E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhon Kenedi dhe bukuroshja austriake

Një gazetë austriake bie në gjurmët e djalit të supozuar të Presidentit-Kazanova Xhon Kenedi, të vrarë në Dallas. Ai ka lindur në vitin 1946, nga një lidhje me një ish-balerinë, mbesën e perandorit të fundit të Austrisë

Në mjegullën e dendur e të pafundme të dashurive të vërteta dhe atyre imagjinare, shfaqet edhe ajo e mitit që nuk do të vdesë kurrë, Xhon Kenedi, me një emër gjigant, që ka bërë historinë e Evropës: Habsburgët. Mes pasardhësve të panjohur të Presidentit të vrarë, do të ishte edhe një djalë, Kenedi-Habsburg, fryt i një marrëdhënieje të fshehtë mes dy dinastive të lidhura nga dashuria e ish-presidentit dhe një balerine fisnike.

Ndoshta duhet t‘i besojmë rrëfimit të një zonje 87-vjeçare shumë elegante dhe dinjitoze, Elisabet Hortenau, e cila i ka treguar një gazete vjeneze se ka pasur një histori dashurie me ish- presidentin amerikan, Xhon Kenedi. Nga kjo lidhje e fshehtë lindi një djalë, Antonio (Toni), që sot është një zotëri 63-vjeçar dhe jeton në Kaliforni. Ky nuk është as i pari dhe as i fundit fëmijë që i atribuohen Xhon Kenedit. Pak kohë më parë, në faqet e para të gazetave, u publikua edhe një rast tjetër në Kanada, që tregonte për një fëmijë të fshehtë të Presidentit.

Nëse Lisa Lanet nuk do ta kishte refuzuar ofertën e një djaloshi amerikan për t‘u martuar me të, kjo grua austriake do të bëhej Zonja e Parë e Amerikës në vend të Zhaklinë Kenedi. Në fakt, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Lisa ra në dashuri me Xhon Kenedin dhe prej tij, pati një fëmijë, Toni, që sot është 63 vjeç. Një pasardhës austriak i familjes Kenedi, për të cilin deri tani nuk dihej asgjë dhe se ekzistenca e tij është zbuluar nga e përditshmja vjeneze "Kurier". Gazeta ka arritur të bjerë në gjurmët e Lanet, e cila sot është 87 vjeçe, dhe gëzon shëndet të plotë. Lanet drejton një zyrë të vogël imobiliare në Shtetet e Bashkuara, një aktivitet i panjohur për një grua me një histori të rrallë. Lisa Lanet, e lindur në Vjenë, në vitin 1921, ose ndryshe Elisabet Hortenau, është mbesa e arkidukës Otone Françesko Habsburg, babai i Perandorit të fundit të Austrisë Karli I. "Bukuroshi Otone" pati dy fëmijë nga një lidhje jashtëmartesore. Njëri prej tyre ishte Alfred von Hortenau, babai i Lisës. "Kur Hitleri pushtoi Austrinë në 1938-ën, ndodhesha me nënën time në Romë", i ka shpjeguar gruaja së përditshmes "Kurier". "Vendosëm që të ktheheshim në shtëpi dhe emigruam për në Shtetet e Bashkuara". Pas një martese të shkurtër me një meksikan, Lisa Lanet u transferua në Feniks, në Arizona, ku e ëma hapi një motel me emrin ‘Monterey Lodge‘ dhe këtu, gjatë luftës, erdhi në konvaleshencë ushtari Xhon Kenedi. Lisa e njohu Xhonin në Feniks dhe ky është një fakt që përmendet edhe në biografinë e Xhon Kenedit ‘Një jetë e papërfunduar‘. Xhon ishte katër vjet më i madh se ajo, por kur e pa, ra menjëherë në dashuri me të. Lisa jetonte duke kërcyer dhe aktruar. Që nga ai çast, mes 25-vjeçarit zyrtar të Marinës dhe bukuroshes austriake 21-vjeçare lindi dashuria. "Shkuam në Majami e Nju Jork dhe kaluam një fundjavë në Kubë. Në pranverën e vitit 1945, mbeta shtatzënë. I kërkova takim Kenedit dhe i dhashë lajmin. Më pas, ai më kërkoi që të martoheshim".

Ky propozim nuk e joshi aspak Lanet, pasi kishte mbetur e zhgënjyer nga përvoja e martesës së parë. Kështu, pas lindjes së Tonit, rrugët e tyre u ndanë, edhe pse më pas ai pagoi edukimin e fëmijës. Sot Toni "Antonio" Bohler jeton në Kaliforni, është i divorcuar, ka dy fëmijë dhe e di historinë e prejardhjes së tij. "Kur isha i vogël, nëna më thoshte se babai im ishte burri i saj i parë, Juan del Puerto. Unë kisha dyshimet e mia, sepse Juan kishte pamjen e një meksikani, ndërsa unë jo". Ndoshta mund të jetë thjesht efekti i jashtëm i elegancës dhe sertësisë së kësaj zonje të moshuar që e bën më të besueshme historinë e saj, sigurisht më shumë se ajo e "djalit të jashtëligjshëm" në Kanada që revista "Vanity Fair" thoshte se kishte zbuluar një vit më parë, po më pas u tërhoq për mungesë provash konkrete. Elisabet Hortenau ka dëshiruar që bota të ishte në dijeni të kësaj historie, ashtu siç është edhe i biri, të cilit ia tregoi emrin e babait biologjik vetëm në vitin 1963, pasi Xhon Kenedi u vra në Dallas. Kush e njeh Lisën e beson se po tregon të vërtetën dhe se është shtyrë vetëm nga frika që të mos e merrte me vete në varr këtë histori. Megjithatë, nuk ka ende prova zyrtare se ai mund të jetë trashëgimtari i Xhon Kenedit (edhe pse disa persona duket se e pohojnë këtë fakt). Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Toni do të ishte ura lidhëse mes Kenedit dhe Habsburgëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›