Obama: Po shqyrtohen të gjitha mundësitë për Iranin
Presidenti amerikan, Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë në lidhje me Iranin dhe se do të bashkëpunojnë me aleatët e Amerikës, përfshirë edhe Izraelin, për të parandaluar Iranin të prodhojë armë bërthamore.
Obama tha se prodhimi i armëve bërthamore të Iranit është në kundërshtim me interesat kombëtare të sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, përfshirë edhe Izraelin, i cili dyshohet se edhe ai ka armë bërthamore.
Presidenti amerikan i mohoi akuzat e politikanëve opozitarë të partisë republikane se administrata e tij nuk ka bërë mjaftueshëm për ta ngadalësuar programin bërthamor të Iranit. Ai tha se administrata e tij në mënyrë sistematike i ka imponuar sanksionet më të ashpra që kanë qenë ndonjëherë kundër Iranit.