E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga drejt së ardhmes

Gjatë gjithë javës së shkuar universiteti “Ismail Qemali” dhe Senati akademik i këtij universiteti kanë qenë tabela e sulmeve të gjithë mediave në Shqipëri dhe jashtë saj. Unë do të polemizoj me këto media dhe me akuzat e personave të veçantë në një kohë më të përshtatshme. Qëllimi i këtij shkrimi është thjesht një pasqyrë e shpejtë e asaj që po ndodh në Universitetin e Vlorës, pikërisht e drejtuar dhe e organizuar nga ky Senat dhe ky rektor që këto ditë janë akuzuar me pa të drejtë për paaftësi, tradhti, mediokritet, falsifikim e shumë akuza të tjera.

Dua t’iu kujtoj bashkatdhetarëve të mi së Thomas Jefferson, një nga presidentët më të suksesshëm të Amerikës, ka thënë: “Kundërshtimi është forma më e lartë e patriotizmit”. Unë jam krenar për punën, sinqeritetin, kurajën që ka treguar Senati i Universitetit të Vlorës. Ata i kanë përballuar këto ditë të vështira me dinjitet, kurajë të lartë qytetare, e patriotizëm të shkallës më të lartë. Senati i Vlorës nuk është një grup konformistësh! Përpara se t’u mësojmë studentëve tanë shkencë, ne e kemi për detyrë t’u mësojmë atyre që të kenë kurajën qytetare e të shprehin mendimet e tyre pa frikë, të mendojnë jashtë tabuve dhe kornizave fikse, të kenë iniciativë dhe guxim. Dhe këtë ne duhet së pari ta tregojmë me shembullin tonë. Ky është patriotizmi i vërtetë, patriotizmi që i duhet sot Shqipërisë.

Universiteti i Vlorës ka zënë tashmë një vend të veçantë midis institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri. Është një institucion, ku mendimet (të drejta apo të gabuara), thuhen me zë të lartë, një institucion, i cili ka aftësinë ta bëjë gjithë kombin tonë të mendojë, një institucion që nuk ka frikë nga polemikat, nuk ka frikë të shkojë kundër rrymës. Ne jemi krenarë për këtë.

Mbaj mend javën e parë që fillova punën si rektor në Vlorë. Kërkova orarin e mësimeve, por më thanë se diçka e tillë nuk ekzistonte. Godina kryesore e universitetit ndahej mes dy fakulteteve: 8:00-1:00 e kishte Fakulteti i Ekonomikut dhe Drejtësisë dhe 14:00-19:00, Fakulteti i Shkencave Teknike. Kishte mjaft klasa bosh gjatë gjithë ditës, por këto nuk shfrytëzoheshin, pasi ishte “e vështirë” për të bërë një orar të përbashkët të të dy fakulteteve. Pas 2-3 javësh dola nëpër korridore për të parë së ç’bëhej. Vetëm në Fakultetin e Ekonomikut dhe Drejtësisë gjeta 14 klasa, ku studentët rrinin dhe prisnin për pedagogë, të cilët s’gjendeshin se ku ishin. Mendova se ishte rastësi, por kjo ndodhi edhe të nesërmen, edhe të pasnesërmen (kjo ishte gjendja, ku “patriotët” e kishin katandisur universitetin). Caktova një person, i cili gjithë ditën vetëm kontrollonte se cilët pedagogë shkonin në mësim dhe cilët mungonin. U detyrova të pushoj disa nga puna, por shumica e atyre që nuk vinin, dhanë dorëheqjen vetë. Në dy muajt e fundit të vitit shkollor çdo pedagog që largohej edhe për një ditë duhej të merrte leje vetëm nga unë, asnjë ndërrim orari nuk kryhej pa firmën time. Më së fundi, në çdo klasë kishte nga një pedagog, i cili bënte mësim. Një entuziazëm dhe seriozitet filloi të ndihej në kolektivin tonë. Gjatë gjithë muajit korrik të gjithë ishin në punë duke punuar me programet e reja, me statutin, me faqen e internetit etj.

