Kriza, si po ndikon te shqiptarët

Vrojtimet e ndryshme për gjendjen e sektorit të biznesit, në përgjithësi konfirmojnë rritjen e vështirësive financiare në situatën aktuale dhe mungesën e optimizmit për zhvillimet afatshkurtra. Vështirësitë e sipërmarrjeve të biznesit, do të ndikojnë negativisht në aftësinë e tyre për të ofruar punë në mënyrë të qëndrueshme, duke shkaktuar rënie të të ardhurave të individëve dhe të familjeve
Nga Ardian Fullani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Viti 2008, do të kujtohet gjatë si viti kur ekonomia botërore provoi krizën më të madhe financiare të kohëve moderne, e cila kulmoi në pjesën e dytë të vitit 2008, me falimentimin e disa prej institucioneve financiare me shtrirje globale. Për pasojë, që nga ajo kohë e në vazhdim vihet re një luhatshmëri e lartë e tregjeve financiare, largim i investitorëve, tharje e likuiditetit dhe rënie e ndjeshme e ndërmjetësimit financiar. Besimi i investitorëve dhe i publikut tek bankat dhe institucionet financiare u trondit në shkallë botërore, gjë që solli dhe një rënie të përgjithshme të çmimeve të titujve të kapitalit të bankave, duke ngushtuar së tepërmi mundësitë e tyre të rifinancimit.
Madhësia e krizës financiare, çoi në shtrirjen e saj në sektorin real të ekonomisë botërore. Mungesa e fondeve dhe shtrenjtimi i financimeve, ndikuan në rënien e investimeve dhe të tregtisë, duke goditur kërkesën e brendshme në nivel botëror. Norma e papunësisë shënoi rritje në të gjitha vendet e zhvilluara, në kushtet kur sipërmarrjet e biznesit u detyruan të shkurtojnë kostot e prodhimit për tiu përgjigjur rënies së kërkesës. Shumica e ekonomive të zhvilluara hynë në një fazë rënieje ekonomike në gjysmën e dytë të vitit 2008. Ngadalësimi i aktivitetit të ekonomisë botërore në kërkesën për lëndë të para të prodhimit dhe për produktet ushqimore, solli rënien e çmimeve për këto produkte.
Thellimi dhe zgjerimi i krizës financiare në gjashtëmujorin e dytë të vitit, ktheu në domosdoshmëri harmonizimin e veprimeve në nivel global, si edhe fuqizimin e rolit të institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Në vendin tonë, ndikimi i krizës ndërkombëtare u rrit për shkak të transformimit të saj në një krizë të ekonomisë reale me shtrirje globale. Fillimisht, kriza financiare ndërkombëtare nuk pati një ndikim të drejtpërdrejtë të rëndësishëm mbi sistemin tonë financiar. Arsyet lidhen me mungesën e ekspozimit të sektorit bankar dhe sistemit financiar në përgjithësi, në produkte dhe në institucione financiare të cilat ishin në qendër të krizës. Një shkak tjetër është dhe ekspozimi i ulët ndaj huamarrjes në tregjet e huaja. Megjithatë, në tremujorin e fundit të vitit 2008, për shkak të efektit psikologjik që shkaktoi ashpërsimi i krizës në tregjet ndërkombëtare, publiku vendas reagoi duke tërhequr një pjesë të depozitave të sektorit bankar. Për pasojë, kushtet e likuiditetit u shtrënguan si dhe u evidentua një ngadalësim i kreditimit nga ana e sektorit bankar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë mori masa të menjëhershme për të normalizuar situatën e krijuar dhe për të rikthyer besimin e publikut tek bankat. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka injektuar likuiditet në treg në forma të ndryshme, për të mundësuar një akses sa më të lehtë nga ana e bankave. Këto veprime dhanë efekt pozitiv drejt uljes së nivelit dhe luhatshmërisë së normave të interesit ndërbankar në fund të vitit.
Shtrirja në kohë e krizës, ndikoi në kufizimin e burimeve të financimit dhe në rritjen e çmimit të tij, në tkurrjen e flukseve hyrëse në valutë, në rritjen e presioneve zhvlerësuese mbi lekun dhe në përkeqësimin e pritshmërive të agjentëve ekonomikë për shëndetin financiar në të ardhmen.
