E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 tradhtitë e Edi Ramës

Spartak Braho 

Lexova jo pa kureshtje në gazetën “Panorama” intervistën kryetarit të PS, z. Rama “Projekti i Liqenit, risi evropiane për Tiranën”. Në fund ajo që dominoi në përshtypjen time, është se ky njeri është i paskrupullt, demagog, hileqar,  por dhe një frikacak i madh. E them këtë të fundit, se në të gjithë intervistën e tij nuk e zë në gojë kurrkund Sali Berishën dhe familjarët e tij ... përfitues nga ky projekt i madh bashkiak. Kurrkund nuk e përmend atë Sali, që i hoqi “lëkurën” Kryetarit të Bashkisë para disa vitesh për digën e liqenit! Asnjë fjalë, makar si për çudi as si u fut vajza dhe dhëndri i Saliut në mes të 60 pronarëve të liqenit? Si u bënë këto projekte dhe si u dhanë këto leje ndërtimi për fushat sportive të sportklub “Dinamo” dhe “Partizani” etj., pa ligj dhe në shkelje të tij! Këtë radhë në intervistë, Edi Rama qesëndisjet ndaj Sali Berishës i kishte zëvendësuar me agresivitet e sulme ndaj “mikut tim Ilir Meta”, madje këtë radhë edhe shumë kërcënues. Kam qeshur me të madhe, sepse unë që e njoh mirë trimërinë e tij, thashë me vete se këtij frikacaku, por edhe i pasur me ato që po bën e luan, ka ardhur koha t’i sharrohen këmbët, si “tradhtar”, siç thoshin dikur në kohën e luftës partizane. Fundja, vetë zoti Rama e ka quajtur “luftë civile” luftën partizane, kështu që le t’i bëjë ballë  “tradhtive” të tij me Sali Berishën, por dhe llogaridhënies me socialistët, që i duken kryetarit të tulatur tani. Por le të merremi dhe analizojmë në këtë rast cilat janë tradhtitë e Edi Ramës, që kanë mbushur kupën politike të tij, e që i kanë bërë imediat “ndëshkimin” politik të tij.
Pra, që “trimi Rama” dhe pasuesit e tij të mos na akuzojnë për prejardhjen komuniste (jo prej Blloku), sqaroj që në krye se fjala “tradhtar” e përdorur në kontekstin e këtij shkrimi, nuk ka ngjyrën në kuptimin klasik të saj të përdorur nga ideologjia komuniste, por e parë në kuptimin e fjalës “tradhtar” siç u quajt Hamza Kastrioti nga daja i tij Gjergj Kastrioti, pra siç thotë populli në enciklopedinë e tij, në kuptimin e një njeriu që shitet tek armiku ose blihet prej tij.
Pra, në këtë kuptim, mua më dalin llogaritë, se tek “armiku” Sali Berisha, Kryetari i PS dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, është shitur nja 12 herë dhe është blerë 12 herë.
1. Kush i tradhtoi zgjedhjet
në 3 korrik 2005?
Këto zgjedhje kaluan pushtetin nga PS-ja tek koalicioni i djathtë i Sali Berishës, sepse me votat e majta të dhëna nga PA, PBDNJ dhe 8 deputetë që iu hoqën LSI, Berisha ndërtoi dhe mbron këtu e tre vjet qeverinë. Ishte kjo një “tradhti” kolektive e Nano-Ramës & Co, që i çoi socialistët në humbje. Akoma PS-ja nuk është shtyrë të bëjë të plotë analizën e asaj që ndodhi në 3 korrik 2005, sepse agallarët që e bënë janë në karrige akoma, kurse socialistët e thjeshtë janë pa bukë e të keqtrajtuar sot nga regjimi i Berishës. Këto qenë pasojat e këtij akti tradhtar, ose tradhtisë së parë.
