E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompjuteri, mësuesit me patentë europiane

SHKRUAN: Jonida Tashi 11-03-2011 11:11

Për herë të parë në Shqipëri, mësuesit do të pajisen me patentën europiane të kompjuterit ECDL. Kjo do të bëhet e mundur, falë projektit “Të mësosh ICT në dimension Europian”, që do të realizohet me fonde të qeverisë italiane dhe shqiptare. Projekti në fjalë synon fuqizimin e potencialit njerëzor në shkollën shqiptare, përmes formimit të formatorëve e më pas të mësuesve shqiptare ( 15 + 60+ 260) e në vazhdim, të cilët për herë të parë në vendin tonë do të pajisen me patentën europiane të kompjuterit ECDL, certifikim që mbërrin falë bashkëpunimit me qeverinë italiane. Për këtë arsye është përuruar dje Qendra Kombëtare ICT (Certifikim ECDL), që është e një rëndësie të veçante, pasi për herë të parë, pas shumë përpjekjesh disavjeçare, Shqipëria renditet krah vendeve të tjera evropiane, që përdorin certifikimin ECDL në sistemet e tyre arsimore. I pranishëm në inagurimin e qendrës Kombëtare ICT, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj tha se brenda 3 viteve, të gjithë mësuesit në arsimin parauniversitar do jenë të trajnuar në teknologjinë e informacionit. Për rrjedhojë, shumë shpejt, sipas ministrit Tafaj, mësimi në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në vend, do të zhvillohet me kompjuter. Kjo parashikohet të ndodhë brenda tre viteve, kohë në të cilën, të gjithë mësuesit në arsimin parauniversitar do të jenë të trajnuar në teknologjinë e informacionit, për t’i përdorur më pas këto njohuri gjatë shpjegimit të lëndës që ato japin mësim. Qendra e Certifikimit është e vetmja në vend që do të “ushqehet” me mësues të formuar në 4 qendra ECDL që janë ngritur nga ky projekt në qytete të tjera të Shqipërisë si në Shkodër, Vlorë, Korçë e Tiranë. Edhe këto 4 qendra formimi janë të standardit evropian, qoftë përsa u përket pajisjeve, qoftë përsa u përket formatorëve, pasi formatorët e këtyre qendrave janë certifikuar tashmë në Itali me patentën ECDL. Së shpejti do të certifikohen edhe 60 mësues të tjerë, të cilët më pas do të shërbejnë për formimin e vazhdueshëm të 260 të tjerëve e kështu me radhë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›