E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e grabitjes së 80.000 euro në shtëpinë e biznesmenit

 

Gjykata e Tiranës ka dhënë masat e sigurisë për katër të akuzuarit si grabitës të parave të biznesmenit të mermerit

TIRANË- Të qenurit studente dhe në sezon provimesh ka ndikuar që prokurori i çështjes t’i kërkojë gjykatës që ndaj 21 -vjeçares Elsa Kaja, e dyshuar si bashkëpunëtore në vjedhjen e 80 mijë eurove katër ditë më parë, t’i caktohet masa e sigurisë detyrim për paraqitje deri në zbardhjen e hetimeve përfundimtare. Kërkesë kjo e cila u pranua nga togat e zeza të kësaj gjykate duke vendosur që 21- vjeçarja Kaja të hetohet në gjendje të lirë deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, po dje, gjyqtari i masave, me kërkesë të prokurorit vendosi vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të katër të dyshuarve për vjedhjen e 80 mijë eurove biznesmenit të mermerit dhe caktimin ndaj tyre të masës së sigurisë “arrest me burg”.

Sipas prokurorisë, shtetasit Klodian Meraja, Jashar Meta, Lefter Xerozi dhe Afërdita Lela në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në mënyra të ndryshme kanë kryer vjedhjen e shtëpisë së administratorit të një firme mermeri e ndodhur në fshatin Tufinë të komunës Dajt. Mesditën e djeshme, përfaqësuesi i akuzës gjatë leximit të kërkesës për shqyrtimin e vlerësimit të arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë shpjegoi para gjykatës edhe rolet e secilit nga të arrestuarit në këtë vjedhje, duke e cilësuar 23- vjeçarin nga Korça por me banim në Tiranë, Klodian Meraja, si organizator i zbatimit të idesë së dhënë nga dy vajzat për vjedhjen e biznesmenit nga Tufina. Mësohet se dy vajzat Lela dhe Kaja kanë piketuar administratorin e firmës së Mermerit që mbante me vete shuma të mëdha parash e që i dërgonte në shtëpi. Pas piketimit të “gjahut” ata kanë njoftuar shokët e tyre Jashar Meta dhe Klodian Meraja që vuante vitet e burgut pranë ambienteve të institucionit të vuajtjes së dënimit në Shënkoll të Lezhës. Pas marrjes së këtij sinjali, i dënuari Klodian Meraja ka filluar të depozitojë kërkesa pranë administratës së burgut, duke kërkuar leje katër ditë për sjellje të mirë. Falë kësaj sjelljeje të mirë në institucionin e vuajtjes së dënimit, ka bërë që drejtuesit e burgut t’i japin lejen me të drejtë rikthimi në qeli. Me të marrë lejen, mëngjesin e katër ditëve më parë, Meraja ka organizuar bashkë me shokun e tij Jashar Meta mënyrën e vjedhjes së parave që ndodhen në shtëpinë e administratorit të firmës së mermerit. Pas kësaj, ata kanë përcjellë lëvizjet e administratorit dhe me largimin e tij nga shtëpia dy të rinjtë kanë hyrë me forcë duke vjedhur shumën e gjetur në shtëpi që kap shifrën e rreth 80 mijë euro. Pas vjedhjes së kësaj shume me ndihmën e babait të Klodian Merajës, shtetasit Lefter Xerozi emigrant në Greqi, ata kanë mundur të largohen dhe të vendosen në një apartament me qira në Malin e Robit pranë një kompleksi turistik në Durrës. Ku pas hetimeve paraprake të policisë dhe organit të akuzës u bë i mundur arrestimi i tyre, ku iu sekuestruan edhe paratë e vjedhura prej rreth 80 mijë eurove. Gjithashtu gjatë arrestimit atyre iu sekuestrua si provë materiale edhe makina e tipit “BMW” me targa “TR 2747 H” pronë e të dyshuarit Xerozi me të cilën kanë kryer vjedhjen dhe largimin nga vendi i ngjarjes. Arrestimi i tyre u krye katër ditë më parë në operacionin e policisë të koduar me emrin “Leja e Ndershme”, emër ky i marrë nga leja që organizatori i vjedhjes Klodian Meraja kishte marrë për të kryer grabitjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›