E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia dhe Turqia mbështesin integrimin e Bosnjës

Vullneti i këtyre vendeve u shpreh sot në një takim që u zhvillua në Zagreb mes ministrave të Jashtëm të tri vendeve.

"Vendosëm të fillojmë një seri bisedimesh për situatën në Evropën Juglindore lidhur me mënyrën për të kontribuar në stabilitetin, paqen dhe begatinë e këtij rajoni, dhe sidomos lidhur me mënyrën se si mund ta ndihmojmë Bosnje-Hercegovinën në rrugën e saj euro-atlantike", deklaroi për shtypin shefi i diplomacisë kroate, Gordan Jandrokoviç.

"Jemi shumë të kënaqur që Turqia u bashkua me këtë iniciativë, sepse kemi një përvojë të përbashkët të viteve 1990, kur kemi kontribuar së bashku në qetësimin e situatës në Bosnje, gjatë luftës së viteve 1992-1995", bëri të ditur Jandrokoviç.

Bosnja është vendi i Ballkanit Perëndimor që ka avancuar më pak në procesin e afrimit me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Vonesa e saj lidhet veçanërisht me paaftësinë e politikanëve për të ndërmarrë reformat që nevojiten për një funksionim sa më të mirë të institucioneve të vendit, shpesh të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve etnike.

Përpjekja e fundit e bërë në nëntor, e mbështetur nga Uashingtoni dhe Brukseli, për ta nxjerrë nga kjo krizë, përfundoi me dështim. Që prej përfundimit të konfliktit, Bosnja është e përçarë në dy entitete, serb dhe kroato-mysliman, të pajisur me autonomi të gjerë.

"Stabiliteti i Bosnjes është i barasvlershëm me stabilitetin e të gjithë rajonit. Shpresojmë që Bosnja të firmosë MSA-në dhe ne do t'i japim mbështetjen e plotë që ajo të anëtarësohet sa më shpejt në NATO", deklaroi ministri turk Ahmet Davutoglu.

Ministri turk dhe ai boshnjak pritet të takohen nesër në Beograd me homologun serb, Vuk Jeremiç, për të biseduar rreth po këtyre çështjeve.                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›