Kriza, "rrudhen" prenotimet turistike jashtë Shqipërisë
Në këtë periudhë të krizës botërore, ndonëse shqiptarët nuk e kanë ndjerë sa kombet e tjera " recesionin " kanë vendosur të kalojnë me më pak shpenzime. Vendet e para Mali i Zi, Maqedonia e Kroacia.
TIRANE-Ndonëse është herët për të shpallur faliment për kompanitë kryesore të turizmit jashtë vendit, ato po kalojnë tashmë vështirësi, të kuptueshme, për shkak të krizës botërore. Megjithatë, shqiptarët këtë vit nuk e kanë ndjerë sa kombet e tjera " recesionin " në këtë fushë. I vetmi ndryshim në pushimet jashtë vendit për shqiptarët mund të përkufizohet me dy fjalë: më afër dhe me më pak shpenzime.
Vendet e para, përsa u përket prenotimeve të shqiptarëve për të kaluar festat e fundvitit jashtë vendit të tyre, i zenë Mali i Zi, Maqedonia e Kroacia, duke shënuar një risi, që shpreh tendencën për pak shpenzime dhe më shumë afërsi me Shqipërinë, njëkohësisht me çmimet më të leverdishme. Sipas zëdhënësve të agjencive turistike, këtë fundviti, rezulton një ulje e kërkesëës për prenotime turistike jashtë vendit, për shkak të uljes së fuqisë blerëse dhe kjo duket se i ka shtyrë shqiptarët të mendojnë se mund t'u drejtohen shteteve fqinjë, si Maqedonisë dhe Malit të Zi, për shkak të çmimeve më konkurruese.
Kriza
"Çmimet këtë fundviti kanë njohur tendencë rritjeje, nga 8% deri në 9% në krahasim me një vit më parë", sipas "Albtours". Nga ajencia turistike "Victory", rritja e çmimeve llogaritet në rreth 5.5% më shumë në krahasim me të njejtën periudhë të një viti më parë, kryesisht për destinacionet evropiane.
Destinacioni
Sharm el Sheikh dhe Dubai pa hyjnë gradualisht në destinacionet më të kërkuara nga turistët shqiptarë, pavarësisht çmimeve të kripura. Më pas, vijnë Parisi, Praga, Londra e Italia. Këto paraqesin një kosto më të lartë, por marrja e vizave Shengen është një joshje më e madhe për turistëst shqiptarë, sipas operatorëve vendas.
Turizmi malor
Vendet fqinjë mbeten stacioni i radhës - dhe më i parapëlqyeri - për të bërë ski. Me një çmim, që nis nga 120 euro për person, i cili ofrohet nga "Albania Travel&Tours" për destinacionin e Budvas ose për Kaloshinën, në Malin e Zi, që ofrohet po nga kjo agjenci për një çmim prej 280 eurosh për person, ia vlen të shikosh dhe të shijosh panoramën, që bën të mundur të lundrosh në bardhësinë e borës. Kurse Maqedonia vjen me një çmim 115-199 euro/person, për tri-katër ditë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)