Universiteti i Vlorës ishte i vetmi universitet që kërkoi degë të reja në fushat e inxhinierisë dhe shkencave për këtë vit akademik. Këtë vit shkollor ne do të kemi degë të reja në matematikë, shkenca kompjuterike dhe inxhinieri mekanike (të vetmet degë të reja në inxhinieri dhe shkenca në gjithë Shqipërinë). Ne u zhgënjyem që inxhinieria elektrike dhe inxhinieria civile nuk na u aprovuan nga Ministria e Arsimit. Janë degë me mjaft perspektivë për Vlorën dhe rrethinat e saj dhe degë, në të cilat ne kemi lidhje mjaft të forta me universitete perëndimore.

Gjatë kësaj periudhe 6-mujore ne kemi krijuar faqen më të plotë të internetit nga gjithë institucionet shqiptare. Shumica e programeve tona janë në shqip dhe anglisht. Ne kemi krijuar departamentet e reja të matematikës, shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë elektrike, inxhinierisë mekanike dhe navale, fizikës, biokimisë dhe gjuhë-letërsisë. Kjo në kuadrin e krijimit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe të Fakultetit të Shkencave Shoqërore, të cilët mendojmë të krijohen në vitin në vazhdim.

Në kuadrin e rritjes së numrit të stafit të kualifikuar, numri i pedagogëve me titullin ‘Doktor Shkencash’ është rritur nga 14 që ishte më 1 shkurt, në 31 sot. Pedagogët tanë kanë shkuar ose do të shkojnë këto muaj në Poloni, Amerikë, Kanada, Spanjë, Itali, Greqi etj. Disa prej tyre po paraqesin referate shkencore dhe të tjerë po shkojnë thjesht për trajnime.

Universiteti i Vlorës këtë periudhë 6-mujore zë padyshim vendin e parë në Shqipëri për sa i përket aktiviteteve shkencore. Në periudhën 28 prill-9 maj u organizua Instituti i Studimeve të Avancuara të NATO-s në fushën e komunikacioneve dixhitale. Një aktivitet me rëndësi botërore dhe me të ftuar disa nga themeluesit e këtyre fushave në shkencën botërore si I. Shparlinski, V. Pless, C. Huffman, V. Tonchev, K. Magaard, S. Shpectorov, G. Nebe e të tjerë. Konferenca kishte 120 pjesëmarrës dhe me ndihmën e biznesit vlonjat, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ne arritëm që këta pjesëmarrës t’i çojmë për ekskursione në kalanë e Kaninës, Llogora, Butrint, Himarë, Gjirokastër, Zvërnec, Apoloni, Sarandë etj. Për Shqipërinë nuk ka reklamë më të mirë se 120 profesorë universitetesh të tregojnë ende histori dhe fotografi nga Vlora jonë e bukur, nga mikpritja e shqiptarit, nga riviera jonë e mrekullueshme. Fotografitë e Vlorës kanë mbushur departamentet e matematikës dhe informatikës se disa nga universiteteve më në zë të botës.

Gjatë periudhës 15 - 30 korrik u zhvillua shkolla verore në “Mechanical Behaviour of Materials”, e financuar nga DAAD (agjenci federale në Gjermani). Ishin të pranishëm 30 studentë nga gjithë universitetet shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe ne kemi pasur mjaft të ftuar nga shumë vende të botës si M. Western (University of New Mexico), K. Magaard (University. of Birmingham), L. Gara (Oakland University), J. Gutierrez (Universitat de Cantabria) etj. Gjithashtu, gjatë kësaj vere ne filluam kurset e para pasuniversitare në algjebër abstrakte dhe kriptografi.

Universiteti i Vlorës ka aplikuar për programe pasuniversitare (Master dhe diploma të nivelit të dytë) në shumicën e degëve dhe për programe doktoratash në matematikë dhe informatikë. Ne kemi krijuar programe bashkëpunimi me American University, Oakland University, Universidad de Cantabria, University of Birmingham, Università Politecnica delle Marche, Uniwersytet Marii Curie-Sklodowskiej w Lublinie, Aachen etj.

