Kriza, qeveria po lyp për të mbuluar gropën financiare
Mbikëqyrja e ekonomisë dhe menaxhimit qeveritar të saj po kthehet në një element parësor në angazhimin politik të opozitës. Deputetja socialiste, nënkryetare e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, përcjell në intervistën për “Shqip” optikën që PS parashtron për realitetin shqiptar, i cili në manifestimin e vet publik po dominohet nga demagogjia e ekzekutivit “Berisha”. Kjo e fundit është bërë tipar emblematik i qeverisë, si një levë e paneglizhueshme jo vetëm e mbulimit të faturës që ka sjellë keqmenaxhimi, por edhe si simptomë e problemit thelbësor që kjo qeveri ka me zgjedhjet. Sipas Kodhelit, transparenca dhe zbardhja e së vërtetës elektorale dhe ekonomike është një kusht politik, zëdhënien e të cilit e ka marrë përsipër Partia Socialiste, por ajo në vetvete duhet parë si mundësi për të ripërkufizuar raportin e pushtetit me qytetarin. Më e rëndësishme bëhet kjo po të merret në konsideratë fakti se mbulimi i realitetit ekonomik po depërton në të gjithë sistemin, ku sipas deputetes socialiste, rasti i Bankës së Shqipërisë është më domethënësi. Nëse në një demokraci parlamentar kërkesat apo shqetësimet e opozitës refuzohen që të trajtohen në rrugë institucionale, atëherë protesta është alternativa e vetme që do ta detyrojë pastrimin e sistemit, kalbëzimi i të cilit me sa duket zë fill te zgjedhjet që realisht diktojnë ecurinë e demokracisë apo standardin e saj.
Znj. Kodheli, Partia Socialiste në mënyrë të përditshme përcjell në opinion shifra alarmante për ekonominë, shoqëruar këto edhe me akuza për mashtrim nga Kryeministri. Nëse vendi ndodhet realisht në prag krize të kësaj përmase, a do të shohim aksione të reja politike nga PS për ndërhyrje në kohë, apo edhe shmangien e saj?
Sot Shqipëria realisht kalon një prej momenteve më të vështira të shoqëruara me një krizë sa politike e institucionale, aq dhe ekonomike. Duket si një paradoks që kjo të thuhet në një kohë kur po trumbetohet me të madhe nga mazhoranca se Shqipëria i ka përmbushur me sukses të gjitha kushtet për të hequr regjimin e vizave. Bashkë me mbetjen në fund të listës për heqjen e regjimit të vizave, për fat të keq ne kemi mbetur në fund të Ballkanit e në fund të Europës me nivelin e të ardhurave për frymë dhe ç’është më e keqja, me ritmet me të cilat pasurohemi si shqiptarë, të cilat i kemi gjithashtu më të ulëtat në kontinent.
Për të mos folur për shifrat e ekonomisë. Qeveria ka dalë të lypë rrugëve e pasi dështoi me eurobondin, i është kthyer tregut të brendshëm, ku trysnia është transmetuar te bankat e nivelit të dytë që po financojnë deficitin buxhetor të qeverisë dhe po braktisin kredinë për biznesin vendas. Që prej 1 janarit të vitit 2010, qeverisë i mungojnë 12,4 miliardë lekë në arkën e shtetit, nga vjelja e munguar e të ardhurave tatimore. Që prej 1 janarit deficiti buxhetor është 11,6 miliardë lekë. Për të mos folur për efektet e inflacionit dhe të investimeve publike të munguara.
PS, si politikisht, ashtu edhe nëpërmjet ekspertëve të saj, ka kërkuar në më shumë se një rast bërjen e transparencës së shifrave, me qëllim ndërhyrjen sa më shpejt që të jetë e mundur e sa nuk është vonë te ky i sëmurë rëndë siç është ekonomia shqiptare. Por kjo më rezulton e vështirë për sa kohë qeverinë e ka mbytur korrupsioni dhe verbëria ndaj problemeve të njerëzve.
Së fundmi forca juaj politike ka hedhur akuza edhe ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për sa u përket të dhënave të publikuara prej tij, por dhe aktit që ka të bëjë me hotel “Dajtin”. është edhe z.Fullani pjesë e nismave për transparencë të PS-së? A do të ketë një angazhim parlamentar në funksion të shqetësimeve të ngritura në këtë drejtim?
Bankat Qendrore në vendet me ekonomi tregu të lirë janë institucione të pavarura nga çdo pushtet, në funksion të realizimit të objektivave të tyre, ndërkohë që duhet të punojnë për transparencë dhe pavarësi të mëtejshme. Për fat të keq, unë mendoj se diçka e rëndë ka ndodhur në Shqipëri para disa javësh dhe ky është fakti se Banka e Shqipërisë është edhe zyrtarisht një institucion jo më i pavarur. Veprimi i paprecedent për t’i blerë qeverisë në mënyrë krejt jo transparente një copë nga borxhet e saj marramendëse nëpërmjet një artifice si ajo e shitjes së hotel “Dajtit”, lë vend për diskutim dhe është diçka për të cilën në Kuvendin e Shqipërisë duhet të kërkohen shpjegimet përkatëse.
Ekziston mundësia e një interpelance, apo do të shkohet më tej?
Kjo do të diskutohet e vendoset në grupin parlamentar. Ajo që mund t'u them është vetëm se ne nuk do të ndalemi ndaj asnjë veprimi qeveritar që do të mbartë me vete mungesë transparence dhe abuzim me pushtetin.
