E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitje me armë në rrugën nacionale

 

KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Grabiten me armë në rrugën nacionale Durrës-Kukës dy çifte nga Fieri. Autorët u rrëmbyen makinën dhe sendet me vlerë, në kohën kur ata kishin ndaluar për t’u çlodhur në afërsi të Skurajt, pranë kryqëzimit të autostradës Milot-Rubik. Të katër udhëtarët, Leonard Bana, 33 vjeç, me të shoqen si dhe kunati i tij Florjan Vrioni, 27 vjeç, me gruan e tij kishin qenë për të vizituar Kosovën, me një makinë tip “Ëolskvagen”, me targë FR 2789A, por në kthim ranë viktimë të grabitësve. Për t’i frikësuar, njëri prej grabitësve ka qëlluar me armë në këmbët e turistëve, duke u shprehur se do t’i vrisnin nëse denonconin. Orët e tmerrit, dy çiftet e reja i kanë treguar në komisariatin e policisë së Kurbinit, ku kanë qëndruar deri në orën 02:00 të ditës së djeshme. Ata kanë përshkuar autorët, por ndonëse policia thotë se është në gjurmët e tyre, ende nuk janë arrestuar. Leonard Bana, i cili ishte në timonin e makinës, pronë e tij, tregon për ngjarjen dhe atë që përjetuan. “Po ktheheshim nga Kosova, së bashku me kunatin, gruan time dhe bashkëshorten e kunatit. Makina kishte të vendosur tabelën se shitet dhe numrin e telefonit. Gjatë rrugës më mori në telefon një person, i cili ishte pas meje, që më kërkoi ta ndërronim makinën me një “Benz” me targë të Vlorës. Iu përgjigja që jo e vazhdova rrugën deri në hyrje të Laçit. Këtu kishim fiksuar një peizazh të bukur. Ndaluam në të djathtë të rrugës nacionale e u ulëm poshtë një peme se ishim të lodhur dhe për të ngrënë ushqimin që kishim me vete. Sapo nisëm të hanim, pamë dy persona, njërin që qëndroi pranë rrugës ndërsa tjetri erdhi pranë me kallash në dorë. E mbushi dhe tha të mos lëviznim, pasi në të kundërt do të na vriste”. Sipas 33-vjeçarit, janë detyruar të shtriheshin barkas, me fytyrë në tokë, duke i kontrolluar e marrë paratë që kishin me vete dhe çelësat e makinës. “Unë u ngrita dhe iu luta se e kisha marrë me kredi dhe akoma nuk e kam shlyer. I ndoqa nga pas kur hipën në makinë. Ai që po i jepte makinës i tha tjetrit: Vrite! Më qëlloi me breshëri te këmbët dhe unë mbeta aty”. Pronari i makinës thotë se i ka fiksuar të dy autorët, njëri prej të cilëve kishte shenjë në fytyrë. Sipas Banës, e shoqja kishte fshehur në trup celularin, me të cilin kërkuan ndihmë te 129, por thotë se policia nuk veproi me shpejtësi. “Ecëm me frikë deri te një pikë karburanti se mos na dilnin para e na vrisnin”. Punonjësi i karburantit i ka çuar në komisariat, ku regjistruan dhe denoncimin, në gjendje tejet të tronditur. Për orë të tëra ata nuk kanë mundur që ta kapërcejnë gjendjen e krijuar përballë kërcënimeve se do t’u merrnin jetën. “Do i kujtojmë për gjithë jetën ato që hoqëm gjatë atyre momenteve”, janë shprehur ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›