Kriza, të gjithë sytë nga Brukseli

Liderët e Bashkimit Europian mbërritën në Bruksel disa orë para nisjes së samitit, që nga gjithëkush konsiderohet si jetik për të ardhmen e eurozonës dhe ndoshta të vetë Bashkimit Europian.
Kryefjala e samitit pritet të jetë propozimi frank-gjerman mbi një politikë buxhetore të përbashkët dhe aplikimet automatike të ndëshkimeve për vendet e eurozonës të cilat tejkalojnë shpenzimet buxhetore, jashtë mundësisë së tyre të përballimit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se euro ka humbur besueshmërinë. Ndërkohë, arritja e një marrëveshje vështirësohet nga qendrimi i Britanisë. Kryeministri britanik, David Cameron ka paralajmëruar se do të përdorë të drejtën e vetos në ndryshimin e traktateve, nëse këto ndryshime prekin interesat britanike.
Ky qendrim bie ndesh me synimin e Francës dhe Gjermanisë, dy vendet që kërkojnë ndryshimin e traktateve dhe rregulla më të forta. Parisi dhe Berlini kërkojnë më shumë kompetenca për organet e përbashkëta, vecanërisht për Komisionin, ashtu sic paralajmëroi kancelarja Merkel gjatë fjalimit të saj në Kongresin e PPE-së që mbylli punimet ditën e enjte në Marsejë të Francës.