Për sa i përket kërkesës për transparencë, së fundmi ka një zhvillim që lidhet me miratimin e rezolutës në Parlamentin Europian. Mendoni se pretendimi juaj ka dalë jashtë vëmendjes ndërkombëtare, duke pasur parasysh se me vendimin për hapjen rrugë të liberalizimit PS nuk mund ta akuzojë më Berishën se po mban shqiptarët jashtë Europës?
ëndrra jonë për të qarkulluar si qytetarë të barabartë e të lirë po bëhet realitet dhe nuk mund të ndodhë që kjo të jetë falë sjelljes “së mirë” të një force politike në vend. Do të ishte naivitet nga ana jonë të besonim se çdo gjë të mirë në jetën tonë publike e kemi falë udhëheqësve politikë. Jemi ndarë një herë e përgjithmonë nga ajo periudhë, kur kjo gjë besohej. Sot proceset integruese ndodhin dhe do të ndodhin pasi nuk shikoj asnjë arsye gjeopolitike pse një vend gjeografikisht europian duhet të rrijë jashtë komunitetit të madh europian. Si fillim duhet t’i themi faleminderit vetes tonë që në këta 20 vjet mësuam demokracinë, mësuam si të sillemi me dinjitet e si të respektojmë rregullat e qytetarisë. Nëse politika do të na kish ndihmuar në këtë proces zhvillimi, vizat do të ishin hequr shumë më përpara.
Fakti që jemi vendi i fundit të cilit i hiqen vizat, flet vetë se sa e dobishme ka qenë politika e mazhorancës në këtë proces. Por le të kujtojmë në këtë rast se të jesh jashtë Europës do të thotë më shumë se sa viza; do të thotë ta kesh dhjetëfish më të ulët nivelin e të ardhurave për frymë për çdo qytetar, do të thotë të jesh vendi më i varfër në Europë, do të thotë të kesh nivelin më të ulët të teknologjisë në Europë, nivelin më të lartë të analfabetizmit, nivelin më të ulët të infrastrukturës, nivelin më të lartë të korrupsionit e të ineficencës, si dhe nivelin më të ulët të demokracisë në Europë.
Gjykoni se me vijimin e kësaj situate, që mban pezull kërkesat e opozitës, protestat mund të riaktivizohen në muajin shtator? A është ky një skenar objektiv?
Demokratizimi i jetës së një vendi nuk është një tortë që të sillet ditën e lindjes nga komshinjtë europianë, por një proces i pandalshëm e shpesh herë me të panjohura. PS, si alternativa më serioze qeverisëse në këtë vend, nuk do të njohë ndalesë. Ajo do të vazhdojë të përdorë të gjitha format demokratike e ligjore për të vënë në vend një të drejtë themelore të demokracisë: atë të votës së lirë, e drejtë kjo e shkelur me të dyja këmbët nga mazhoranca më 28 qershor. Për sa u përket skenarëve, kjo është diçka që forumet e partisë dhe grupi parlamentar i PS-së do të kristalizojnë në vazhdim.
Në fakt, forumet janë ambiente politike dhe institucionale që formësojnë vendime përmes opinioneve të anëtarëve. Cili është opinioni juaj për këtë çështje? Pra, a është politikisht me vend rinisja e protestave?
çdo formë demokratike e luftës politike për kauza të drejta e të një rëndësie kombëtare është e përligjur në një sistem demokratik.
Së fundmi kreu i PS-së ka bërë të qartë se "nuk mund të ketë zgjedhje pa transparencë". Sipas jush, cilat do të ishin ato garanci të cilat do të bënin të pranueshëm një proces të ardhshëm zgjedhor për opozitën?
Mendoj se garancia e vetme që do ta bënte procesin e ardhshëm zgjedhor të pranueshëm, jo për opozitën, e theksoj jo për opozitën, por për vendin dhe këtë fjalë të madhe, që është demokracia, do të ishte transparenca e zgjedhjeve të kaluara. Nëse kjo nuk do të ndodhë, Shqipëria është e destinuar të ketë në të ardhmen vetëm pseudo-demokraci, pseudo-rritje ekonomike dhe pseudo-anëtarësim. Njerëzit janë lodhur dhe kërkojnë nga politika shqiptare aksione konkrete, që do t’i afronin ata realisht, në çdo drejtim, me qytetarët europianë.
Kjo do të thotë se transparenca është kusht për pjesëmarrje në Komisionin e reformës zgjedhore? Kryeministri ka deklaruar se do të pranojë të gjitha propozimet e opozitës.
Kryeministri le të fillojë me propozimin e parë të opozitës, atë të transparencës së 28 qershorit, të tjerat vijnë pas logjikshëm.
Diçka për zgjedhjet në PS. Pas përfundimit të grevës, vihet re se edhe zërat kritikë në grupin parlamentar nuk po artikulohen më aq fort sa më parë. Ka një sens gjithëpërfshirës në zgjedhjet brenda PS-së, dhe a mendoni se jemi pranë një riunfikimi të rrymave që gjallonin deri më tani?
Më lejoni të korrigjoj diçka nga pyetja juaj. Unë mendoj se në PS nuk ka rryma, por ka pasur njerëz që për të mbërritur në qëllimin tonë të përbashkët, që është largimi sa më parë i qeverisë së sotme si e korruptuar dhe e pazonja të menaxhojë paratë e shqiptarëve dhe punët e këtij vendi, kanë menduar se aksioni politik mund të ishte i një forme tjetër nga ai që forumet e PS-së ndërmorën me vendim të shumicës. Kjo përveçse forcon demokracinë brenda partisë, tregon edhe një herë se, nëse ne flasim për transparencë, këtë nuk e bëjmë për demagogji, por sepse besojmë vërtet në të.
#