Kroaci, krijohen gjykata të posaçme antimafia
ZAGREB- Kroacia ka krijuar gjykata të posaçme, ka paraqitur programe të përmirësuara mbrojtjeje të dëshmitarëve. Po ashtu do të ristrukturohet forca e policisë në veprimet për të mposhtur krimin e organizuar që po rrezikon përpjekjet e vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
"Situata është serioze dhe nuk ka kohë për të humbur. Krimi i organizuar është përhapur aq shumë dhe po kërcënon sigurinë e qytetarëve tanë dhe ambiciet tona europiane", tha sot në parlament ministri i Drejtësisë.
Simoviç tha se janë ngritur katër gjykata të specializuara për krimin e organizuar të porositura për të zhvilluar procese të shpejta dhe efikase gjykimi .
Një tjetër ligj do të zvogëlojë përfitimet e kriminelëve që ndodhen të dënuar në burg, ku shumë kanë liridalje gjatë fundjavave dhe mundësinë për të përdorur rregullisht laptopët dhe telefonat celularë.
Ai tha se Kroacia do të ndihmojë gjithashtu programet e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe do të veprojë shpejt për të konfiskuar pasurinë e kriminelëve.
"Kjo do të godasë mafian aty ku i dhemb më shumë, në xhepat e tyre", tha ai.
Veprimet antimafia pasuan një valë incidentesh të dhunshme në Kroaci, përfshirë shpërthimin e një autobombe me 23 tetor, ku humbi jetën botuesi i një gazete dhe shefi i tij i marketingut, gjë që ka zbehur planet e vendit për të përfunduar bisedimet për anëtarësim në BE vitin e ardhshëm.
Trajtimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit ështe mes kërkesave kryesore që duhet të përmbushë Zagrebi për përfundimin e bisedimeve.
(d.b/BalkanWeb)