E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiakët e PS: Të mos votohet lirimi i banesave, të gjendet zgjidhje edhe për pronarët, edhe për të pastrehët

Vangjush Dako: Ne nuk jemi kundra ish pronarëve, ti marrin ato shtëpi, sepse janë pronarë legjitimë, por kërkojmë që të ketë një zgjidhje për të dyja palët

Akti normativ i përgatitur nga qeveria për të zgjidhur problemin e qytetarëve që jetojnë në banesat e ish-pronarëve është kundërshtuar nga të zgjedhurit vendorë, përfaqësues të Partisë Socialiste. Në mbledhjen e grupit kuvendor të socialistëve, kanë marrë pjesë edhe kryebashkiakët e Durrësit dhe Korçës, të cilët u kanë kërkuar deputetëve që të mos e votojnë aktin normativ të qeverisë, pasi ai nuk i jep zgjidhje problemit, por përkundrazi thellon një plagë sociale duke hedhur në rrugë mijëra familje, që nuk kanë mundësi të sigurojnë strehimin e tyre.

Akti normativ për të gjithë ata banorë të cilët jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve, na ka detyruar që të vijmë sot këtu dhe tju kërkojmë juve që të mbani një qëndrim të fortë, të ashpër, por njëkohësisht edhe të mos ta votoni këtë akt normativ që kërkon qeveria ta miratojë në parlament. E kërkojmë këtë jo thjesht për kredo politike, por e kërkojmë këtë si një detyrim ndaj atyre qytetarëve që na kanë votuar e na kanë zgjedhur, sepse kanë një të drejtë me vete, kanë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005 dhe 2007, që e rrëzojnë këtë akt normativ. E ka rrëzuar në 2007 ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, konkretisht nenin 9 të këtij ligji dhe sot kjo qeveri sjell po të njëjtin nen, por me një akt normativ. Ti paraqesësh parlamentit një akt normativ të tillë që gjykata e ka rrëzuar kjo përbën një shkelje të rëndë. Ne kërkojmë që grupi parlamentar i Partisë Socialiste jo vetëm të mos e votojë, por të mbajë një qëndrim sa më të ashpër, për ti ardhur në krah dhe në ndihmë të gjithë këtyre banorëve, por njëkohësisht edhe për të vendosur një drejtësi, është shprehur kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.

Sipas tij pjesa më e madhe e familjeve që do të dalin në rrugë të madhe nga ky vendim i qeverisë, nuk kanë mundësi për të përballuar shpenzimet e ditës dhe jo më të marrin shtëpi me qera apo të paguajnë kredi. Unë mendoj që sot kërkohet edhe nga ju dhe nga kryetari i Partisë Socialiste që me ardhjen në pushtet ti japin një zgjidhje përfundimtare këtij problemi. Një nga zgjidhjet që ne kërkojmë është që këto shtëpi ti jepen falas të gjithë banorëve që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve, duke bashkëpunuar me pushtetin lokal, duke ndërtuar apartamente të reja, të cilët këta ti përfitojnë falas, njësoj siç i përfituan 220 mijë familje në vitin 92. Ne kemi bërë llogaritjet tona, qeveria socialiste është në gjendje që ta realizojë këtë projekt, sepse kërkohet vetëm vullnet. Fatura financiare është totalisht e përballueshme për një qeveri që për 4 vite të zgjidhi këtë problem. Ne nuk jemi kundra ish pronarëve, ti marrin ato shtëpi, sepse janë pronarë legjitimë, por kërkojmë që të ketë një zgjidhje për të dyja palët. Është një zgjidhje që duhej të ishte dhënë prej 20 vjetësh dhe jo të jepet për 20 ditë, ka nënvizuar Dako.

Nga ana e tij kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi e ka vënë theksin te problemet e strehimit që kanë njësitë vendore, probleme të cilat akti normativ i qeverisë do të thellojë edhe më shumë. Më lejoni tju jap vetëm një shifër nga Korça. Ne jemi duke përgatitur tani shpërndarjen e 96 apartamenteve për të pastrehët për të cilat ka 2500 aplikime. E thashë këtë shifër për të treguar se sa e thellë është kjo plagë. A ka mekanizma? Padyshim që ka! Por për mendimin tim ka munguar deri tani vullneti dhe dëshira. Si shumë punë të tjera në Shqipëri nga kjo qeveri edhe çështja kaq delikate e strehimit të të pastrehëve, veçanërisht e atyre që banojnë në shtëpitë e ish pronarëve synohet të zgjidhet me fushata, është shprehur Peleshi.

Kryebashkiaku i Korçës e ka konsideruar si krejtësisht të padrejtë nxjerrjen në qiell të hapur të një kategorie sociale kaq shumë në nevojë. Nga studimi që ne kemi bërë shumë prej këtyre familjeve jetojnë akoma me ndihmë ekonomike dhe tu propozosh marrje kredie për strehim është të luash me këtë kategori si dhelpra me lejlekun. Pra, është tërësisht e pamundur dhe shumë demagogjike të pretendosh që brenda 20 ditëve të ndodhë ajo çka nuk ndodhi në 20 vjet. Zerimi i interesit nuk është zgjidhja, sepse nuk mjafton për të bërë të mundur blerjen e një shtëpie në treg.

Kemi ardhur tju themi me shumë përgjegjësi bazuar në studimet tona profesionale që zerimi i interesit të kredisë nuk është zgjidhje për këtë kategori sociale, por është një gënjeshtër. Dhe unë mbështes mendimin e Vangjushit, zgjidhja do të ishte një formulë e cila bazohet në një nga vlerat që Partia Socialiste ka dhe ne ndaj kemi ardhur ta ndajmë këtu këtë shqetësim që është drejtësia sociale. Drejtësi sociale do të thotë që edhe këto mijëra familje që sot akoma nuk kanë zgjidhur problemin e strehimit të trajtohen njëlloj siç u trajtuan mbi 200 mijë familje në vitet 90.

Bashkitë tona sot kanë asete, kanë troje publike i kanë të gjitha mundësitë që edhe me mbështetjen e linjave të kredisë të cilat nga një anë me ligj na lejohen, pra huamarrja vendore është e lejuar me ligj, por nga ana tjetër është e bllokuar me disa urdhra të ministrit përkatës. Nëse të gjitha këto zhbllokohen, nëse pushteti lokal do të ketë pjesën e vet të borxhit publik dhe nuk do të mbetet i fundit në radhë. Që ta dini ne na është mbyllur dera pasi qeveria thotë borxhi publik ka arritur limitin e vet ligjor ndaj dhe për ju nuk ka më hapësirë.

Ne duam hapësirë për zbatimin e ligjit të huamarrjes vendore. I kemi mekanizmat, i kemi studimet, i kemi formulat se si në një kohë rekord shumë të shpejtë brenda vitit të parë të qeverisjes socialiste ta fusim në rrugën e zgjidhjes këtë problem duke u bazuar siç thashë tek vlera që ne e ndajmë të gjithë së bashku e drejtësisë sociale, ka argumentuar qëndrimin e tij kreu i bashkisë juglindore.

Qëndrimi i kryebashkiakëve Dako e Peleshi është mbështetur edhe nga kryesocialisti Rama, i cili është shprehur: E mbështes plotësisht shqetësimin e kryetarëve të bashkive që sot jetojnë me këtë zhvillim dramatik për një grup shoqëror, që ne në asnjë mënyrë nuk mund ta shohim me përbuzjen që e sheh qeveria dhe duke garantuar po ashtu të gjithë pronarët se PS është e qartë dhe e prerë në vizi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›