga shitja jane perfituar rreth 2.000.000 lek te reja dhe me pas kjo sasi lekesh eshte shpenzuar per ndertimin e baneses se vellezerve Filip e Niti Paco.
Interpoli arrestohen dy të shumëkërkuar në Vienë dhe Athinë
TIRANË – Dy persona të kërkuar nga drejtësia për vrasje dhe mashtrim janë arrestuar në Austri dhe në Greqi, me qëllim ekstradimin e tyre. Burimet zyrtare të Policisës së Shtetit bënë të ditur dje se të prangosurit janë shtetasit Hektor Nikolli, lindur në rrethin e Dibrës dhe Astrit Veraj nga Shkodra. Sipas tyre, Nikolli u kap dje në kryeqytetin austrika nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Vienën, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Gjykata e Shkallës së Parë Dibër, me vendimin nr.73, datë 27 tetor 2009, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg“, në ngarkim të shtetasit Hektor (Shaqir) Nikolli, për veprën penale të “Vjedhjes, me pasojë vdekje“. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana që prej datës 23 shkurt të vitit të kaluar. 35-vjeçari i kapur akuzohet se më 19 nëntor, në vendin e quajtur “Shënllesh”, të komunës Reç, së bashku me persona të tjerë të armatosur, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të autobusit të linjës Peshkopi-Reç, që drejtohej nga shtetasi Rasim Elezi. Në këtë grabitje mbetën të vrarë shtetasit Rasim Elezi dhe Asllan Meçe. Burimet policore bëjnë të ditur se autorët e kësaj ngjarje pasi janë futur brenda në autobus nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe keqtrajtimit që u kanë bërë pasagjerëve të autobusit kanë grabitur shumën prej 120.000 lekësh, shumë e cila i përkiste administratës dhe asistencës sociale të komunës Reç. Hektor Nikolli është identifikuar si një nga autorët e ngjarjes pasi ka qenë i pa maskuar. Pas arrestimit në Vienë, pritet ekstradimi i tij dhe rifillimi i procesit për akuzën që rëndon ndaj këtij shtetasi.
Katër ditë më parë, nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Athinën, u arrestua me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë edhe Astrit Veraj, 58 vjeç, lindur në Shkodër. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr. 250, datë 10. 11. 2008, e ka dënuar shtetasin e mësipërm me 3 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”. “Shtetasi i mësipërm në bashkëpunim me bashkëshorten e tij kanë mashtruar dy shtetas duke u shitur atyre dy herë të njëjtin apartament”.
Aksidenti, vdes shqiptari me dy adoleshente italiane
PIACENZA – Një aksident rrugor në Itali shkaktoi vdekjen e një 26-vjecari shqiptar dhe dy adoleshentëve italiane. Policia tha se drejtuesi i mjetit më të cilin udhëtonte shqiptari, ka qenë nën efektin e alkoolit kur ndodhi ngjarja. Katër të rinjtë, sipas të dhënave të policisë, e kishin kaluar natën në një lokal dhe po ktheheshin në shtëpi me një makinë të tipit Peugeot 206. Në këtë kohë, 22-vjecari ka humbur kontrollin e mjetit, siç duket edhe i ndikuar nga kushtet e rrugës me akull. Drejtuesi i mjetit është përpjekur të frenojë por makina është rrotulluar duke u përplasur me pjesën e pasme në murin e një shtëpie. Në këtë kohë mjeti kishte goditur më parë një semafor dhe një pemë në anë të rruges.
Makina është bërë copë copë ndërsa policia tha se niveli i alkoolit në gjakun e 22 vjecarit ka rezultuar 6 herë më i lartë se norma e lejuar. Shoferi i mjetit i vetmi i mbijetuar nga aksidenti është marrë në hetim për vrasje nga pakujdesia.
25 Janar 2011