2. Kush i tradhtoi zgjedhjet e parakohshme në korrik 2007?
E majta e bashkuar në koalicion opozitar kishte sanksionuar një marrëveshje që ishte dhe objektivi politik i saj – dënimin e qeverisjes së Berishës, duke bllokuar zgjedhjen e Presidentit dhe kalimi kështu në zgjedhje të parakohshme. Kush e “harroi” këtë zotim të së majtës? I pari Edi Rama e pas tij z.Gjinushi, nuk u ndjenë më. Pasojat e tradhtisë së dytë të Ramës janë që socialistët vazhdojnë të durojnë në kurrizin e tyre shtypjen e regjimit të Berishës, për shkak se filozofia e Ramës u kthye në filozofi të konsumimit të pushtetit të Berishës për 4 vjet.
3. Kush e zgjodhi Topin president?
Ishin 6 deputetë të PS-së, pra ata të Edi Ramës, që u futën në vathën e Sali Berishës dhe rrumbullakosën numrin prej 85 votash. Përplasjet Nano-Rama brenda PS-së e lejuan gjithë atë konfuzion dhe mungesë strategjie e qartësie, saqë e majta e Ramës nuk prodhoi një kandidat të vetëm për president, por 12 copë kandidatë, ndërkohë që oligarkia e djathtë financiare i bleu 6 deputetë PS-së. Tradhtia e shitjes së tyre në zgjedhjen e Presidentit, siç po dëshmon dita-ditës, është me pasoja më të rënda seç pritej për të majtën dhe stabilitetin në Shqipëri.
4. Kush e ka tradhtuar pavarësinë e drejtësisë?
Gjoja në emër të stabilitetit, konsensusit, ftesës për në samitin e Bukureshtit, reformave etj., u miratua nga maxhoranca PD-PS deri tani një ligj që fillon reformën në drejtësi, ligji për pushtetin gjyqësor. Por thelbi i këtij ligji nuk ruan pavarësinë e gjykatave e të gjyqtarëve, por i kthen ato në “zagarë” të ministrit të Drejtësisë, i cili kontrollon, survejon, i përgjon, i heq, i vë, i largon sipas qejfit. Të tjera tradhtira do të bëjë Edi Rama dhe lakeu i tij servil F.Xhafa, për të realizuar reformën e Sali Berishës në Drejtësi.
5. Kush po tradhton të majtët me të ashtuquajturën Reformë Zgjedhore?
Ka 2 vjet që Edi Rama dhe PS-ja rreken të bëjnë Kodin Zgjedhor të ri, Listat e Zgjedhësve, Kartat e Identitetit, Pasaportat Biometrike etj., duke i bërë thirrje nga Xhamia e Bashkisë, Sali Berishës. Vetëm fjalë ka prodhuar dyshja bipartizane I.R.-F.XH. deri tani. Më pas jam i bindur se klonimi i tyre do të prodhojë vetëm poshtërsira në dëm të të majtëve. Kam bindje absolute se me këto lojëra Rama i ka shitur dhe i ka humbur zgjedhjet e 2009-ës. Eshtë kjo një tradhti tjetër e parikuperueshme.
6. Kush e prishi në thelbin e saj Kushtetutën e Shtetit Shqiptar?
Marrëveshja Berisha-Rama, ose PD-PS për të prishur nenet kryesore të Kushtetutës së Republikës, më 21 prill, është padyshim kryetradhtia e Edi Ramës, që ende s’e kanë kuptuar mirë shqiptarët pse-në e djallëzisë së këtij ndryshimi. Dikush ka arsyetuar se ai këtë ndryshim nuk e ka bërë për të fuqizuar Sali Berishën, por veten e tij, sipas asaj motoje që atij i pëlqen ta përdorë: O GJITHCKA, O ASGJE. Asambleja Kombëtare e PS, mbledhur në Vorë në mesprillin e 2008, i ngjau mota-mo Asamblesë së Kuislingëve të mbledhur në qershorin e 1943. U tradhtua sovraniteti i popullit, bazat e Republikës parlamentare, Referendumi dhe pavarësia e institucioneve themelore të shtetit. Tani s’dihet se ku po na çon “rrumpalla” Sali Berisha dhe “kundërshtari i tij” Edi Rama.
