Kroaci, ratifikohet marrëveshja për anëtarësim në BE

Parlamenti i Kroacisë ka ratifikuar sot hyrjen e këtij vendi në Bashkimin Evropian. “20 vite prej pavarësisë ka ardhur koha që të bashkohemi”, tha kryeministri Zoran Millanoviç, duke e paraqitur para deputetëve marrëveshjen për anëtarësim në BE.
Të gjithë 136 deputetët e pranishëm e mbështetën marrëveshjen, e cila ishte nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel. Parlamenti i Kroacisë i ka 151 deputetë.
Në muajin janar, u mbajt referendumi për këtë çështje, në të cilin, gjithashtu afro 66% e kroatëve e mbështetën hyrjen e Kroacisë në BE. Pritet që Kroacia t`i bashkohet BE-së më 1 korrik të vitit 2013.