Mblidhen ministrat e jashtëm të NATO-s

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s pritet të zhvillojnë takime dy ditore sot në selinë e aleancës në Belgjikë. Këto bisedime pritet të përqëndrohen në situatën në Afganistan dhe Pakistan, si dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Takimet vijnë mes tensioneve të ngritura me Pakistanin pas një sulmi ajror nga avionët e NATO-s në afërsi të kufirit afgan muajin e kaluar, që vrau 24 ushtarë pakistanezë.
Ministrat pritet që gjithashtu të diskutojnë rreth takimit ndërkombëtar të kësaj jave për të ardhmen e Afganistanit, si dhe rreth misionit të aleancës në Kosovë, pas dhunës së kohëve të fundit me serbët ku 50 trupa të NATO-s mbetën të plagosur.
Të enjten, ministrat e NATO-s do të bashkohen me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, për një takim të Këshillit NATO-Rusi.
Ky takim pritet të përqëndrohet në shqetësimet e Rusisë për vendosjen e planifikuar të një sistemi të mbrojtjes raketore të NATO-s në Evropë, dhe vjen pas kritikave të sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, për zgjedhjet parlamentare në Rusi.