7. Kush po e shpëton Sali Berishën nga tragjedia e Gërdecit?
26 njerëz të pafajshëm u poqën në Gërdec, për shkak se shteti dhe klanet mafioze të tij kishin ngritur një biznes kriminal, me qëllim jo për të vrarë, por për të zhvatur e fituar para të pista, që nga familja e kryeministrit e me radhë qeveritarë të tjerë. Zjarri ra në Gërdec, por Edi Rama i fërkoi krahët Sali Berishës në Spitalin Ushtarak. U betua për hetime, për komisione, për ligje që do favorizonte të dëmtuarit e Gërdecit etj., etj. Asgjë s’ka bërë nga këto që tha. Tradhtia e Edi Ramës ndaj viktimave të Gërdecit dhe krimit shtetëror po e çon këtë tragjedi drejt arkivës, në këmbim të heshtjes ndaj dosjeve që Saliu i ka Ramës në arkivën e tij. Saliu kryeministër, pasi poqi vorakët e gërdecarët para 4 muajve, e pasi i mashtroi mirë e mirë sa i ngopi me lugë zbrazur, u vajti pardje përsëri atyre me premtime se do të bëjë Gërdecin “bahçe me lule”, kurse zoti Rama nuk shkon dot në Gërdec, se i ka  tradhtuar ata. Ai nuk foli dot edhe për ekskursionin e pardjeshëm të Saliut në vendin ku duhet të ishte “varri politik” i tij, partisë dhe pushtetit të krimit që ai ka ngritur.
8. Kush e ka tradhtuar opozitarizmin ndaj qeverisë së Sali Berishës?
Ka kohë që s’ka më opozitë, konstaton media e pavarur, por edhe analistët seriozë e të pakapur. S’ka më protesta, as greva për bukë, ujë, drita, për punë e liri demokratike, as në qytet, as në fshat, as me minatorët, as me të papunët, as me pensionistët, as me ish-ushtarakët, as me peshkatarët, as me bujqit, naftëtarët e veteranët. S’ka më opozitë as në Parlament, as në rrugë. Ka vetëm “paqe” dhe stabilitet për hir të Edi Ramës e Sali Berishës. Dëgjohet vetëm zëri i hollë i Braçes dhe i “opozitarit” Çim Hysa, që përfaqëson i vetëm PS-në. Ku është futur kryetari i opozitës më të madhe dhe vithetrashurit që i venë pas? Ata s’bëjnë më opozitë, sepse i kanë tradhtuar interesat e socialistëve dhe opozitarizmin ndaj regjimit të Saliut. Më saktë ajo që duket është se ata bëjnë sikur bëjnë opozitë, duke shkëmbyer batuta nëpërmjet ekraneve televizive dhe konferencave të shtypit. Kjo është opozita pantomin e Edi Ramës.
9. Edi Rama ka flakur, mënjanuar dhe tradhtuar militantët e partisë.
Ky rrufjan, njëlloj si me akrobacitë filozofike të Nanos dikur, nuk i përmend më idealet e të majtës, idetë e socializmit demokratik, humanizmin, drejtësinë, solidaritetin etj. Ai tani s’është më as majtas as djathtas, por përtej tyre! Po ku ke vajtur mor zoti kryetar, sepse e ke kopjuar keq edhe Bler-in. Mos vallë do na çosh në fillesat e tua prej anarko-fondamentalisti? Ne e dimë se përtej të majtës e të djathtës o është nacionalfashizmi jot, o është “vegla e Netës”. Shko futu atje, se mbase të nxë. Ndoshta ky është dhe një rikthim i joti tek një opsion i Frojdit. Për tradhtinë ndaj militantëve socialistë nuk po zgjatem, sepse këtë e kuptojmë mirë kur shohim Yllin, Mrikën, Sajmirin e ku di unë të tjerë nga të tutë.
