E Diel, 1 Nëntor 2026

Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar

Historia u përsërit, edhe pse disa dekada më vonë. Njësoj si e ëma, edhe i biri, do të kishte një fund tragjik, veçse jo në të njëjtën moshë me të. Djali i poetëve Ted Hjuxhs dhe Silvia Plath vrau veten 46 vjet pas vdekjes së të ëmës. Nikolas Hjuxhs vari veten në shtëpinë e tij në Alaskë, pasi "luftoi" kundër depresionit për një kohë të gjatë. Lajmi u dha pardje nga e motra, Frieda, përmes një komunikate për shtyp. Në moshën 47- vjeçare, i pamartuar dhe pa fëmijë, Nikolas, deri pak kohë më parë, punonte si profesor i specializuar në studimet detare në Universitetin e Alaskës. Ai ishte fëmijë në kohën kur e ëma, poetja e famshme, Silvia Plath, ndërroi jetë, megjithatë kjo nuk e pengoi atë që të shkruante se çfarë përfaqësonte ardhja e tij në jetë. Në një nga poemat e saj, "Nik dhe Candlestick", që u publikua pas vdekjes në përmbledhjen "Ariel", Silvia thoshte se ai ishte i vetmi që i jepte kuptim jetës së saj, duke treguar se sa shumë e donte. Pas vdekjes së saj, i ati shkroi se si sytë e djalit të tyre lageshin nga lotët e dhimbjes, teksa e ushqente të ulur në karrigen e tij të bardhë. Ai, e motra dhe i ati, nuk u çliruan kurrë nga hijet për vetëvrasjen e Silvia Plathit në vitin 1963 dhe kultet që u ngritën më pas rreth kujtimit të saj.

