E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroati Davor Bratiç i pari që ikën, zgjedh skuadrën e Komos në Itali

Mesfushori i Flamurtarit, kroati Davor Bratiç, pritet të largohet nga skuadra aktuale, me destinacion Italinë. Sipas burimeve pranë futbollistit, mësohet se Komo është emri i skuadrës ku pritet të militojë 26-vjeçari sezonin e ardhshëm. Një skuadër që vite më parë ka luajtur në Serinë A, por që aktualisht gjendet në kategoritë e ulëta. Në këtë mënyrë, pas tre viteve thuajse të suksesshme në Shqipëri, kroati bën valixhet gati për të kaluar përtej Adriatikut, aty ku është ëndrra e shumë futbollistëve nga vendet e Ballkanit. Bratiç u shpall dy herë kampion me Skënderbeun, duke qenë një nga pikat kryesore në mesfushën korçare. Sezonin e fundit nuk pati sukses me Flamurtarin. Ishte trajneri Shkëlqim Muça që e solli Bratiçin në Shqipëri në vitin 2010, ndërsa sezonin e kaluar kroati kaloi te rivalët e Skënderbeut në dy sezonet e fundit, Flamurtari. Në tre vite qëndrimi, Bratiç regjistron 75 ndeshje të luajtura, 70 prej të cilave si titullar, në të cilat ka shënuar 9 gola.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›