10. Rama është shitur te Berisha, ose Berisha e ka blerë atë.
Kjo është shitblerja financiare më e madhe që i është bërë opozitës në këto 18 vjet. Eshtë marrëveshja dhe ujdia më e madhe ekonomike midis kryesuesve të politikës së vjetër e asaj të re. “Këtë ti, atë unë. Këtë Argida, atë Dashi, këtë Malltezi, atë Lepuri……”. Këto s’janë shpifje zoti Rama, i di Berisha, por i dimë edhe ne. Nuk thonë kot mileti se ti je njeriu më i pasur në Ballkan. Ujditë ekonomike të tua janë themeli që s’duket i ajsbergut të tradhtisë tënde me Sali Berishën. Afera jote e fundit është vendimi nr. 136, datë 29.12.2007 i Bashkisë së Tiranës dhe shkeljet e disa ligjeve, ku përfshihet dhe falsifikimi i dosjeve të pronave të sportklubeve “Partizani” e “Dinamo”. Kjo aferë dhe këto shkelje prej matrapazi të ka nisur padyshim drejt galerës. Ky mesa duket do jetë fundi jot. Apo s’të marrin dhe kollaj ty, se s’të mbron dot Saliu, se je pa imunitet. Ti do të përgjigjesh për pasuritë e vëna nga burime kriminale, të cilat si rregull sekuestrohen dhe u kthehen qytetarëve.
11. Edi Rama ka tradhtuar votuesit emigrantë.
Janë mbi një milion shqiptarë emigrantë kudo në Evropë e Amerikë. Ata kanë mbajtur dhe mbajnë në pjesën dërrmuese ekonominë shqiptare dhe jetët e familjarëve të tyre. Ata duhet dhe duan të votojnë. Këtë LSI e ka thënë vazhdimisht, por nuk do as Rama, as Berisha. Ata kanë frikë nga kthimi, lëvizja dhe vota e lirë e tyre. Nuk ka asnjë vështirësi ligjore apo logjistike që mos të përballohet nga shteti votimi i emigrantëve atje ku jetojnë. Ka vetëm një “mur të pakapërcyeshëm”, që s’i lejon ata të votojnë: tradhtia e Edi Ramës.
12. Tradhtia e fundit e Edi Ramës e ka emrin Kashar.
Në komunën e Kasharit në zgjedhjet e para disa ditëve votuan pak më shumë se shtatë mijë zgjedhës. Afro njëmijë vota, pra një të shtatën midis katër kandidatëve, ose 13% mori partia e Edi Ramës në Kashar, kandidati Egra, i cili garoi me siglën “Bashkohu me Edi Ramën”, një rezultat “spektakolar” sa s’ka ku të vejë me keq për PS. Në Kashar s’kishte PS, as struktura të saj, as frymë garë, as mobilizim, as organizim nga PS-ja. U panë vetëm deputetët Çimi nga Belshi dhe Sadriu nga Peshkopia. U pa edhe Paulini, por nuk u mor vesh për cilin krah lëvizte. Dëshmi qesharake për një parti që mendon të vijë në pushtet pas një viti. Ajo që mendova, pas nxjerrjes së rezultatit në Kashar dhe që tani është më se e qartë, është se edhe zgjedhjet në Kashar, ashtu si dhe disa zgjedhje të mëparshme u shitën nga Edi Rama. Ato i bleu FUÇIA i PD-së, sepse në Kashar nuk paskan kandiduar partitë, por katër banorë të Kasharit! Ky është kori që i mban iso Ramës në këtë marsh funebër ku po shoqërohet PS.
Deri tani këto ishin në një vështrim të shpejtë 12 tradhtitë e kryetarit të PS, Rama. Të tjera tradhti do të dalin e do na presin nga ky karagjoz politik. Aventurizmi i tij e ka zhytur e do ta zhysë më thellë në tradhtira politike, por dhe në humnerën penalizuese të shkeljeve të ligjit, në delikte të rënda, pjesë e rrugës, skenarit dhe ngjizjes së tij me malavitën ekonomike.
Dikur në një vend Shopenhauer i inatosur me sa duket me gratë thotë se “tradhtia e ka emrin grua”. Ndërkaq më vjen ndërmend vetëm që tradhtia e ka emrin Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›