E Diel, 1 Nëntor 2026

A e dëmtojnë NATO-n idetë e Francës?

Për ministrin e Mbrojtjes të Francës, Herve
Morin, është shumë e qartë: nuk është e
rëndësishme se si ka filluar NATO-ja, ose çka
është menduar të jetë ajo, sot aleanca është
ajo që ai e cilëson si "instrument i ruajtjes së paqes
dhe sigurisë" jashtë kufijve të aleancës.
Aktualisht, ai ka thënë se e kundërshton të ashtuquajturën
dinamikë "globale të NATO-s". Analisti
James Phillips, nga Fondacioni "Heritage" në Uashington,
pjesërisht pajtohet me këtë vlerësim. Ai thotë
se aleanca duhet të kthehet në statusin fillestar, si
një aleancë që fizikisht do të mbrohej nga ndonjë
kërcënim i jashtëm, që atëherë konsiderohej Bashkimi
Sovjetik. Por, ai thekson se është e rrezikshme
që të neglizhohet qëllimi fillestar i NATO-s.
"NATO-ja është aleancë për luftë, e themeluar
për ta mbrojtur sigurinë kolektive të anëtarëve të saj.
Në vitet e fundit, pjesa më e madhe e operacioneve
të saj ishin paqeruajtëse dhe ndërtimi i sigurisë në
periudhat pas konfliktit.
Megjithatë, mendoj se do të ishte e rrezikshme
që të neglizhohet qëllimi fillestar i NATO-s, që është
për t‘i mbrojtur anëtarët e vet nga agresioni i jashtëm",
thotë analisti Phillips.
Ai, më tutje thotë se nëse NATO-ja e vazhdon të
ashtuquajturën qasje "globale", ajo do të dobësohet.
"Mendoj se, për fat të keq, shumë vende evropiane
i kanë degraduar mbrojtjet e tyre, saqë ato i shohin
armatat e tyre, në rend të parë, si punonjës socialë.
Mendoj se nëse kjo vazhdon deri në një ekstrem,
atëherë, për fat të keq, do t‘i dobësonte përpjekjet
për mbrojtje të aleancës së NATO-s", thotë
analisti Phillips, duke shtuar se nuk pajtohet me
sugjerimet e ministrit të Mbrojtjes së Francës, se
bashkëpunimi me Moskën, me gjasë, do ta mbajë
NATO-n e fuqishme, ndërsa ballafaqimi me të do ta
dobësonte aleancën.
Analisti Phillips thotë se një qëndrim i tillë i
përgjigjet Rusisë, e cila jo vetëm që e kundërshton
zgjerimin e NATO-s, por kërkon që ajo të shkatërrohet.
Në këtë aspekt, sugjerimet e ministrit francez,
Herve Morin, analisti Phillips i konsideron "kundërproduktive".
Por, analisti Ted Carpenter, nga instituti
CATO në Uashington, thekson se ideja që
NATO-ja duhet të bashkëpunojë me Rusinë ishte
forcuar në Evropën Perëndimore. Ai thotë se gjatë
një dekade e gjysmë, evropianët hezitonin t‘i
kundërvihen Rusisë, duke besuar se një sjellje e tillë
do të mund të çonte te konfrontimi i ri, i ngjashëm
me Luftën e Ftohtë.
Analisti Carpenter thotë se dy valët e para të
zgjerimit të NATO-s i kishin dëmtuar shumë raportet
ndërmjet Perëndimit e Rusisë, ndërsa, sipas tij, vala
e tretë, me synimin që në NATO të anëtarësohen Gjeorgjia
dhe Ukraina, mund ta përkeqësojë edhe më
tepër situatën. Ai më tutje shpjegon se shpeshherë,
qasja e Perëndimit, në një formë të patronazhit ndaj
Rusisë, gjatë viteve ‘90, dhe zgjerimi i NATO-s në
kufijtë e Rusisë, kanë ndikuar në forcimin e personalitetit
të Vladimir Putinit.
"E gjithë kjo i ka goditur elementet demokratike
dhe properëndimore në Rusi dhe u ka shkuar për
shtat elementeve më nacionaliste-autoritare. Për
mua kjo është tragjedi - e cila ka mundur të evitohet
- që ka krijuar rritjen e stilit nacionalist të llojit të Putinit.
Sigurisht se zgjerimi i NATO-s nuk ishte i vetmi
faktor, por ai nuk ishte i parëndësishëm", thotë analisti
Ted Carpenter.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›