E Diel, 1 Nëntor 2026

Krocera rrezikon te mbytet plotesisht nderpriten kerkimet

Krocera, e cila u perplas ne brigjet italiane, pak ditë më parë po fundoset plotësisht. Mëngjesin e së premtes u regjistrua një shkarje e re drejt thellësive që do të mbulonin tërësisht anijen, si pasojë punimet e kërkimit janë ndërprerë. 11 persona janë konfirmuar të vdekur, pasi “Costa Concordia” u përplas me disa shkëmbinj, por 21 të tjerë vazhdojnë të jenë zyrtarisht të zhdukur. Aktualisht, kryqëzori ndodhet pjesërisht i fundosur, në ujra me thellësi 15-20 metra, por është shumë pranë një grope detare prej 70 metrash, drejt së cilës është duke rrëshqitur gradualisht.
Mundësia e një rrëshqitje drejt fundit të detit të anijes bëhet edhe më e madhe, duke konsideruar parashikimet atmosferike, që flasin për mbërritjen e një stuhie që do të sjellë det të trazuar dhe dallgë të forta. Një shqetësim i madh për ekspertët është mundësia që 2 300 tonët e karburantit të rrjedhin, duke shkaktuar kështu një dëm ekologjik. Disa anije të specializuara në thithjen e naftës në det janë pranë bregdetit, por nuk ka asnjë garanci që katastrofa ekologjike do të shmanget.
Ndërkohë një video është duke qarkulluar në mediat italiane, që tregon pamje nga nata e mbytjes së anijes "Costa Concordia", ku shfaqen anëtarët ekuipazhit që sigurojnë pasagjerët se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, edhe pse anija kishte filluar të fuste ujë.
Në pamjet amatore, një anëtare e ekuipazhit thotë se “çdo gjë është nën kontroll”, dhe se një problem me gjeneratorin do të rregullohej. Sakaq, vazhdojnë hetimet ndaj kapitenit Francesco Schettino, i cili rrezikon deri në 15 vjet burgim, për shkak të vrasjes nga neglizhenca dhe braktisjes së mjetit në vështirësi.
Në marrjen në pyetje, ai ka pranuar gabimin në lundrim, por hedh poshtë spekulimet e mediave se ishte ndër të parët që braktisi anijen .
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›