E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza zhvendos marrëdhëniet tregtare me Greqinë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 14-10-2011 12:09

Greqia nuk është më e dyta në listën e vendeve më të cilat Shqipëria bën tregti. Të dhënat më të fundit të INSTAT-it tregojnë se, gjatë periudhës janar-gusht, Greqia ka zbritur nga vendi i dytë dhe është e katërta në radhë për volumin tregtar me Shqipërinë. E para vijon të jetë Italia, me rreth 50 për qind të volumit, ndërsa e dyta në vend të Greqisë vjen Turqia. Duket se tregtia me këtë vend është forcuar edhe më shumë kohët e fundit për shkak të tregtisë në dollarë dhe importeve më të lira që ofron. Në vend të tretë pas Turqisë, vendi në të cilin kryhen më së shumti marrëdhënie tregtare, është Kosova me një volum tregtar 8.7 miliardë për muajin gusht. Ndërsa në vend të katërt ka zbritur Greqia, në të cilën volumi tregtar ka qenë 6 miliardë lekë. Duket se kriza greke ka ndikuar në zhvendosjen e marrëdhënieve tregtare të Shqipërisë me vende të tjera, pasi shumë artikuj atje rezultojnë me çmime të larta për shkak të rritjes së taksave. Gjatë gjithë vitit 2009 janë importuar nga shteti fqinj, që është në krizë ekonomike, rreth 67 miliardë lekë mallra, ndërsa një vit më vonë, vlera e importeve ishte rreth 62.7 miliardë lekë. Brenda një viti, nga Greqia erdhën rreth 4.7 miliardë lekë më pak mallra, por duhet thënë që kjo vlerë mund të jetë më e madhe për shkak të zhvlerësimit të monedhës shqiptare ndaj euros. Por tregtia e jashtme e vendit tonë me vendet e Bashkimet Europian është ende nën potencialet e hapësirave që krijon Marrëveshja e Tregtisë së Lirë. Në një studim shkencor për zhvillimet e tregtisë së jashtme, të publikuar nga Banka e Shqipërisë thuhet se, rezultatet e modelit sugjerojnë se volumet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, si Greqia dhe Italia, janë pranë ekuilibrit potencial të mundshëm, ndërsa ekziston hapësira për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare me Gjermaninë dhe rajonin. Rezultatet e modelit për shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit sugjerojnë se volumet tregtare me këto vende janë shumë më poshtë ekuilibrit potencial. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet këtij studimi rekomandojnë mundësinë e intensifikimit të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit nëpërmjet përmirësimit të rrjetit infrastrukturor dhe integrimit të mëtejshëm. “Kështu, me anë të aplikimit të plotë të MSA-së, volumet tregtare do të intensifikohen ndjeshëm, jo vetëm me partnerët tregtarë tradicionalë, por edhe me vendet e tjera të BE-së”. Në fakt, Shqipëria nuk ka përfituar gjithçka pritej nga tregtia e lirë. Pasi ekspertët kishin parashikuar që të paktën çmimet e importit të uleshin 6 për qind, si rezultat i heqjes së tarifave doganore dhe rritjes së konkurrencës. Por kjo nuk ka ndodhur. Çmimet, përkundrazi janë rritur. Të gjitha studimet analoge për tregtinë e jashtme dëshmojnë edhe për mosshfrytëzim të potencialeve. Vlerat e ulëta të tregtisë ndër-rajonale përbëjnë një dobësi strategjike, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Iniciativat e Tregtisë së Lirë e kanë përmirësuar disi situatën, por ende ka hapësira të mëdha të pashfrytëzuara edhe me rajonin. Situata mund të përmirësohet sipas ekspertëve, duke maksimizuar mundësitë për eksport dhe dhënien e ndihmës eksportuesve të rinj. Italia është padyshim tregu më i rëndësishëm për Shqipërinë. Por marrëdhëniet e tregtisë me Italinë janë bazuar në përdorimin e fuqisë së lirë punëtore. Ekspertët e vlerësojnë se është një çështje kritike për Shqipërinë, që kontrolli, si i importeve dhe i eksporteve, është pothuajse në duart e palës italiane. Një synim i qeverisë, sugjerojnë ekspertët, është rritja e numrit të kompanive shqiptare që duan të shesin në tregun italian.

Ndërsa tregtia në rajon është shumë poshtë nivelit të dëshiruar, ka disa të dhëna të një ndikimi pozitiv nga marrëveshjet e Tregtisë së Lirë. Kosova është i vetmi vend, me të cilin Shqipëria ka një balancë pozitive. Lidhjet e ngushta dhe afërsia me Kosovën e bëjnë atë një treg të përshtatshëm për të gjithë eksportuesit shqiptarë.

Të dhënat më të fundit të INSTAT-it tregojnë se gjatë gushtit, Greqia është e katërta në radhë për volumin tregtar me Shqipërinë. E para vijon të jetë Italia, me rreth 10 për qind të volumit 50 për qind, ndërsa e dyta në vend të Greqisë vjen Turqia.

Volumi tregtar i muajit gusht

Itali 67,498

Turqi 10,119

Kosovë 8,738

Greqi 6,664

Zvicër 4,806

Spanjë 4,295

Gjermani 3,974

Kinë 3,540

Maqedoni 2,538

Austri 1,868

Britani e Madhe 131

Kroaci 190

Rusi 13

SHBA 1,234

Ukrainë 3

Vendet e BE-së 92,371

Të tjera të BE-së 7,941

Të tjera 6,428

Gjithsej 129,980

Të dhënat në milionë lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›