E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, një hap drejt formimit të partisë së re

Bojkoti ka marrë formë përfundimtare dhe nuk do të anullohet pa sjellë përjashtimin e atyre që e bezdisin Edvinin nga partia. Me Ramën tashmë janë një grup grash e axhaminjsh të tjerë, që Ben Blushi i cilësoi dje si “budallenj”, por ata do të shërbejnë si bërthama e formimit të partisë së re, të llogores së re politike, që do ta mbrojë Edvinin nga hetimet e drejtësisë, por edhe do ta shkëpusin nga vjetrit që i kujtojnë se kanë ardhur më shpejt se ai në PS. Bojkoti do të zgjatet sa “armiqve” t’u soset durimi, por nëse ata nuk do ta shkelin disiplinën partiake, Rama ka vendosur të durojë, mund t’i ndëshkojë në 2011-n, por edhe tek listat e 2013-s

Tashmë është një rrugë pa kthim formimi i një partie të re nga ana e Edvin Ramës, i partisë së vërtetë edviniste, i partisë së tij, të Ledi Shamkut, Rudina Seserit, Ditmir Bushatit, Ilir Beqjes, Saimir Tahirit, Eduard Shalësit dhe të tjerëve që mendojnë, punojnë e kurohen njëlloj si ai. Mbledhja e djeshme e kryesisë socialiste është karakterizuar nga vendosmëria e Edi Ramës për të mos tentuar kurrfarë kompromisi, as me parlamentin, as me demokratët, as me Ben Blushin e skifterët e ndryshëm kundërshtues në parti, bile as me Pandeli Majkon, Namik Doklen e ndonjë tjetër, delfinët e rinj të politikës së tij “të re”. Humbja e zgjedhjeve me 28 qershor po shërbën veç si shtysë për t’i dhënë një moment final transformimit të Partisë Socialiste në një parti të re. Për këtë aspiratë, për këtë betejë (se është kjo ambicia e vërtetë e Edvinit dhe jo qepja e të gjitha sensibiliteteve brenda ish-komunistëve), Rama është fort i interesuar, pasi krijimi i këtji establishmenti privat, do të ishte edhe hipoteka e duhur për të mbajtur në këmbë interesat ekonomike, që janë shndërruar në aksin kryesor “prodhues” në bashkinë e kryeqytetit.
Për krijimin e partisë së re të socialistëve, paçka se mbetet për t’u parë peshorja finale - nëse Edvini do e privatizojë PS-në, duke i përjashtuar “armiqtë”, apo do t’u lërë disidentëve gërmadhën elektorale e do të niset përtej së majtës e së djathtës, drejt një bashkimi të ri me Erion Velinë dhe 99-shat e tjerë – duhet të çimentohet një bojkotim afatmesëm. Pas vendimit të djeshëm, do të nisë një lojë durimi e kunjash, mes Edi Ramës dhe edvinistëve të tjerë nga njëra anë, të cilët nuk kanë ndonjë nxitim të madh të shkojnë në parlament, pasi ata s’kanë ndërmend të ndërtojnë karrierë politike dhe janë deputetë veç si freskore e Ramës, dhe Ben Blushit e politikanëve të tjerë të karrierës nga llogorja tjetër, të cilët në parlament e kanë mbijetesën politike, dhe jo në mbledhjet me dyer të mbyllura të PS-së, bile as në intervistat gjysëmilegale nëpër media.
Vendimi për bojkot tashmë është marrë nga pjesa private e Edit në PS, e përbërë nga delfinë të rinj lëpirësa (Ruçi, Dokle, Dade, Majko, etj) dhe politikanë “budallenj” (pa ndonjë kosto politike), si Seseri, Shamku, Tahiri, etj. Politikanët e karrierës kanë mbetur në paradhomë, krejt të pafuqishëm e s’dinë si ta ndalin njeriun që po u shkatërron investimin, për shkak të nevojës së ngutshme për mbrojtje juridike, koracim personal e zhvatje të përshpejtuar. Ben Blushi e thotë hapur se bojkoti është një lëvizje krejt personale e Edvinit, për interesin e tij ngushtësisht personal, por s’ka guximin të pohojë se ndaj këtij vendimi s’mbetet asnjë lëvizje për të bërë. Edvini s’ka ndonjë nxitim të kthehet në parlament, pasi apatrid është, parlamentar i mirëfilltë nuk është dhe ka të gjithë interesin që plagët e humbjes t’i fshehë duke “shkëlqyer” me mungesën e opozitës në sallën e seancave plenare. Pas 28 qershorit ai ka kohën me vete dhe është i vendosur që ta shfrytëzojë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që politikanëve socialistë të karrierës t’u mungojë aq fort ajo sallë sa të shkojnë atje pa leje. Aty vjen faza e gijotinës dhe e likuidimit politik. E në mos e ndërmarrshin këtë sakrilegj, le të thahen edhe jashtë parlamentit, nëpër mejhane, kafene apo edhe tek fallxhore të ndryshme. Gjithsesi koha do t’i shndërrojë ata jopolitikanë dhe gijotina do të veprojë sërish, qoftë në zgjedhjet vendore të 2011-s, por edhe kur të vijnë ato fatlume lista elektorale në legjislaturën tjetër. Koha punon për Edvinin dhe për partinë e tij personale. Stacionet e politikës edviniste tashmë janë të qartë, edhe “budallaqet” që do ta ndjekin.
Surprizat priten në palën tjetër, në pastë ndonjë eksponent që të mendojë me kokën e vet, e ç’është më e rëndësishmja edhe që të ketë kurajon të marrë vendimin për t’u përballur... për partinë e tij, por pikë së pari, për karrierën e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›