E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ulet këmbëkryq, faji mbetet jetim

15-12-2011 / “El Pais”

Ndonëse jo në gjitha kontinentet ka të njëjtin përshkallëzim, deri më tani ia kanë dalë të ndihen më të çlirët Amerika Latine dhe Azia, e ndonëse çdo vend më vete shpërfaq edhe karakteristika të veçanta, kriza është globale dhe rolin kryesor në këtë dukuri e ka luajtur revolucioni i botës financiare duke nisur që nga vitet tetëdhjetë. Periudha e artë e shteteve të mirëqenies sociale, gjatë viteve 1945-1972, u karakterizua nga një rritje e pandërprerë e ritmeve të ekonomisë së vendeve të industrializuara, por mbi të gjitha, nga krijimi në masë i vendeve të punës, një dukuri kjo që nuk hasej para LDB-së dhe që pati ndërprerje aty nga mesi i viteve shtatëdhjetë. Epo, si mundet vallë që tashmë vendet e punës të bëjnë firo, duke u shndërruar ditëve të sotme në “lepurin këmbëshpejtë” që askush nuk e zë dot? Shkaku duhet kërkuar te konflikti social që zë fill kur zhvillimi ekonomik, rritja e vazhdueshme e pagave dhe vendet e punës u përfshinë për një kohë të gjatë si në një yjësi, ku “ylli polar” ishte shtresa punëtore. Vijimësia e kësaj gjendjeje do të sillte padyshim edhe një shndërrim të thellë të kapitalizmit, diçka që socialdemokracia e shpreh hapur (jo më kot e vlerësonte shtetin e mirëqenies sociale si mjetin e përshtatshëm për të përparuar drejt socializmit në demokraci) por është e kuptueshme edhe se zotëruesit e kapitalit duhej ta ndalnin këtë proces me të gjitha mjetet e mënyrat. Në të tilla rrethana nisi “revolucioni financiar”; që mbetet pa dyshim edhe shkaku i drejtpërdrejtë i krizës së kohës. Ulja e interesave dhe ngasja për përfitimeve sa më të mëdha i shndërron kursimet deri edhe në produkte jo-bankare. Vendin e kreditit bankar (tradicional) e zënë letrat më vlerë të lëshuara në tregun e vlerësimit, procedurë kjo që rëndom njihet si “titullarizim”. Këto institucione të reja financiare veprojnë mjaft të shpenguara, por mbi të gjitha lëvizin në një treg që pa humbur kohë kalon edhe përtej kufijve nacionalë. Pikërisht kjo dukuri është shkaku kryesor i çekuilibrave, të cilat, në rast se kanë arritur në përmasa kaq shkatërrimtare, kjo vjen për shkak se në këtë qerthull përfshihen edhe faktorë të tjerë: revolucioni teknologjik i informacionit dhe ai i komunikimit, çka mundësojnë njëtrajtësinë e tregjeve. Pikërisht ky globalizim pamundëson rregullimin e tregjeve të shteteve sovrane. “Inxhinieria financiare” mund të krijojë produkte financiare në masë, të cilat përmbyllen me një divorc rrënues të ekonomisë nga njëra anë dhe financës nga ana tjetër. Titujt financiarë, revolucioni teknologjik, globalizimi dhe çrregullimi i tregjeve janë katër elementët kryesorë që të shpien drejt rrëmetit, elementë të cilët gjenden të pranishëm edhe në krizën aktuale financiare që po përjetojmë ditëve të sotme. Në fakt, duhet shtuar edhe një element i pestë: davaritja e etikës së ujdive, që përtej përfitimeve, ka të tjera synime dhe mbart të tjera përgjegjësi. Ideologjia neo-liberale vijon të shpërfaqet si arsyeja e vetme dhe e përligjur, për shkak të pasojave çrregulluese të cilat e udhëheqin kapitalin të lëvizë nga t’i teket, në kërkim të rendimenteve më të larta, dhe kështu norma e interesit, që Keynes-i e pati lidhur me punësimin, mbetet jashtë kontrollit të shteteve. Këtu, nuk kam ndërmend të lëshoj kritika ndaj institucioneve të ndryshme financiare që gjetën rastin për të fituar pa hesap, ngaqë motoja e tyre është të shumëfishojnë fitimet. Askush nuk vriste mendjen se një ditë tullumbacja do të shfryhej, por veç të kishte sa më shumë liri veprimi për të fituar. Me tregje të globalizuara dhe me pronarë kapitalesh që kanë për udhërrëfyes lakminë dhe ideologjinë e sundimit, situata del gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit. Vetë shtetet nuk janë të afta të përballen me këtë situatë të kobshme, madje nuk ka as institucione të mirëfillta se ku të përplasin kokën. BE-ja nuk ofron një shtegdalje nga kriza, ndërsa kontinenti gjendet i ndarë mes vendeve të eurozonës dhe atyre që i tërheq Britania e Madhe, të angazhuara që Bashkimi Evropian të vazhdojë të mbetet vetëm si treg i shteteve sovrane. Të parëve u nevojitet një integrim më i gjerë politik dhe ekonomik për të vazhduar me bashkë/mbijetesën me euron, ndërkohë që të dytët janë të prirur të frenojnë fundosjen e monedhës së përbashkët, nëse e lyp nevoja. Madje, nuk ka as edhe institucione ndërkombëtare që munden, apo dëshirojnë, të rregullojnë tregjet, të cilat do të vijojnë të turbullohen deri në atë masë sa asnjëherë dhe askush mos t’i qetësojë, aq me tepër që qarin e shijojnë pak vetë, ndërsa qederin e provojnë shumë të tjerë. Nuk mund të kuptohet se çfarë po ndodh nëse nuk hidhet dritë te përfitimet vigane që lindin nga spekulimet me borxhet e shteteve sovrane. Por, si çdo e keqe që nuk mbulohet dot për një kohë të gjatë, edhe shtegdalja gjithsesi do të gjendet, sado e dhimbshme qoftë ajo.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›