Ky mjedis i ndryshuar financiar, ofron disa sfida të rëndësishme për qëndrueshmërinë e sistemit financiar, dhe posaçërisht të sektorit bankar si segment mbizotërues i tij. Këto sfida burojnë prej marrëdhënieve të ngushta të veprimtarisë financiare me zhvillimet ekonomike të brendshme dhe të jashtme dhe ndërveprimin e tyre me gjendjen e brendshme të vetë sistemit financiar.
Më konkretisht, Banka e Shqipërisë vlerëson që:
Është rritur ndjeshmëria e sistemit financiar ndaj zhvillimeve të brendshme makroekonomike, ku rreziqet kryesore lidhen me:
Ngadalësimin e aktivitetit ekonomik të vendit. Zhvillimet e tremujorit të fundit të vitit 2008 si edhe të muajve të parë të vitit 2009, tregojnë që rritja ekonomike për vitin 2009, ndonëse pritet të jetë pozitive, do të jetë e ulët. Arsyet e këtij ngadalësimi të rritjes ekonomike lidhen me rënien e kërkesës së brendshme, për shkak të rënies së të ardhurave të agjentëve të brendshëm ekonomikë që ndërveprojnë me tregjet ndërkombëtare dhe me uljen e ndjeshme të financimit nga ana e sektorit bankar në vend. Për këtë arsye, mundësitë për zgjerim të veprimtarisë së sistemit financiar do të jenë më të kufizuara dhe rezultati i tij financiar do të jetë më i ulët gjatë vitit 2009;
Vështirësitë financiare të sektorit real të ekonomisë. Pritjet për ngadalësimin e ekonomisë, po vështirësojnë burimet financiare për sipërmarrjet e biznesit dhe për familjet. Burimet e brendshme të zgjerimit të veprimtarisë, në formën e të ardhurave të siguruara nga veprimtaria kryesore, do të ndikohen negativisht prej rënies së investimeve dhe të shitjeve. Burimet e jashtme të financimit, në formën e huamarrjes prej sektorit bankar, janë ende në fazë rënëse. Vrojtimet e ndryshme për gjendjen e sektorit të biznesit, në përgjithësi konfirmojnë rritjen e vështirësive financiare në situatën aktuale dhe mungesën e optimizmit për zhvillimet afatshkurtra. Vështirësitë e sipërmarrjeve të biznesit, do të ndikojnë negativisht në aftësinë e tyre për të ofruar punë në mënyrë të qëndrueshme, duke shkaktuar rënie të të ardhurave të individëve dhe të familjeve. Përsëri, sistemi financiar dhe veçanërisht sektori bankar, do ti ndjejë këto zhvillime kryesisht në formën e cënimit të cilësisë së portofolit të kredisë dhe të ngadalësimit të ritmit të rritjes së depozitave të publikut;
Ndërlikime të mundshme fiskale. Rritja e deficitit buxhetor në vitin 2008 në krahasim me një vit me parë, u realizua në kushtet e një situate më të favorshme të financimit të deficitit, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Ngadalësimi i pritshëm i rritjes ekonomike dhe vështirësitë që po ndesh sektori real i ekonomisë, vendosin nën presion të ardhurat publike, duke rritur vështirësitë për realizimin e tyre sipas planit të buxhetit për vitin 2009.
Nga ana tjetër, situata më e vështirë e likuiditetit në tregun e brendshëm financiar si edhe në tregun e huaj, po shoqërohet me rritjen e kostos së financimit të deficitit buxhetor, duke sjellë rritjen e ngarkesës fiskale në një periudhë afatmesme. Nga ana tjetër, realizimi i shpenzimeve publike duhet të përshtatet me nivelin e realizimit faktik të të ardhurave. Banka e Shqipërisë vlerëson se ruajtja e objektivit të përcaktuar në fillim të vitit për deficitin buxhetor, do ti shërbente më mirë realizimit të financimit të tij me një kosto më të ulët dhe çlirimit të fondeve për përdorim në tregun e brendshëm dhe për sektorin privat;
Nivelin e lartë të deficitit të llogarisë korente të bilancit të pagesave. Për shkak të paqëndrueshmërisë së eksporteve dhe rënies së dërgesave nga emigrantët, deficiti i llogarisë korente në bilancin tregtar shfaqet i përkeqësuar.
Nëse kjo prirje forcohet, ajo mund të ndikojë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e flukseve të valutës në tregun e brendshëm, duke ndikuar mbi kërkesën dhe ofertën për valutë dhe duke sjellë rritjen e luhatshmërisë mbi kursin e këmbimit të monedhës kombëtare.
Lëvizja e lirë e kursit të këmbimit, ofron një instrument automatik të korrigjimit të k