LSI, korrektor apo patericë për qeverisjen demokratike?
Deklarimet e bëra nga sekretarja amerikane e shtetit Ollbrajt se Ilir Meta është drejtues energjik dhe përfaqësuesi i një gjenerate të re të suksesshme politikanësh, por edhe ato të zotit Edi Rama se, Tirana do të ketë një zot, ashtu si Shqipëria ka Ilir Metën dhe qeverinë e tij..., sot, ashtu si vetë viti 2000 duken të largëta.
Ishte ky vit kur Meta do të merrte përgëzime për punën e tij në krye të ekzekutivit shqiptar edhe nga Komisioneri i jashtëm i Bashkimit Evropian Kris Paten, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler, Kryeministri Italian Xhuliano Amato, Presidenti i SHBA -ve Klinton, por mbi të gjitha nga populli shqiptar për arritjet e tij në qeverisje. Vitet e mëvonshme në politikë të Ilir Metës ishin një sagë e gjatë ndarjesh, dorëheqjesh, luftë bërrylash, përçarjesh, afrimesh të përkohshme, për të ardhur deri në ditët tona, ku Meta mbeti i luftuar më së shumti prej njerëzve të racës së vet, socialistëve.
Pas deklarimit të ditëve të fundit për bashkëpunim me Berishën e zhvillimit Konventës së LSI-së, Ilir Meta i dha fund dilemave e hamendjeve për zhvillimet e mëtejshme politike të partisë e në partinë që ai drejton, natyrisht pa shuar debatet për një veprim të tillë.
LSI, u lind si pasojë e zhvillimeve jo demokratike në gjirin e PS, pasojë e së cilës ishte dorëheqja e tij nga posti i kryeministrit dhe largimi nga partia ku Meta kishte qenë nënkryetar i saj. Pas Dushkut të viti 2005, ku të majtët humbën nga fakti se e kishin harruar fjalën popullore se nuk shkohet me mullixhiun nga inati i vjehrrës, PS-LSI u afruan dhe korrën një fitore spektakolare ne zgjedhjet e vitit 2007, për të ardhur në ashpërsimin e madh të anës së majtë.
LSI- simboli i mendimit ndryshe në politikën shqiptare
Copëtimi i bazës zgjedhore solli formimin e partive të reja të lindura kryesisht në tavolina bisedimesh, por që u shtruan si alternativa para një grushti shqiptarësh për të përcaktuar ndarjen e hiseve për partitë në vendin e vogël ballkanas. Partitë artificiale demonstruan se u mungon vullneti për marrëveshje apo konsensus kombëtar, deputetë anonimë u bënë me peshë në jetën politike, penguan zbatimin e reformave në vend, kryesisht nga fakti i pakënaqësisë së tyre për një thelë apo tortë qeveritare. Sistemi zgjedhor, Kodi i ri, modeli proporcional rajonal, i iniciuar nga socialistët dhe Edi Rama, synonte që ti eliminonte partitë e vogla, duke rrezikuar ta çonte politikën në një autokraci demokratike e parlamentin në një ngjashmëri të frikshme me atë të monizmit, ku fjalimet identike të deputetëve, që vinin të përgatitura nga e njëjta frymë partiake. Me futjen në grevën e urisë, LSI u bë simbol i kundërshtimit e mendimit ndryshe. Pluralizmi, së pari ishte fitorja e madhe e të menduarit ndryshe, jashtë shablloneve, diktatit të partisë, ishte fryma e lirisë e demokracisë, ndaj greva e urisë ishte një grevë lirie, përpjekje e atyre që nuk duan të jenë nën zgjedhën e mendimit uniform.
Indiferenca antihumane - ju keni të drejtë të vdisni dhe heshtja cinike- ju nuk keni çtë na bëni, e vulosur me një nga votimet më spektakolare të Parlamentit Shqiptar, 114 nga 140, tamam si për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit apo futjen në NATO, demokratë e socialistë, shpallën fitoren mbi grevën e urisë së deputetëve, kur LSI paralajmëronte deformimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Rebelimi i LSI mori mbi vetë mërinë e dy partive, të cilat nuk i dhanë asaj mundësinë të ketë përfaqësues në numërimin e votave.
