Kriza, traktatet e reja nuk janë të nevojshme

“Rregullat e ashpra për të përballuar krizën e borxhit që ka përfshirë eurozonën mund të arrihen pa ndryshimin e traktateve të BE-së”, tha presidenti i Këshillit të BE, Herman Van Rompuy.
Në një raport që do të shyrtohet në samitin e BE-së, që do të fillojë ditën e enjte, Van Rompuy ofron përshpejtimin e "kompaktësisë fiskale" që nuk ka nevojë për ratifikime të gjata nga parlamentet apo referendumet kombëtare.
Kjo, sipas z.Van Rompuy, "do të përshpejtonte zbatimin e reformave dhe do të hiqte çdo komplikim të mundshëm politik”.
Gjermania dhe Franca po ushtrojnë presion për një traktat të ri të BE deri në mars, duke thënë se rregullat e rrepta duhet të vendosen sa më shpejt.
Edhe Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur planin e tyre.
Por Sekretari i Thesarit, Timothy Geithner tha se Rezerva Federale e SHBA-ve, nuk kishte plane për të dhënë para për Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të rritur fondin e eurozonës.
Z. Geithner, i cili është duke zhvilluar takime me të gjithë liderët kryesorë të eurozonës gjatë vizitës se tij tre ditore në Evropë, theksoi se përveç reformave afatgjata, duhet më tepër veprim për të nxitur rritjen ekonomike në Evropë. Ai do të takojë këtë të mërkurë në Paris presidentin francez Nikolas Sarkozi.