Ted Hjuxhs, gjatë gjithë jetës së tij ishte konsideruar nga feministët dhe përkrahësit e Silvias si shkaktari i vetëm që e shtyu atë drejt vrasjes për shkak të tradhtive. Në vitin 1969, ai vuajti një humbje tjetër të tmerrshme. E dashura e tij vdiq së bashku me vajzën e tyre, për shkak të asfiksimit nga gazi, një vdekje e ngjashme me atë të Silvias. Miku i Silvias, poeti dhe kritiku Al Alvarez, pati thënë dikur: "Do të doja të mendoja se mrekullia e kulturës ekziston sepse Plath është një poete jashtëzakonisht e madhe. E vërteta nuk është kështu. Kultura është e bukur, sepse njerëzit janë shumë të interesuar pas skandaleve dhe thashethemeve". Martesa e saj me Hjuxhs u shndërrua në një legjendë moderne, që nga takimi tyre në Kembrixh, kur ai e puthi në buzë vajzën me një bursë "Fulbrigjht", ndërsa ajo e goditi fort në faqe, te martesa e tyre sekrete, e deri te fundi i saj i palumtur. Për opinionin publik, fëmijët e saj janë fiksuar në kujtesën e tyre ditën e vetëvrasjes, përkatësisht një dhe dy vjeç, të shtrirë në krevat dhe të mbrojtur mirë nga rrjedhja e gazit që i mori jetën nënës së tyre në dhomën ngjitur. I ati bëri gjithçka për t‘i mbajtur fëmijët larg interesit të tmerrshëm të njerëzve për vdekjen e së ëmës dhe nuk u tregoi atyre se ajo kishte vrarë veten deri sa ishin adoleshentë. Frieda Hjuxhs u bë sërish e njohur për publikun në moshën 20-vjeçare, kur publikoi librin e parë. Ajo u bë një artiste e famshme, poete dhe opinioniste që foli dhe shkroi rreth prindërve të saj dhe betejës me depresionin, veten dhe anoreksinë. I vëllai nuk u bë kurrë aq i famshëm sa ajo, megjithatë edhe ajo pati jetën e tij. Një mik i familjes tha mbrëmjen e shkuar se: "Nik nuk ishte vetëm djali i vogël i Plath dhe Hjuxhs dhe do të ishte gabim të mendoje për të si një lloj figure tragjike të pashmangshme. Ai ishte një biolog dhe specialist detar, me një karrierë të pasur akademike mbi shpinë, një njeri mikpritës me shumë miq dhe vlera. Ky është njeriu për të cilin duhet të vajtojnë ata që e njihnin". Frieda Hjuxhs udhëtoi drejt Alaskës pardje. Përmes një deklarate ajo tha se "ishte shumë e prekur se i duhej të njoftonte për vdekjen e të vëllait, Nikolas Hjuxhs, që ndërroi jetë si pasojë e vetëvrasjes, të hënën, më 16 mars 2009, në shtëpinë e tij në Alaskë. Prej disa kohësh, ai vuante nga depresioni". Nikolas ishte një ekologjist revolucionar i specializuar në studimet për zënien e peshkut, i cili udhëtoi mijëra milje përreth Alaskës me qëllim studimin. "Gjithë jetën ia kushtoi pasionit të tij për peshkun dhe peshkimin, një tipar që e bënte të ngjashëm me babain tonë. Shumë prej poezive të shkruara nga ai i kushtohen bukurive natyrore. Nikolas ishte një vëlla i dashur, një mik besnik për të gjithë ata që patën mundësinë ta njihnin që, pavarësisht vështirësive ku e përplasi jeta, gjithmonë ishte entuziast dhe i sinqertë për projektet dhe planet që kishte". Vetëm pak kohë para se të vdiste, ai hoqi dorë nga puna në universitet dhe vendosi t‘i përkushtohej krijimit të vazove dhe objekteve prej qeramike, një tjetër talent i tij i fshehur. Pavarësisht se ekziston mendimi se depresioni është i trashëgueshëm, nuk është zbuluar asnjë gjen për vetëvrasjen që mund ta lidhte vdekjen e tij me atë të së ëmës. Paul Farmer, drejtoi i përgjithshëm i "Mind", (The Mental Health Charity), tha: "Vetëvrasja është një çështje shumë herë më komplekse se sa një pyetje që lidhet me gjenetikën, por ka fakte se, nëse ndonjë anëtar i familjes suaj është vetëvrarë, rreziku që të bëjnë të njëjtën gjë anëtarët e tjerë të familjes është i lartë". Prindërit e Nikolasit, Ted Hjuxhs dhe Silvia Plath, u ndanë para se ai të mbushte një vjeç. I ati vendosi të largohej nga poetja e madhe për të jetuar me Asia Vevill, një gruaja "ekzotike" e një tjetër poeti. Dimri që pasoi ishte shumë i vështirë për të. E mbetur vetëm me dy fëmijë për të rritur dhe shumë e dobët mendërisht, shumë shpejt Silvia ra pre e depresionit të vazhdueshëm. Ajo shkroi shumë nga poezitë e saj më të bukura në shpërthimin final të krijimtarisë dhe vrau veten në moshën 31-vjeçare, një mëngjes të ftohtë shkurti. Gjashtë vjet më vonë, Vevill, që pati jetuar me Hjuxhs dhe fëmijët më shumë se sa Silvia, helmoi veten me gaz. Ishte 23 marsi i vitit 1969, 40 vjet më parë, dhe vdekja e saj ndryshoi nga ajo e Silvias vetëm në një aspekt: gjatë këtij procesi, ajo kishte vrarë edhe fëmijën e saj katërvjeçar. Për shkak të presionit të biografëve, Hjuxhs qëndroi i heshtur dhe nuk u shpreh asnjëherë për këtë ngjarje deri në fund të jetës. Në vitin 1995, ai publikoi me dhjetëra poema që kishte shkruar për Vevill, të fshehura mes 240 të tillave në përmbledhjen "Poema të zgjedhura". Në vitin 1998, më në fund ai "rrëfeu" në koleksionin "Birthday Letters" rreth 88 poema që tregonin për jetën e tij të kaluar me Plath dhe reagimet për vdekjen e saj. Këto poema ndryshuan reputacionin tij nga një njeri që nuk kishte dhënë asnjë kontribut për fatin e së shoqes në diçka më komplekse. Në një letër për poetin Kathlin Raine, ai thoshte se kishte dëshirë t‘i publikonte ato më shpejt. "Mund të kisha pasur një karrierë më të frytshme nëse do të kisha pasur një jetë më të qetë psikologjikisht. Hjuxhs ia dedikoi përmbledhjen me poezi "Birthday Letters" fëmijëve të tij. Ishte e pazakontë për një libër me poezi që u kthye në bestseller, duke shitur më shumë se 150000 kopje vetëm në Britani. Në vitin 1999, kur u nderua me çmimin "Whitbread Book of the Year", Ted kishte vetëm pak muaj që kishte vdekur. Ishte Frieda ajo që e mori çmimin në emër të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›