Gjatë kësaj periudhe ne kemi aplikuar për një Tempus grant në vlerë 750 000 Euro, jemi duke aplikuar për një NATO grant, dhe shumë grante të tjera në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Biblioteka jonë elektronike është nga më të mirat në Shqipëri me akses në ZentralBlatt, MathSciNet, Science Direct etj. Ne po punojmë për krijimin e laboratorëve shkencore të nivelit mjaft të lartë bashkëkohor, lidhjen e gjithë godinave me fibra optike, krijimin e një sistemi administrativ që do të zëvendësojë gjithë punën e sekretareve tona.

Ne kemi krijuar padyshim programet më bashkëkohore dhe më të mira, sipas programit të Bolonjës dhe udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Programet tona të inxhinierisë janë diçka plotësisht e re për Shqipërinë me kurrikula të marra nga universitetet më në zë të Amerikës. Gjithë pedagogët tanë do të shkojnë në Oakland University ose Ann Arbor (University of Michigan), për të parë nga afër se si jepen këto lëndë, si janë organizuar laboratorët dhe si funksionojnë paketa të veçanta kompjuterike. Ne jemi në procesin e krijimit të programeve të përbashkëta me Oakland University për Master të Nivelit të Dytë në inxhinieri mekanike, matematike dhe një diplomë të përbashkët doktorate në matematikë.

Dy gjëra në veçanti më kanë lënë më shumë mbresa gjatë këtyre 6 muajve. Disa javë më parë një grup studentësh nga Universiteti i Vlorës dhe disa pedagogë nga Fakulteti i Shkencave Teknike kanë vizituar çdo shkollë të mesme nga Lushnja deri në Sarandë, duke folur me gjimnazistët për programet tona, duke vendosur posterat e universitetit, ku në mënyrë kuptimplote shkruhej “Rruga drejt së ardhmes”. Nuk kishte gjë më të rëndësishme për mua, kur pashë se këta studentë e merrnin këtë punë po aq seriozisht sa edhe pedagogët, se ata kishin një interes të veçantë që universiteti ynë të bëhet vërtet një qendër e shkencës dhe teknikës, prej së cilës të ndryshojë e gjithë Shqipëria.

Rasti i dytë, kur zemra m’u ngazëllye pa masë, ishte në ceremoninë e diplomimit të studentëve, më 25 korrik 2008. Menduam se duhej bërë diçka simbolike për ata studentë që diplomoheshin. Personalisht, dita kur unë u vesha me kostumin dhe kapelën e të diplomuarit, ishte dita më e bukur e jetës sime. Unë doja që studentet tanë ta provonin atë ndjenjë. Rreth 300 studentë morën pjesë si të diplomuar në ceremoni. Prindërit dhe të afërmit e tyre ishin të pranishëm. Pallati i Sportit “Flamurtari” u mbush plot me të rinj të gëzuar dhe prindër pak të habitur e të emocionuar. Ai moment, kur u këndua himni kombëtar, kur gjithë pallati u çua në këmbë, kur 300 të rinjve të gatshëm për t’u diplomuar nuk iu lëvizte asnjë muskul në fytyrë, kur asgjë nuk pipëtinte veç tingujve luftarake të himnit kombëtar, ishte padyshim momenti më solemn në jetën time. Në mendje më shkonte vetëm diçka: Me këta të rinj, në dukje të pamotivuar, ne mund të bëjmë mrekulli.

Ne kemi ende shumë për të bërë, por një gjë është e sigurt: Universiteti i Vlorës është futur në një rrugë të pakthyeshme, në rrugën e progresit, në rrugën e së ardhmes. Ne do të synojmë të bëhemi një institucion i veçantë në Shqipëri, një institucion ku prioritet është e ardhmja e studentëve tanë, virtyti, shkenca, vërtetësia. Motoja jonë është “Virtus, Scientia et Veritas”. Ne do të funksionojmë si institucion me këto parime fisnike.

*Rektor i universitetit “Ismail Qemali”

Pas debatit të nxehtë që lindi me propozimin e senatit të universitetit “Ismail Qemali”, rektori i universitetit ka zgjedhur gazetën “TemA” për të përcjellë një pasqyrë të punës së këtij universiteti, duke i lënë për “një kohë më të përshtatshme” polemikat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›