E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, rritet papunësia dhe çmimet e lëndëve të para, ulet fuqia blerëse

Tre muajt e fundit të vitit 2010 nuk kanë qenë aspak të favorshëm për biznesin, i cili, përveç rritjes së kostos së prodhimit, është ndeshur edhe me rënien e fuqisë blerëse. Instituti i Statistikave publikoi dje dy nga raportet e tij lidhur me Indeksin e Çmimeve të Prodhimit si dhe atë të Tregtisë me Pakicë. Sipas INSTAT-it, gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë arriti 176.8 për qind, kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 1.1 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 1.3 për qind, thuhet në raport. Të marra veç e veç, grupet në volum shitjeje krahasuar me tremujorin e tretë të 2010-s kanë njohur rritje të konsiderueshme. Kështu, është rritur volumi i shitjes për artikujt ushqimorë, pije dhe duhan. Po kështu, rritje ka njohur edhe grupi Tregtia dhe riparimi i automjeteve, ku indeksi i volumit të shitjeve është rritur 10.8 për qind në tremujorin tetor-dhjetor krahasuar me tremujorin korrik-shtator 2010. Ndërkohë, brenda këtij grupi, rritje ka njohur edhe shitja e karburanteve me pakicë, kjo në fakt ka ardhur në kontrast me rritjen e vazhdueshme të çmimeve që filloi në nëntor. Një tjetër tregues aspak pozitiv është ulja e punësimit. Indeksi i punësimit në Tregtinë me pakicë në tremujorin e katërt të këtij viti arriti 165.5 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është ulur 1.8 për qind, shprehet INSTAT-i. Sa i përket kostos së prodhimit, ajo shënoi rritje në tremujorin e fundit të 2010-s, ku indeksi i çmimeve u rrit 0.8 për qind kundrejt tremujorit të tretë. Sektorë që pësuan rritje të çmimeve të prodhimit janë ato të nxjerrjes së produkteve energjetike apo industrive përpunuese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›