Rama ndërkohë u duk se sfidën më të madhe të tij do të kishte reformimin e PS, e çorientuar nga humbja e vitit 2005, e tronditur nga grindjet spektakolare të turpshme televizive, e lodhur në parlament. Një punëtor i madh dhe i palodhur si Edi Rama, i papërtuar në lëvizjet e tij, me shumë pak ore gjumë, me shumë takime, gjithnjë në aktivitetet brenda e jashtë vendit, duket se i theu keqas gjithë kundërshtarët brenda partisë. Me fitoren e tij socialistët panë të arsyeshme të kthehen në një formacion solid ku kryetari ka një rol të fortë, duke pranuar shuarjen e zërit ndryshe, gjë që sillte rrezikun e afrimit pranë kryetarit të specializuarve për lajka e elozhe, asfiksimin e mendimit kundër. Në këto kushte koalicioni parazgjedhor që përfshinte dy gjysma- partitë socialdemokrate e G-99, u parapri nga slogani enigmatik i politikës së re, duke lënë jashtë djalin plangprishës, LSI-në. Në grupim mbeten disa nga ata që, janë lëkundur në shumë krahë të politikës, të kryeministrave e kryetarëve, apo ca të tjerë që konsiderojnë veten të virgjër se skanë gabuar asnjëherë, thjesht ngaqë asnjëherë nuk kanë prekur punë me dorë. Ndërkohë që, Berisha, si në aksionet e dikurshme që mobilizonin pionierët të mblidhnin kallinjtë pas makinave korrëse, grupoi rreth vetes parti e shoqata, për të mbledhur çdo votë të mundshme të djathtë, e majta nuk e bëri një gjë të tillë. Prurjet e reja në grupin e PS dhe brenda saj synuan të ishin përjashtuese. Të njohura nga lufta e klasave, idetë përjashtuese, ato të fillimeve nga e para, e lindjeve të mëdha, e daljes në dritë të një ylli, nuk çuan në një zhvillim të qenësishëm.
Ndarja tjetër e PS-LSI ishte ajo për listat e kandidatëve. Përpunimi i listave të mbyllura të deputetëve, e kundërshtuar nga LSI, çonte në pyetjen se si do të ishte parlamenti kur të gjithë deputetët do të dalin nga zyrat e partisë dhe a do ta ketë ky parlament Deputetin Ndryshe, një vuajtje e parlamentit tonë, ku zor të mbahen mend më shumë se rreth dyzet emra deputetësh që kanë folur diçka origjinale në foltoren e parlamentit. Listat e mbyllura, ato të rreshtuarve e të bindurve mendoheshin si listat e atyre, që edhe në rast se njëra prej partive humbet, të kënaqur që kanë dalë deputet, kryesisht dhe vetëm prej liderit të partisë, nuk do të kenë kurajon të kritikojnë vijën e partisë apo kryetarin, ndërkohë që as individualitetet e ngelura në parti nuk kanë mbështetjen për të kritikuar. Në lista u futën emra që do bëhen deputetë të klonuar apo prodhuar nga inkubatori kryepartiak. Kodi i ri dha shenjat e dështimit për socialistët, që po ankohen për çorbën që kanë përgatitur.
E sotmja e LSI-së, ceitnot politik apo lëvizje historike
Parulla Koha për ndryshim e socialistëve apo Bashkimi për ndryshim i demokratëve, kopje nga fushata Obama, duket se kishin si qëllim, të preknin elektoratin me proamerikanizmin. Por, duke kopjuar sloganin ndryshim nga fushata amerikane, të dy palët nuk e kishin kuptuar thelbin e asaj që përfaqësonte Obama dhe zgjedhësit amerikanët, që votuan për president një afroamerikan, në një vend ku kjo popullsi zë vetëm 12% të saj. Parulla ndryshim, që zëvendësoi atë të paradokohshme të bashkuar të socialistëve, erdhi në një kohë kur bashkimi i socialistëve dukej i dështuar, ndërsa zëvendësimi luftës kundër korrupsionit me ndryshim, kur anti-korrupsioni i demokratëve dukej i harruar, bënë atë që fjalët bashkim nga socialistët e korrupsion nga demokratët të mos përmendeshin më, gjë që të sillte në mëndje fjalët e popullit se nuk kujtohet litari në shtëpinë e të varurit. Më në fund kemi një rezultat zgjedhjesh që i ngjan një barazimi dhe lëvizjet e mbetura u vlerësuan se impononin pak rrugë për zgjidhje; krijimi i një qeverie stabiliteti me afat të shkurtër, koalicion të gjerë PS-PD, apo koalicion PD-LSI. Varianti i krijimit të qeverie teknike, sipas Metës do të krijonte destabilitet në një vend anëtar të NATO-s, por edhe mjaft të dobët ekonomikisht, ndërsa koalicioni i gjerë, përveçse do ta linte vendin pa opozitë, duket se shumë njerëzve do tu kujtonte rikthimin në identitet të politikës shqiptare, me imazhin e kthimit të saj në ish-Partinë e Punës, pasi edhe aktualisht parlamenti i ri është i tej mbushur me ish komunistë e pasues të tyre. Berisha e Meta zgjodhën rrugën e tretë atë të koalicionit midis tyre, siç thonë ata për zgjidhjen e krizës.
E nesë