Policia Rrugore heq 10% të gjobave dhe lejeve vjetore

Prej më shumë se një viti, policisë rrugore të Tiranës, veç vështirësive të shërbimit, i janë shtuar edhe një sërë problemesh të tjera, pasi u kanë hequr përfitimet që kishin për gjobat e mbledhura, nuk u kanë dhënë orët e natës dhe lejet vjetore që u takonin që një vit më parë. Efektivët e policisë rrugore në Tiranë janë ankuar edhe se ka pasur plotësime lejesh vjetore, sikur ata i kishin kryer, pavarësisht se librat e shërbimit tregojnë se gjatë asaj periudhe ishin në punë, madje me orare të zgjatura për shkak të masave të ndryshme.
Burimet policore tregojnë se prej më shumë se një viti, një nga të mirat e hequra është 10% e gjobave të vjela që i përfitonin me qëllim për të parandaluar korrupsionin në radhët e policisë. Siç është parashikuar në nenin 203 të Kodit Rrugor, të ardhurat nga gjobat për shkeljet në qarkullim i kalojnë në masën 60 për qind organit që ka verifikuar shkeljen. Këto të ardhura do të përdoren për përmirësimin e shërbimit në zbatim të këtij kodi, kurse 40 për qind i kalojnë shtetit. Sipas të dhënave, 10 për qind u jepej policëve që kishin vendosur gjobat, ndërsa 50 për qind kalonte në fond të policisë rrugore, pavarësisht se ka një kohë të gjatë që këto para nuk u kalojnë atyre, por përdoren për shërbime të tjera. Burime policore shprehen se ka udhëzime të brendshme që e kanë hequr këtë vlerë parash për punonjësit e policisë. Megjithatë, ajo komentohet në dy anët e saj. E para se oficerët e policisë rrugore abuzonin me gjobat e vëna, pasi zgjidhnin masën maksimale për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim për të përfituar sa më shumë para. Por e dyta ka të bëjë me rritjen e mundësive për korrupsion, pasi punonjësit e policisë rrugore mund të zgjedhin më mirë të marrin ryshfet 1 mijë lekë, se të vendosin një gjobë 10 mijë lekë, nga e cila nuk përfitojnë asgjë për veten e tyre.
Një problem tjetër që bie në sy në policinë rrugore të Tiranës, por nuk përjashtohen edhe qarqet e tjera, ka të bëjë me lejen vjetore. Sipas të dhënave, shumë efektivë të policisë rrugore gjatë vitit 2009 kanë kryer vetëm gjysmën e lejes vjetore, për shkak të angazhimeve të shumta që kanë pasur për fushatat e policisë me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, ku u shënua edhe një numër i madh të vdekurish prej tyre. Kodi i Punës e ka shpjeguar shumë mirë këtë pjesë për moskryerjen e lejes vjetore. Sipas Kodit të Punës, nëse një punonjës nuk kryen lejen vjetore deri në një afat të caktuar me ligj, atëherë atij i konvertohet kjo leje në vlerë monetare. Pavarësisht se erdhi koha që punonjësit e policisë rrugore të kryejnë lejen vjetore të vitit 2010, ata nuk kanë kryer ende lejen e vitit 2009 dhe nuk kanë përfituar as para nga këto të drejta të fituara me ligj. Një tjetër shqetësim për ta, sa i përket këtij aspekti, ka të bëjë me “falsifikimin e dokumenteve”. Ata shprehen se kur janë interesuar për lejen vjetore, ka rezultuar se me letra i kishin kryer ato në muajt e shkuar, megjithëse në librat e shërbimit, ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë, ata kanë qenë në punë dhe jo me leje. Sikur të mos mjaftonin këto probleme, policët rrugorë deklarojnë se nuk po u paguhen as orët e natës, ndërkohë që nuk u janë regjistruar edhe shumë orë suplementare.
#