Kronika/ Ruçi i përgjigjet pas 24 orësh ftesës së Patozit
Sot rreth orës 11.00 do të takohen negociatorët e mandatuar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe Edmond Spaho me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, për të negociuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi ka pranuar më në fund ftesën e kreut të grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi dhe sot në orën 11:00 do të takohen në Kryesinë e Kuvendit për të diskutuar për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Ky takim vjen pas ftesës që kreu i grupit kuvendor të demokratëve i bëri dy ditë më parë Ruçi për t’u takuar në fundjavë, me qëllim që të bisedojnë për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit.
Kreu i grupit kuvendor demokrat, njëherësh një prej anëtarëve të treshes negociatore të PD-së për Presidentin i dërgoi të premten një ftesë kreut të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi, ku i shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të dialoguar në funksion të gjetjes së mundësive për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm me konsensus të gjerë parlamentar. Patozi theksoi në letrën e tij se “në filozofinë e Partisë Demokratike, zgjedhja e presidentit duhet të shërbejë për ngritjen në një nivel të ri të komunikimit mes forcave politike. Ne jemi të hapur që të takohemi që nesër me negociatorët tuaj, pasi zgjedhja e Presidentit duhet të shërbejë për ngritjen në një stad të ri të emancipimit të shoqërisë sonë demokratike”, shkruan Patozi.
Kreu i grupit kuvendor demokrat e ftoi Ruçin të takohen në mjediset e Kryesisë së Kuvendit kurdo që të jetë momenti, pasi mazhoranca i konsideron procedurat për konsultimin e Presidentit si një moment solemn. Ky takim vjen fill pas përfundimit të negociatave për zgjedhjen e Presidentit mes PD-së dhe aleatëve të saj në qeveri.
Grupi negociator i PD-së për zgjedhjen e Kreut të Shtetit përbëhet nga kryeministri Sali Berisha, kreu i grupit kuvendor Astrit Patozi dhe deputeti demokrat Edmond Spaho.
Ndryshe nga takimet me krerët e partive të tjera, negociatat mes PS-së dhe PD-së nuk do të kryesohen nga kryeministri Sali Berisha e kreu socialist, Edi Rama, por nga krerët e dy grupeve parlamentare.