Kroacia, emri i ri për miqësoren e muajit gusht
Drejtuesit e FSHF-së janë vënë në punë për të siguruar sa më parë një miqësore në muajin gusht, kur trajneri Ari Han do të zhvillojë "provat gjenerale" për skuadrën që do të përballojë eliminatoret e Botërorit 2010. Lajmi është bërë i ditur nga zyra për shtyp e FSHF-së, e cila ka konfirmuar se përveç Turqisë, tashmë ekziston edhe varianti i Kroacisë për këtë miqësore. "Deri tani kemi dy variante, ku përveç Turqisë me të cilën kemi folur prej kohësh, ekziston edhe hipoteza e Kroacisë. Me këto skuadra kemi pasur kontakte të vazhdueshme, por asgjë nuk është vendosur ende përfundimisht. Kjo pasi presidenti Duka ka folur në Sidnei me drejtues të federatave të ndryshme për zhvillimin e një miqësoreje, ndërsa do të pritet edhe mbledhja e UEFA-s në fundin e këtij muaji për të diskutuar përsëri me skuadra evropiane për miqësoren e muajit gusht. Trajneri Han nuk ka ndonjë preferencë për këtë ndeshje, si për kundërshtarë të fortë, apo të dobët, thjesht ka kërkuar që të sigurojmë sa më parë ndeshjen për këtë datë", u shpreh shefi i zyrës për shtyp në FSHF, Tritan Kokona.